Kandrra Logo Kandrra Botime
Librat Autorët Blog Rreth Nesh
Route 66

Route 66

6 qershor 2024

Tregim nga Artur Baku ©

 

Ra… Ra… Rasputin lover…, – vazhdoi të rrotullonte çelësin e radios, ndërsa i jepte gaz chevroletit …”Presidenti Regan gjatë vizitës në Berlin i deklaroi Sekretarit të Parë të Bashkimit Sovjetik: zoti Gorbaçov, shembe këtë mur!” Ndërroi stacionet në kërkim të muzikës së preferuar… “NASA hedh në hapësirë modulin S-213″… “Living on a prayer”… “Country roads, take me home”…

Kishte zgjedhur të udhëtonte në Rrugën 66 i vetëm, një ëndërr e hershme e rinisë së tij. Nën qiellin e kuqërremtë të “Springfield-it” chevroleti blu tretej tutje vijës së horizontit. Po dëgjonte Chris Rean në Radio Clearwater. Atë bunacë të qetë mendimesh ia ndërpreu si goditja e një asteroidi lajmi i fundit: Në dalje të qytezës Grandview është gjetur kufoma e një gruaje rreth të tridhjetave, – ngriti volumin duke rrotulluar shpejt butonin e zërit, – dyshohet për një vrasje. Forcat e policisë së Distriktit H të Kontesë kanë rrethuar vendin e ngjarjes.

Pas atij lajmi i dha gaz dërrasë chevrolet-it, la pas qytezën Grandview. Udhëtimi i tij në Rrugën 66 vazhdoi mes muzikës dhe pamjeve mahnitëse të horizontit të kuqërremtë. Nga larg mundi të shquante pulsimin e dritëzave bardhë e blu të një makine policie. Ndërsa afrohej, një agjent i bëri me shenjë të ndalonte. Mbajti krahun në anën e djathtë të rrugës.

– Përshëndetje, zotëri! Ju lutem, dokumentin e identifikimit, – iu drejtua agjenti.

Nxori dokumentin dhe ia dorëzoi, me gishtat e dorës së djathtë uli zërin e radios.

– Luis Broadwell, datëlindja…

Agjenti filloi të kërkonte në regjistrin federal të rekordeve penale.

– Rezulton i padënuar, ka një procedim penal të pushuar para dy vjetëve, – i tha kolegut në krah.

– A mund të bëjmë një kontroll të automjetit? – e pyeti.

– Ka ndonjë problem? Duhet të zbres nga makina nën këtë ufëm përvëluese? – ia ktheu, duke e parë mrrolshëm tjetrin.

– Janë procedura rutinë. Ju lutem, dilni nga automjeti dhe hapni bagazhin.

Dy agjentët e patrullës kontrolluan të gjithë hapësirën e zgavruar të bagazhit, pjesën e përparme, ndenjëset, kroskotin, nuk gjetën asgjë të dyshimtë. Njërit nga agjentët i ra në sy një detaj, kriku nuk ishte në vendin e duhur, në rrotullamen e dyshemesë së bagazhit. Ishte i hedhur në cep. Në momentin që u hap bagazhi, drita e diellit u pasqyrua mbi pajisjen e çeliktë dhe reflektoi mbi sytë e agjentit, i cili i puliti instinktivisht për një moment. Ndërsa mbante krikun në dorë, e pyeti udhëtarin:

– Keni pasur ndonjë problem me gomat?

– Po, zotëri, pak kilometra pasi kalova qytezën m’udesh të ndërroja një gomë. Gjëra që ndodhin…

– Ku po shkoni? – vazhdoi agjenti.

– Po udhëtoj i vetëm në Rrugën 66, është ndjenjë lirie, detoks për shpirtin, – ia ktheu, ndërsa futi kartën ID në portofol.

– Rrugë të mbarë, zotëri!

