Kandrra Logo Kandrra Botime
Librat Autorët Blog Rreth Nesh
Shtrigat e Vogla

Shtrigat e Vogla

21 mars 2025

Sheila Rexho ©

Shtrigat e vogla

Shtrigat e vogla nuk janë më të bukurat,

kanë flokë prej yjesh.

Vishen me të zezën gotike për të sfumuar të bardhën e brendshme.

Shtrigat e vogla kanë rrathë te nxirë sysh, shikim melankolik dhe i mbijetojnë pagjumësisë së perjetshme.

Mbajnë hajmali, besojnë në karma
dhe jo në magji.

Shtrigat e vogla shpikin ëndrra të mëdha,
dashurojnë vetminë dhe shpesh i arratisen, vetes.

Fshesën klasike nuk e përdorin për fluturim
Me të fshijnë mbetjet dashurore të zemrave.

Shtrigat e vogla nuk janë cinike, por e shohin botën me lente skepticizmi.

Shtrigat e vogla vështirë t’i miklosh.
Perçmojnë çnjerëzoren e pseudo-ndjeshmërinë
dhe rreken të besojnë në dashuri të mëdha.

Flasin gjuhën e natës dhe qindra dialekte emocionesh.
Perkthejnë heshtjen.
Përloten, qeshin e ngazëllehen si fëmijë.

Mbajnë me vete gur hëne dhe i falen diellit
Rilindin në errësirë dhe rriten me pluhur zanash.