Prehje
22 qershor 2024
Vicente Aleixandre
Përktheu Elvi Sidheri

Trishtim me përmasa trumcaku.
Një qark i pastër, një hapësirë kohore, një shekull mbase.
Kohë e vajtur ngadalë pa pipëtirë fare,
në pritje të gulçeve të mugëtirës.
Oh ti, mish i mermertë hijeshie.
Farfuritje përtej çdo magjepsje,
ndan në dysh gurin e shkërmoqur.
Oh gjak, oh gjak, oh, kjo orë pulsuese,
gjembat kur harlisen, kur gërricin
gurmaze të dërrmuar nga puthjet.
Oh, kjo dritë pa gjemba kaq ledhatuese
padije e ëmbël është vdekja.
Intimitet
Mario Benedetti
Përktheu Elvi Sidheri

Bashkë ëndërrojmë
së toku zgjohemi
koha bën e gjithçka zhbën
e ndërkohë
nuk e vret mendjen për ëndrrat e tua
as për të miat ëndrra
jemi të topitur
apo tepër të përmbajtur
pandehim se nuk gremiset
kjo pulëbardhë
kujtojmë se është e përjetshme
kjo yshtje
se beteja është e jona
dhe askujt tjetër
jetojmë bashkërisht
të përbashkuar mposhtemi
por ky shkatërrim
është veç një shpoti
një hollësi që rrënon
gjurmët
një hapje-mbyllje
e dyerve të parajsës
ngaqë intimiteti ynë
është kaq i pafundmë
saqë edhe vdekjen e ndryn
në zbrazëtinë e vet
dua të ma rrëfesh
dhembjen që ti hesht
nga ana ime të ofroj
të fshehtën time të mbrame
je e vetmuar
i vetmuar jam dhe unë
por nganjëherë
edhe vetmia
mund të përflaket