Kandrra Logo Kandrra Botime
Librat Autorët Blog Rreth Nesh
BojËndërr

BojËndërr

10 qershor 2024

Poezi nga Noa Nur ©

Zakonshëm nata hyn në ditën e dikujt tjetër
Çmendurisht meridianët dashurohen, preken?
Deti gufon, shqyhet, toka e mira hapet
Trazueshëm, e patakueshmja
çiket me cipën e zbehtë njerëzore
Valle pa fund si rotullimi i planetëve
Tërbueshëm në kllapi
Nuk mbetet asnjë kujtim

**
Qeshë si pemë për ty
Kur krejt i vetëm nuk më kërkoje
Aty mbeta, nuk lëviza që kur të ngreje sytë lart
në dëshpërim të shihje të paktën ndonjë gjethe
E me që nuk të prekja dot të binte ndonjë, në
fytyrë të ndjeje gjallëri
U ktheve gjithnjë, i sigurt të gjeje strehë…
E teksa shihje nga qielli, të pengova pak me
degët e mia
Ike, erdhe, ndenje aty rotull
Unë, pemë, ndërsa ti ankoheshe për heshtjen
Po hidhja rrënjë

**

Njëqind mijë hapa mbrapsht
Lamtumira vjen
Shëtitje me erën
Numëroj rrugët
Dëshirat prej letre
Përqafimet mëndafshi
Puth muret
Gjurmët në tavan
Gjakrrjedh lule
Nisem e mbërrij
Gjithmonë vonë
dhe prapë si herët

**
Nahla 
Në humbsha dritën e syve të mi
Ti do të ndriçosh botën time me botën tënde
Bijë e përzier me sumakun
Në humbsha rrugën time
Ti do të më bëhesh shtegu i duhur
Bijë e përzier me karafil
Në humbsha mendjen time
Ti do të jesh arsyeja ime
Bijë e përzier me tumerikun
Në humbsha zemrën përgjithmonë
Ti do ta zëvendososh me tënden
Bijë e përzier me kanellë

**

Ne lëvizim, ne rritemi
A nuk e di?
Jemi të bërë me lot të shenjtë,
Të përziera me frikëra të mallkuara.
Ne vrapojme, na duhet.
Ne ikim,
Ne nuk jemi gurë të rëndë në vend të vet.
Ne jemi mish, ne jemi gjak dhe eshtra.
Ne lëvizim, mund të mos fluturojmë.
Por me zemrat tona pluskojmë lart.
Jemi njerëz, jo gurë, jemi bërë t’i shkelim ata.…”

**

Nga Shkretëtira
“Shkretëtira të mëson heshtjen,
Heshtja vetminë.
Vetmia të flet më shumë se mijëra gojë,
Shputat nxehen dhe rripen.
Shpirti nuk thahet kurrsesi, po gjen ëndje në
absoluten dashuri.
Ika dhe pashë rrugët më të humbura,
dhe nuk humba asgjë.
Në shkretëtirë njoha nën diell errësirën time.
Njoha shtresat e mbuluara të vetes.
Mbulova veten në shtresa të tjera.
U mbrojta duke zhveshur,
U zhvesha duke u mbuluar,
Kam pirë barna të hidhura,
Kam pirë barna të ëmbla,
Kam pirë dhembjen me fund.
Në heshtje kam njohur muzikën,
Kam njohur zërin tim,
Për herë të parë ia dëgjova tingullin.
Kam dëgjuar rrahjen e zemrës,
Kam lëshuar britma brishtësie,
M’u desh shkretëtira të njoh ujin.
Të njoh ujin që të kem etje përsëri.”

**

Nga zgavrat e dritës
pashë tmerrin më të thellë.
Prej syve të dilnin të gjitha tmerret e botës.
Vorbull frikash u turrën përreth
luftës gjakatare të dyshimit.
Zhgënjimi edhe një më shumë korri
mijëra robër që u endën të humbur.
Sytë nuk e kanë humbur dritën,
Janë ndezur zjarr.
E dogjën boshtin e besimit,
Flakët mposhtën shpresat e fundit,
Ato që për siguri pate mbajtur fshehur.
Humnerën më le të prekja.
Paralajmërim apo thirrje për ndihmë?!
Mendimet u zgjatën drejt kraharorit tim,
mizorisht zunë rrënjë.
Aty pashë:
Kaluan dorë për dorë të gjithë endacakët,
robërit, të dobëtit, të çmendurit.
I pashë, po kapërcenin malet e gjelbra
drejt thatësirës së madhe,
Drejt puseve pa ujë.
Humnera jote kaq e madhe sa strehon
popuj.
Sytë janë ndezur zjarr e vazhdojnë djegin.”
Ai në refren iu përgjigj:
“Mos u ndal!
Po u nise, edhe në u kthefsh, nuk bën dot
mbrapsht.”