Le të bëjmë sikur
11 qershor 2024
Poezi nga Sheila Rexho ©

Le të bejmë sikur u deshëm
Sikur besuam se mundëm…
e unë i lashë të lira fluturat e stomakut tim.
Le të bëjmë sikur besojmë verbërisht në rastësi,
në fate të shkruara
e për të qenë në paqe me pamundësinë e veteve
le t’ia hedhim fajin yjeve.
Le të bëjmë sikur netëve me shi
kujtojmë njëri tjetrin.
Une do të bej sikur besoj, se imazhi im
i asaj nate nën çadër të ka zaptuar mendimet.
E ti do të bësh sikur mendon,
se unë po të kërkoj në ndonjë poezi shiu…
Le te bëjmë sikur ti e përktheve heshtjen time në dhomë
Dhe sikur nuk e vure re as angështinë, as përlotjen që desha ta fsheh
teksa gjerbja verën e mbetur të së djeshmes & melankolia ime s’të la indiferent.
E une do të bëj sikur ftohtësia jote s’mē mpiu…
Le të bëjmë sikur me deshe shumë,
Sikur kuptove se “të mungova”,
kur iu ktheve i vetëm rrugëve që më mbajte për dore.
Sa herë t’i frikësohem vdekjes time do të bëj sikur besoj, se vendose të ishe Zoti im,
për të më perjetësuar ndër rreshta.
Le te bëjmë sikur të desha edhe më shumë
Sikur nuk kuptoja, se mllefi ndaj viteve që na ndajnë,
daton përpara lindjes time.
Unë do të bëj sikur s’u bezdisa nga “koketat”
qesharake që të rrethojnë
E ti do të besh sikur nuk xhelozove ndaj askujt.
Pastaj le të bëjmë sikur nuk e ditëm, se ajo qe e fundit natë.
Une do të bëj sikur nuk qava pasi u ndamë,
e se rruga e kthimit nuk m’u duk pambarimisht e gjatë.
Ti bëj sikur mendon, se une jam
shtriga e ditëve të tua
e unë do të bëj sikur bind veten,
se ti je e keqja absolute e te miave
së cilës duhet t’i arratisem.
E do te bëj sikur mendoj se ndoshta të kujtohem
kur të puqesh me tjetër trup,
që s’ka epidermën time
E do të bëj sikur e besoj vërtet, ndaj do të ulem të të shkruaj letra,
të cilat më pas do të bëj sikur do të t’i dergoj.
E ti do te bësh sikur më ndjen prej së largu,
E unë do te bëj sikur mirefilli te ndiej…