Zëdhënësi i policisë lokale po jepte konferencë shtypi në lidhje me ngjarjen. “Sot rreth orës….. ndanë rrugës kryesore është gjetur trupi i pajetë i një gruaje. Nga karta ID është bërë identifikimi i viktimës, KamilaAngel, 30 vjeçe, me ngjyrë, punonjëse poste. Nga verifikimet paraprake është konstatuar se viktima është goditur me mjete të forta prerëse në kokë… Kërkojmë ndihmën e qytetarëve të kontesë për identifikimin dhe gjetjen e autorit/autorëve. Dyshimet e para janë për një person rreth të dyzetave, i bardhë, i cili është parë në një stacion karburanti “Shell” pak minuta pas ngjarjes.”.

Dy agjentët e patrullës po ktheheshin, ishte ora që do të linin shërbimin. Agjenti që kishte ndaluar burrin e Rrugës 66 i tha kolegut: 

– Ai kriku i hedhur kishte diçka që nuk shkonte.

– Çfarë do të thuash? 

Nuk foli… Hapësira mes tyre vibronte nga kënga e hedhur në eter atë moment në Radio Clearwater.

“You’ve been hit by-

You’ve been hit by-

A smooth criminal…”

– Asgjë, asgjë… Ndoshta e kam nga lodhja.

– Në profesionin tonë çdo detaj ka rëndësinë e vet.

– Kriku shkëlqente, ishte i pastër si kokainë kolumbiane, nuk të jepte përshtypjen se ishte përdorur tani shpejt për të ndërruar gomë makine. Dukej i sapodalë nga fabrika, si i larë me detergjent. 

Para se të dorëzonin shërbimin, agjentët plotësuan raportin ditor, ku ndër të tjera deklaruan: 

“Sot rreth orës … u bë ndalimi i një automjeti “Chevrolet” blu. Drejtuesi i automjetit rezultoi të ishte shtetasi Luis Broadwell, 40 vjeç, i bardhë, person i proceduar më parë për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë”, procedim i pushuar për mungesë provash. Në automjet nuk u gjetën gjëra të dyshimta. Në bagazhin e automjetit u gjet një mjet i fortë me mekanizëm të dhëmbëzuar. Duke qenë pjesë e setit të servisit të automjetit, krik, nuk krijoi dyshime për marrjen e masave të mëtejshme.” – përfundonte raporti i shërbimit.

 Ditën e premte pas shërbimit ata kishin një rregull të pashkruar, e mbyllin të premten në bar “Scotch & Soda”. Sapo hynë brenda u përshëndetën me Çarlin, baristin mitik të “Scotch & Soda”, i cili pa i pyetur u mbushi dy scotch wisky. Bisedat vërtiteshin rreth ngjarjes në Grandview-s, kriku… Burri i chevrolet-it… Procedim i pushuar… Kamila Angel…

Pasi kthyen disa gota në shoqërinë e Çarlit, gotën e fundit e pagoi… Njëri nga dy kolegët nxori një kartëmonedhë prerje 20 dollarëshe, e cila ishte bërë shuk me një faturë. Ndërsa iknin duke i thënë Çarlitnatën e mirë, në sfond i shoqëronte hiti i famshëm i atij viti:

“There’s a sound at the window

Then he struck you, a crescendo Annie

He came into your apartment

He left the bloodstains on the carpet”.

Baristi mori kartëmonedhën 20 dollarësh të bërë shuk me një faturë të lëshuar ditën e premte, datë…, ora 07:40, nga një stacion karburanti “Shell”. Futi kartëmonedhën në arkë, ndërsa faturën e la mbi banak rrëzë dy gotave boshe, pa i dhënë rëndësi.

“There’s a sound at the window (I don’t know)

Then he struck you, a crescendo Annie (I don’t know…”

Fiki dritat dhe sterion e barit… Nga dritaret u derdh drita e një hëne kuqalashe. Rrezet e gjakuara të hënës përshkonin pjerrtas gotat boshe dhe pushonin mbi faturën “Shell”.