Kandrra Logo Kandrra Botime
Librat Autorët Blog Rreth Nesh
Kur emocionet e Fiction-it shtrembërojnë perceptimet mbi dashurinë

Kur emocionet e Fiction-it shtrembërojnë perceptimet mbi dashurinë

20 qershor 2024

Artikull nga Sheila Rexho ©

Ditët e fundit, ndërsa po lexoja një roman të Proust-it, nuk mund të mos më ngacmonte dhe të më bënte të reflektoj narrativa e tij. Si një adhuruese e këtij autori, gjithmonë kam gjetur kënaqësi në eksplorimin e psikes, intrigës, pasionit dhe fantazisë që gjenden nëpër veprat e tij.

U frymëzova dhe  kështu lindi ideja për të “hulumtuar” se si letërsia romantike mund të shtrembërojë pritshmëritë tona për dashurinë dhe marrëdhëniet, duke krijuar iluzione që shpesh nuk përputhen me realitetin.

Në kontekstin romantik, Proust na tregon se si dashuria mund të jetë një proces vetëshkatërrues kur bazohet në një perceptim të shtrembëruar të realitetit dhe në idealizimin e partnerit.

Proust, megjithatë, shkon përtej stereotipeve romantike. Analiza e tij komplekse, sfidon konceptet tradicionale romantike dhe nxjerr në pah natyrën e ndërlikuar dhe shpesh iluzore të ndjenjave njerëzore.

Zgjodha t’i hyj më në detaje kësaj teme, duke u ndalur te disa psikologë të njohur, që e kanë trajtuar këtë fenomen dhe gjithashtu duke theksuar mënyrën se si këto mite të dashurisë romantike ndikojnë në jetët tona të përditshme.

Idealizimi i Dashurisë

Një nga aspektet më të theksuara të letërsisë romantike është idealizimi i dashurisë.

Shkrimtarë si Jane Austen, Lord Byron apo Percy Bysshe Shelley e përshkruanin dashurinë si një ndjenjë sublime, të cilën vetëm shpirtrat e mëdhenj mund ta përjetonin plotësisht.

Sipas psikologut Dr. Aaron Ben-Ze’ev, ky idealizim ka ndikuar në krijimin e pritshmërive jo-reale, ku partnerët presin nga njëri-tjetri eufori dhe përmbushje konstante, pa marrë parasysh realitetin e përditshmërisë dhe sfidat që vijnë me të. Dhe le të ndalemi pak te fenomeni i dashurisë si fantazi arratisëse.

Nga pikëpamja e Dr. Joanne Davila, vërehet se romanet romantike ofrojnë një qasje të arratisjes nga realiteti. Këto romane krijojnë dhe projektojnë një botë ku dashuria është gjithmonë emocionuese dhe pasionante, duke i bërë lexuesit të kërkojnë të njëjtin nivel intensiteti në jetën reale.

Ky fenomen mund të çojë në një mosrealizim të marrëdhënieve konkrete dhe në një kërkim të vazhdueshëm për diçka më shumë…

Po kur dashuria  shërben si shpëtim?

Një tjetër temë e zakonshme në letërsinë romantike është ideja e dashurisë si shpëtim.

Romane të tilla si “Wuthering Heights” nga Emily Brontë dhe “Jane Eyre” nga Charlotte Brontë përshkruajnë dashurinë si një forcë që mund të shërojë dhe plagët më të thella të shpirtit e njëkohësisht të ofrojë një rrugëdalje nga vuajtjet e jetës.

Ky koncept tejet romantik mund të shtyje individin të ndërtojë pritshmëri të rrezikshme, ku kërkohet shpëtim dhe përmbushje e plotë nga partneri përkatës, duke harruar kështu rëndësinë e zhvillimit personal dhe atij të vetëvlerësimit.

Konflikti dhe dramaticiteti

Letërsia romantike shpesh përmban konflikte të thella dhe dramacitet në marrëdhëniet dashurore, me qëllim që këto histori të jenë sa më tërheqëse dhe emocionuese.

Megjithatë, kjo ka çuar në një perceptim të gabuar se konfliktet dhe dramat janë shenja të një dashurie të mirëfilltë. Në realitet, marrëdhëniet e shëndetshme kërkojnë komunikim, kompromis dhe stabilitet, dhe aspak konflikte të vazhdueshme dhe pasione shkatërruese. Shpesh ne identifikohemi me personazhe romanesh, kur gjendemi në periudha të një mos-ngopjeje emocionale.

Koncepti i “Shpirtit Binjak”

Një tjetër aspekt i shtrembëruar i dashurisë romantike është koncepti i shpirtit binjak, i cili sugjeron se ekziston vetëm një person i përsosur për çdo njeri. E besoj të gjithë kemi ëndërruar te takojmë “shpirtin tonë binjak”.

Dr. Bella DePaulo, një psikologe sociale, thekson se ky mit mund të krijojë një ndjesi të pafund kërkimi dhe zhgënjimi, pasi në realitet kemi të bëjmë me një papërpuethshmëri. Ne nuk gjejmë versionin binjak tek askush, pasi marrëdhëniet tona romantike nuk janë të bazuara në një përsosmëri të paracaktuar.

Perceptimi i Roleve Gjinore

Dr. Janice Radway, një teoriciene kulturore dhe feministe, ka analizuar se si letërsia romantike mund të forcojë stereotipet tradicionale gjinore. Këto histori shpesh paraqesin gra të varura emocionalisht dhe burra të fortë dhe protektivë, duke paraqitur një shtrembërim të roleve gjinore në marrëdhënie. Kjo mund të ndikojë në mënyrën se si individët perceptojnë veten dhe partnerët e tyre.

Dua te ndalem tek Irvin Yalom, një nga psikoterapistët dhe autorët e zemrës. Ai ka hulumtuar & shkruar gjerësisht për dashurinë dhe marrëdhëniet në kontekstin e psikoterapisë ekzistenciale. Në teorinë e tij, ai ndalet te dashuria si një forcë e fuqishme për lidhjet ndërnjerëzore, por gjithashtu thekson rëndësinë e autenticitetit dhe transparencës në marrëdhënie. Ai argumenton se dashuria e vërtetë kërkon që individët të përballen me frikërat dhe pasiguritë e tyre, duke qenë të hapur dhe të sinqertë. Kjo qasje ndihmon në krijimin e marrëdhënieve më të thella dhe më të qëndrueshme, duke sfiduar idealizimet e dashurisë romantike dhe duke nxitur një kuptim më realist dhe të ekuilibruar të ndjenjave njerëzore.

Letërsia romantike ka pasur dhe sigurisht besoj do të ketë një ndikim të thellë dhe të qëndrueshëm në perceptimin tonë mbi dashurinë. Ndërsa historitë best-seller kanë fuqinë për të frymëzuar dhe për të nxitur imagjinatën, është e rëndësishme të kemi një perspektivë të balancuar dhe të kuptojmë se dashuria në realitet është shumë më komplekse dhe shumëdimensionale.  Vetëm kështu do të kemi një qasje më të matur dhe të ekuilibruar ndaj dashurisë, duke kuptuar se ajo është një proces që kërkon përkushtim, mirëkuptim dhe vetëdije të thellë.