Kandrra Logo Kandrra Botime
Librat Autorët Blog Rreth Nesh
DY- TRI FJALË PËR TY, O E BUKURA MARGARITA !

DY- TRI FJALË PËR TY, O E BUKURA MARGARITA !

7 prill 2025

Skënder Sherifi ©

E dashur MARGARITA,

Kaq ishte filmi yt i mrekullueshëm tokësor! Vendose për të kaluar pa zhurmë në botën tjetër, në misterin e heshtjes dhe të përjetësisë. Mes ëndrrës dhe realitetit, si në një film të David Lynch-it ( Blue Velvet dhe Mulholland Drive ). Ndoshta do e takosh atje në sferat kozmike nënën time dervishe, Xhevahire Sadrinë, e cila të ka pas thënë dikur në Tiranë : “ Mos u merzit, se do shihem edhe andej, përtej kufirit të së dukshmes, e di unë, m’i kanë dërguar shenjat dhe provat, por nuk mund t’ua tregoj … se janë sekretet e Zotit”.

Kam pikëpyetjet e mia natyrisht, por tek e fundit, pse jo, më mirë le ta besojmë atë hipotezë të këndshme, plot me shpresa pozitive ! Energjitë kalojnë, shkëmbehen, përzihen, qarkullojnë, metamorfozohen … Ndoshta, do i takosh andej, rreth një gote me vërë divine, dhe mjaltë xheneti, dhe do ua përcjellësh të falat e mia, me një përqafim special të një anarkisti malësor, universal, disa prej kolegeve të tua si : Anna Magnani, Lucia Bose, Silvana Mangano, Gina Lollobrigida, Sofia Loren, Alida Valli, Ava Gardner, Marylin Monroe, Laureen Bacall, Audrey Hepburn, Nathalie Wood, Simone Signoret, Michèle Morgan, Maria Casarès, Sarah Bernard. Pas 93 vitesh  erdhi edhe për ty “The End”. Duke menduar këngën e Jim Morrison-it, po me atë titull, mendova që fundi për ty  MARGARITA, është veçse fillimi i diçkaje të re dhe akoma të panjohur !

Me kanë pas pëlqyer jashtë mase ata sy të tu të ëmbël, të veshur me nostalgji, romantizëm, poezi dhe bukuri, por jo të çfarëdolloj bukurie. Jo, jo, ke pasur atë bukuri të jashtme fisnike dhe dinjitoze, do kisha thënë pak burrërore, mbi një karakter të vendosur, siç e kishte aktorja greko-arvanito-shqiptare Irena Papas dhe natyrisht e miksuar komplet në një harmoni të brendshme me botën tënde shpirtërore autentike dhe të pasur. Sepse, ti e ke ditur se çfarë do të thotë vlera apo anti-vlera, janë takuar tek ti, ajo bukuria e jashtme dhe e brëndshmja.

Më kujtohet që jemi njohur në vitet 90-të në Tiranë. E di që më ke vlerësuar shumë shpejt dhe me një siguri të plotë, si njeri dhe si poet, dhe po ashtu, unë ty, çka ishte më se evidente. Në vitin 1996, erdhe tek Hotel Rogneri, ku isha duke e promovuar një vepër timen me titullin :  “Ora e Meteorëve” me Edmond Tupen, Jusuf Vrionin, Ramadan Musliun dhe m’i interpretove gjatë një leximi artistik disa tekste. Ma ke ofruar po të njëjtin nder dhe privilegj në disa raste të tjera, te Muzeu Kombëtar, te Piramida, dhe tek Black Box, salla e Akademisë së Arteve. E di që veprat e mia të kanë frymëzuar dhe i ke lexuar dhe rilexuar ca herë.

Kemi ardhur për të takuar disa herë me kushëririn tim Isa dhe nënën time Xhevahire tek ajo kafja ku shkoje ti zakonisht afër banesës tënde. Çuditërisht, energjia jonë u gjend në harmoni të plotë dhe të ka befasuar personaliteti i nënës sime më shumë jashtëtokësore sesa tokësore. Në një takim tjetër, madje ia propozove ti vetë, sepse ishte kënaqësia e jote personale dhe rasti për të kaluar më shumë kohë me të, një rol kinematografik të një “nëne tradicionale malësore” në një film, të cilin e kishe në plan dhe insistove duke i thënë që do flasësh me regjisorin.

Tentova kot për ta inkurajuar nënën Xhevahire duke i thënë : “Shko, pranoje dhe mos hezito fare, pasi po ta propozon ndershmërisht dhe miqësisht MARGARITA, sepse atë rol e ke të lehtë, ngaqë do  interpretosh jetën tënde në realitet, siç e ke praktikuar çdoherë, dhe pos asaj, do kesh shansin për të kaluar pak kohë me mikeshën tënde! Ia vlen, provoje se është një eksperiencë e ré për ty !”. Por, ajo e refuzoi me politesë, duke thënë : “që unë jam e lidhur me Zotin, jam mistike dhe nuk jam për atë zanat … nuk është rruga e ime”.

Dikur me kohën, me moshën, me lodhjen fizike, nuk ke ardhur më në promovimet e mia, MARGARITA, por të kemi kujtuar dhe dashur gjithmonë, duke të konsideruar si një anëtare të familjes sonë njerëzore dhe poetike. Po, ishe një femër e bukur dhe e plotësuar me të gjitha parametrat, po ashtu një aktore, dhe një nënë … Sinqerisht, për sa i përket territorit tonë shqiptar, nuk ke pasur ndonjë arsye të madhe për t’u ankuar. Ndoshta kjo vlente për anën materiale, jo aq normale për statusin që kishe ti, në botën e artit tonë.

