Marinarët
2 korrik 2024
Poezi nga Koloreto Cukali ©
Shkëputur nga “Marshi Funebër i Gjelave të Detit”, Kandrra Botime 2024

Është fat
që marinarët nuk shkojnë kurrë në Opera,
aty ku Requiemi i Brahmsit i thërret për poshtë.
Gjokset e tyre
– dhe kjo është e provuar –
nuk i përballojnë koret,
sirenat,
katedralet.
Gjokset e tyre, as peshkaqenët
nuk munden…
(edhe pse do duhej vënë 1 ekuilibër
me ne që kollofisim gjokse pule).
Jo vetëm prej kripës
as tatuazheve
e qimeve të argjendta,
por më tepër prej tingujve të papërballueshëm
të mbyllur në ato eshtra
si kacekë lundrues.
Gratë që flinin me marinarët
mund të tregojnë
stuhinë që ato dëgjonin
kur mbështetnin kokën,
në të shkuarën.
Ka ndodhur në të shkuarën e pafundme
pasi marinarët janë zhdukur
dhe detet i kemi populluar ne.
Marinarët janë kthyer në shtëpi.
Dhe kalojnë çdo ditë
para Pallatit të Kulturës,
pa e ditur që brenda dikush bën provat
e jetës së tyre
dhe çdo natë
me fustan të gjatë
këndon gruaja që u ka buçitur në veshë
në detet e kthyera përmbys.
Sepse sirenat janë vetëm
një grua e vetme
që i do për vete
të gjithë detarët.