Kandrra Logo Kandrra Botime
Librat Autorët Blog Rreth Nesh
Instagrami dhe Intelektualizmi: Si të pozosh si një lexues i vërtetë?

Instagrami dhe Intelektualizmi: Si të pozosh si një lexues i vërtetë?

7 qershor 2024

Artikull nga Sheila Rexho

E frymëzuar nga tabloja e përditshme në rrjetet sociale, ku shpërthejnë fotot e kuruara me kujdes të vajzave bukuroshe që thjesht pozojnë me/mbi libra, nuk mund të mos përjetoj një ndjesi të trishtë.

Ky fenomen, që unë me shaka e quaj “fenomeni i pjeshkave libërdashëse”, më ka shtyrë të reflektoj mbi mënyrën si leximi është transformuar nga një akt personal tejet intim në një aksesor social, një mjet për të tërhequr vëmendjen dhe për t’u dukur pseudo-intelektual.

Në këtë epokë të re të dominimit të imazhit dhe perceptimit social, leximi ka pësuar një metamorfozë të pabesueshme. Është një paradoks i hidhur të vësh re, sesi një akt kaq i çmuar si leximi është tkurrur, shndërruar në një aksesor të thjeshtë, një lodër për të fituar sa më shumë likes dhe ndjekës.

Sa shumë nevojë ka për validim… libri ky magnet i vëmendjes…

Sot, me ngjason sikur libri shërben më shumë si një simbol sesa një burim i mirëfilltë njohurish; një objekt që na bën të dukemi më të “thellë”, më të ditur, më… intelektualë.

Ky lloj leximi sipërfaqësor dhe i pavërtetë nuk kontribuon në zhvillimin e mendimit kritik apo në pasurimin shpirtëror dhe sipas gjykimit tim personal e shoh si një kërcënim për shoqërinë, e cila ka nevojë për shtimin e numrit të mendjeve kritike.

Me zhvillimin galopant të teknologjisë dhe përhapjen e mediave sociale, individët i janë larguar leximit të librave dhe janë tërhequr drejt konsumimit të kontentit të shkurtër dhe shpeshherë bosh.

Këtë e quaj krizë dhe simptomë të një shoqërie, që po e humb interesin për të menduar thellë dhe për të eksploruar botën përmes shfletimit klasik.

Kjo prirje më duket “e frikshme”, pasi së pari banalizon vlerën e vërtetë të leximit dhe së dyti sepse kontribuon në një kulturë ku dukja është më e rëndësishme se thelbi/esenca.

Sot më shumë se kurrë shoqëria ka nevojë për lexues të vërtetë, për individë që angazhohen me tekstet në një nivel i cili kërkon përqëndrim dhe projekton reflektim, ose nxit në ndarjen e eksperiencave te leximit, nëpërmjet diskutimeve, apo “book reviews”. Për fat te keq, këto nisma janë kaq të pakta kur janë te mirë-realizuara dhe kaq te dështuara kur na shfaqen nën kujdesin e pseudo-intelektualëve.

Sepse, në fund të fundit, leximi i vërtetë nuk ka nevojë për spektatorë.

Eshtë procesi i arratisjes së ëmbël drejt botëve të reja dhe thellësive të mendimeve.