Kandrra Logo Kandrra Botime
Librat Autorët Blog Rreth Nesh
Tibetanët

Tibetanët

3 qershor 2024

Tregim nga “Cambodia” i Brian Fawcett

Përkthyer nga Dritan Sulçebe

Të dy burrat ishin fshatarë tibetanë. Në fillim të viteve tridhjetë, ata u nisën për një pelegrinazh nga krahina e Yusho-s të Tibetit lindor për në Lhasa. Qëllimi i tyre ishte të pranoheshin nga një manastir, diçka aspak e pazakontë për të rinjtë e asaj kulture. Por në fillim të udhës, si pasojë e një stuhie të fortë dëbore, ata humbën rrugën dhe përfunduan duke u endur përgjatë lumit Mekong në drejtim të Kinës Juglindore, ku u kapën nga disa banditë. Pak kohë pas zënies rob të tyre, banditët mblodhën plaçkat dhe marshuan drejt Kinës Veriore për t’iu bashkëngjitur komunistëve, duke marrë me vete edhe dy tibetanët. 

Këtu, dy burrat arratisen dhe pas shumë vitesh, ku me shumë gjasë u endën dhe në skajin verior të pllajës tibetane, përfunduan në Rusinë Qendrore, ku ranë në duart e autoriteteve vendase në Tashkent. Gjermanët sapo kishin nisur të pushtonin Rusinë, dhe tibetanët u rekrutuan në ushtrinë sovjetike, duke u dërguar në frontin lindor si mish për top. Nuk u desh shumë që ata të ziheshin rob nga gjermanët – nuk ishte e qartë nëse kjo ndodhi si pasojë e ndonjë manovre ushtarake të gabuar apo sepse ata thjesht u larguan nga fushimi i tyre duke përfunduar përtej linjave gjermane. Për fat, komandanti gjerman përgjegjës për kapjen e tyre nuk i ekzekutoi. Në vend të kësaj, ai i la të transportoheshin drejt Polonisë, ku ata punuan për një fare kohe në një kap përqendrimi. Kapiten Surry nuk mund ta përcaktonte se cili kamp ishte dhe as përmasat e tij, vetëm mund të citonte tibetanët, sipas të cilëve njerëzit që vinin aty përfundonit drejt “dritës nën tym”. Por teksa dimri afronte, dhe nën kërcënimin e ushtrive ruse, kampi i përqendrimit u shpërbë dhe dy tibetanët u përfshinë në ushtrinë gjermane e më pas u dërguan për në Normandi. Atje, siç e dimë, ata ranë edhe njëherë në duart e një autoriteti të ri.

Kapiten Surry iu rikthye ngjarjeve disa herë rresht, duke biseduar me tibetanët  i bindur se misteri i mbijetesës së tyre thuajse të pamundur, si dhe pasiviteti i tyre sa i thellë aq dhe i epshëm përballë çdo vështirësie, nuk do të deshifroheshin ndonjëherë. Bota moderne në pamje të parë u kishte bërë atyre gjithë të këqijat e mundshme, por në të vërtete  atyre nuk u kishte ndodhur asgjë. Atëherë,  ai arriti në këtë përfundim: Për dhjetë vjet, këta dy burra besonin se kishin vdekur.

Mes ngurrimit, tibetanët e konfirmuan këtë teori, duke u thelluar më tej. Sipas tyre, e gjithë ajo aventurë kishte shërbyer si një test për qenien e tyre, dhe si një mjet (siç shpresonin) për të fituar Nirvanën. Ata kishin mbijetuar sepse që në ditët e para kishin besuar se ishin njerëz të vdekur që kishin rënë në Bardo, në botën e përtejme. 

Për tibetanët, mbijetesa trupore nuk kishte qenë qëllim në vetvete, pasi ata besonin se kishin vdekur me kohë.  Ata po kalonin nëpër Bardo për t’u rimishëruar. Ata kishin mëtuar strehim, ushqim, vetëm sepse trupat e tyre i kërkonin ende këto gjëra…