Por ky ishte fati i Margaretës në Shqipërinë delirante të Enver Hoxhës, kushëri i Stalinit dhe mik i botës anti-shqiptare, ndoshta një dadaist dhe surrealist politik avanguardist i shkencave politike ? Ha, ha, ha, ha … Duket komike, porse ishte në realitet tragjike për kombin tonë të anatemuar nga e gjithë Bota e qytetëruar, e cila na konsideronte si një anomali, si një kopsht zoologjik, ku po zhvillohen disa eksperimente atipike mbi Njeriun e ri Socialist, post Nieçean.

E di mirë, o MARGARITA, me gjithë atë talent që ke pasur, po të kishe  lindur italiane, franceze apo amerikane, do e kishe pasur një karrierë internacionale, një famë dhe një status krejt tjetër, ashtu siç e kishe merituar plotësisht. Mirëpo, kapaciteti ynë si shqiptarë ishte ky dhe jo më tepër. Po ta rikujtoj vetëm rastin e kolegut tënd, të cilin e kam njohur edhe unë personalisht në Prishtinë, në vitet 1976 – 80 dhe gjatë viteve 2000 – 2012, Bekim Fehmiun. Sa herë më është ankuar gjatë bisedave tona për propozimet dhe kushtet që ia ofronin shqiptarët, të cilat iu dukeshin qesharake dhe gati fyese. Po ashtu, kam vizituar apartamentin e  Nexhmije Pagarushës dhe e kam gjetur me cigare, whiskey në tavolinë dhe me 40 euro pension mujor, duke u ndihmuar vetëm nga familja e saj në emigracion. Ç’mund të shtojmë më shumë? E gjitha është kaq anti-njerëzore!

Mirëpo, ti e ke mbyllur këtë rrugëtim shqiptar për bukuri, e dashur MARGARITA dhe për ne do jesh gjithmonë një model, një shembull unik frymëzues dhe një ikonë e teatrit dhe e kinematografisë kombëtare.

Në gjithë vulgaritetin dhe banalitetin anti-kulturor, në këtë rikthim në primitivizëm, ku askush nuk vlerëson asgjë, por vetëm kalon si një personazh i një filmi vizatimor dhe nuk mban mend asgjë, ngaqë ka fituar spektakli i kotësisë së përditshme dhe amnezia globale, pastrimi i trurit, i mendimit dhe i analizës kritike, i dyshimit kartezian dhe  i pikëpyetjeve … Kemi nevojë për disa Mite dhe Legjenda, e dashur MARGARITA ! Po ia rikujtoj lexuesit, pasi që ta pinë një birrë belge Leffe, shoqëruar me pesë qofte dhe një byrek me gjizë, disa nga rolet dhe filmat e tu referencialë …. të cilët do i harroni me siguri për 10 sekonda, sa të fillojë Big Brother-i.

Mund të citoj : Hamletin – Mbretin Lear –  Romeo e Zhulietën – Rikardi i Tretë – Dhelpra dhe Rrushi – Xha Vanja –  Luiza Miller – Vdekja e një Komisari – Inspektori – Qeni i Kopshtarit – Elektra – Kush e solli Doruntinën –  etj … pastaj në disa filma sikurse: Tana- Vitet e para – Gjurmët – Dimri i fundit – Toka e Përgjakur – Një djalë dhe një vajzë – Apasionata – Gjenerali Gramafoni –  Koncerti në vitin 36 – Rrethi i Memories –  Vitët e pritjes – Dora e Ngrohtë – Gurët e shtëpisë Sime – Pranvera nuk erdhi vetëm –  E diela e fundit –  Ne dhe Lenini –  Lutjet e Dashurisë – I dashur Armik –  Mirupafshim – Bolero në vilën e Pleqve …

Kemi të gjithë nevojë për modele të bukura frymëzimi, shembuj autenticiteti, të cilët ta shtojnë besimin në vetvete dhe na bëjnë të shpresojmë që është e mundur t’ia kushtojmë jetën pasionit.  ARTI në realitet dhe në esencën e tij, na zbukuron, na përmirëson, na sensibilizon, na emocionon, na thellon dhe na mundëson një dialog me vetveten, duke i dhënë jetës sonë një kuptim, një interpretim, një mendim, një pikëpyetje, një hulumtim, një parfum, një ngjyrë, një tingull intim, origjinal dhe atipik …

Prandaj, të falënderoj edhe një herë, e dashur MARGARITA, për atë miqësi besnike që ke pasur me mua dhe me nënën time, atë dialog që kemi zhvilluar së bashku dhe ato kujtime që ia kemi ofruar njëri-tjetrit gjatë këtij rrugëtimi tokësor tepër të shkurtër.

Si regjisor i dështuar, të imagjinoj në filmin “Opening Night” të John Cassavetes, në vend të Gena Rowlands, nën kameran time personale … E doja artin e shtatë, por e mora penën si konpensim.

Nuk e di se ku gjendesh tani. Vetëm shpresoj që shpirti yt aq i bukur të ketë shkuar aty ku e ke imagjinuar apo ëndërruar ti vetë, MARGARITA.

Natyrisht, do jem përjetësisht me ty, se na lidh ajo miqësi dhe dashuri e pafundme mes nesh, këtu, atje dhe përtej …

RESPEKT TOTAL DHE PËRQAFIME, MY GREAT FRIEND MARGARITA XHEPA !

Skënder Sherifi

5 Prill 2025, Bruksel