Kandrra Logo Kandrra Botime
Librat Autorët Blog Rreth Nesh
Pema e Jetës

Pema e Jetës

13 qershor 2024

Neil Gaiman, “Mitologjia Nordike”

Përkthyer nga Dritan Sulçebe

Yggdrasil

Pema e Frashërit, Yggdrasil, është një pemë madhështore, më e përkryera dhe më e bukura ndër të gjitha pemët: dhe gjithashtu më e madhja. Ajo rritet midis nëntë botëve dhe u bashkohet atyre njëra pas tjetrës. Majat e degëve të saj gjenden mbi qiell.

Është aq e madhe saqë rrënjët e saj gjenden në tri botë, që ushqehen përmes tri puseve.

Rrënja e parë, dhe më e thella, shkon drejt nëntokës, në Niflheim, vendi që ka ekzistuar përpara çdo vendi tjetër. Në qendër të botës së errët qëndron një burim i pashtershëm, Hvergelmir-i, i zhurmshëm porsi ushtima e bagëtive. Dragoi Nidhogg, jeton nëpër këto ujëra, ndërsa është gjithnjë duke bluar rrënjën nga përposhtë.  

Rrënja e dytë shkon nëpër përmasën e viganëve të akullt, drejt pusit që i përket Mimir-it.

Një shqiponjë fluturon mbi majat më të larta të degëve të pemës së botëve, e cila është e gjithëditur. Aty gjendet dhe një skifter, që ka bërë folenë midis syve të shqiponjës. Një ketër, i quajtur Ratatosk, jeton mes degëve të pemës së botëve. Ai përcjell thashetheme dhe lajme midis dragoit të tmerrshëm kufomë-ngrënës Nidhogg  dhe shqiponjës. Ketri u tregon të dyve gënjeshtra, të cilat e galdojnë tek mbjellin përçarje dhe zemërim.

Katër drerë mërzejnë mbi degët e mëdha të pemës së jetës, duke i ngrënë gjethet dhe lëvoren. Nga ana tjetër, janë të panumërt gjarpërinjtë që qëndrojnë në këmbët e pemës, duke kafshuar rrënjët e saj.

Pema e botëve mund të ngjitet. Nga kjo pemë Odini vari veten në shenjë vetëflijimi, duke e shndërruar pemën e botëve në një trekëmbësh dhe vetveten në zotin rojtës të trekëmbëshit.

Perënditë nuk i ngjiten pemës së botëve. Ato udhëtojnë përmes botëve duke përdorur Bifrostin, urën prej ylberi. Vetëm perënditë mund të udhëtojnë përmes ylberit; viganët prej akulli ose trollët që do të ecnin mbi Bifrost, do t’u digjeshin këmbët.

Asgard është shtëpia e Aesir-ëve. Këtu jeton Odini.

Alfheim, është vendi i elfëve prej drite. Elfët prej drite janë të bukur si dielli dhe yjet.

Nidavellir-i, që ndonjëherë quhet dhe Svartalfheim, është vendi i xhuxhëve ( të quajtur edhe si elfët e zinj), që jetojnë poshtë maleve, ku ndërtojnë veprat e tyre të mrekullueshme.

Midgard, është bota e burrave dhe grave, bota ku ne kemi ngritur shtëpitë tona.

Jotunheim, është vendi ku jetojnë viganët prej akulli dhe viganët e maleve.

Vanaheim është vendi i Vanirëve. Aesir-ët dhe Vanirët janë zota të bashkuar nga një traktat paqeje. Shumë Vanirë jetojnë në Asgard bashkë me Aesirët.

Niflheim është e bota e errët e mbuluar nga mjegulla.

Muspell është bota e zjarrit e ruajtur nga Surtr-i.

Dhe është një vend që quhet sipas sundimtarit të tij: Hel, vendi ku shkojnë të vdekurit, që nuk kanë vdekur trimërisht në beteja.

Rrënja e fundit e pemës së botëve shkon drejt burimit në shtëpinë e perëndive në Asgard. Këtu perënditë mblidhen çdo ditë, dhe këtu ata do të mblidhen edhe në ditët e fundit të botës, përpara se të nisen drejt betejës përfundimtare të Ragnarokut. Ky quhet pusi i Urdit. Aty rrinë tri motra, nornat – virgjëresha të ditura. Ato kujdesen për pusin dhe sigurohen që rrënjët e Yggdrasilit të jenë përherë në gjendje të mirë dhe të mbuluara nga balta. Pusi i përket Urdit; ajo është fati dhe e parathëna. Urdi është e kaluara jote. Bashkë me të gjendet Verdandi – emri i saj do të thotë shndërrim dhe ajo përfaqëson të tashmen. Në fund vjen Skuldi, emri i saj do të thotë “ajo që është synuar”. Skuldi përfaqëson të ardhmen tënde. Nornat do të vendosin se çfarë do të ndodhë në jetën tënde. Por ka edhe norna të tjera përveç atyre që u përmendën. Norna vigane, dhe norna elfe, norna xhuxhe dhe norna Vanirësh, norna të mira dhe të këqija. Fati yt do të vendoset nga to. Disa norna i dhurojnë njerëzve jetë të mira, të tjera jetë të vështira, të shkurtra ose të shtrembra.

Nornat do i japin formë fatit tënd, aty te pusi i Urdit.