Kandrra Logo Kandrra Botime
Librat Autorët Blog Rreth Nesh
Ky 8 Marsi ynë kaq hipokrit

Ky 8 Marsi ynë kaq hipokrit

7 mars 2025

Nga Sheila Rexho ©

 * Vëmendje: Ky postim përmban dicka të quajtur sarkazëm, ndaj nuk është i përshtatshëm për këdo

 Më kujtohet se që prej fëmijërisë nuk më ka pëlqyer rituali ynë tradicional çdo 8 Mars.

Me kujtohet dualizmi i pafajshëm, revolta dhe intimidimi fëminor, se nëse nuk do t’i dhuroja mamit lule, një kartolinë apo diçka simbolike  si gjithë të tjerët, do t’i privoja asaj kënaqësinë që të vlerësohej si gjithë gratë e tjera. 

Në fund të fundit nuk desha t’i bija askujt ne sy për të më stereotipizuar si “ndryshe”…

Nuk mund te mohoj as antipatinë ndaj drekave kolektive, me atë vallëzimin grua- grua apo më vonë me shthurrjen nëpër klube  nate ku striptistët e huaj i clironin prej epsheve gratë e pispillosura për festë…

Sepse është një ditë e veçantë, apo jo?! Dita që “ne femrat” duhet të zotohemi të shprehim ngazëllimin e të qënit grua, të marrim dozen fallse të vëmendjes, të gënjejmë veten me solidaritetin e rremë ndaj njëra tjetrës, thjesht për hir të një date historike. What a bullshit!

Kjo është e bukura e “mbështetjes” moderne: të thuash fjalët e duhura në momentin e duhur dhe pastaj t’i lësh ato t’i marrë lumi i mediave sociale, pa asnjë përpjekje reale për të ndryshuar diçka.

I gjithë ky”solidaritet” është një farë flluske, që pas 24 orësh, por si nje facebook/Instagram story do të zhduket, pa asnjë rezultat të prekshëm.

Kjo është ndoshta forma më e sofistikuar e hipokrizisë, në fund të fundit, 8 Marsi është një mundësi e shkëlqyer për të krijuar një iluzion kolektiv se po bëjmë diçka të veçantë, ndryshe për grate.

Po, po, komercialisht po behet diçka. Nesër ka ulje thuajse kudo, e nesër do të na bëjnë të ndihemi apriori të perkëdhelura, ndoshta do t’i kujtohemi dikujt se diku, dikur  mund ta kemi frymezuar, thjesht per hir të një date.

Tanimë, seriozisht ne kemi shumë arsye  për të qenë krenare. Gratë thuajse janë më të fuqizuara se burrat në shumë dimensione. Na janë besuar role në punë fitimprurëse që tradicionalisht dominoheshin prej tyre.

Madje, sipas Kay Hymowitz, autore e Manning Up, ia dolëm t’i kthejmë burrat në “para-të rritur”, të paarritshëm, të cilët e shpenzojnë kohën me video games ndërkohë që vrasin mendjen për të shpikur mënyra për shmangien e martesës dhe ndonjë kredie hipotekore. Për këtë duhet brohoritur.

Por ne gjithashtu kemi ende shumë për të bërë—, ne ende fitojmë më pak para mesatarisht se burrat, për kryerjen e së njëjtës punë dhe jemi ende goxha të nën-përfaqësuara në nivele ekzekutive korporatash apo dhe botës politike.

Të drejtat tona riprodhuese janë nën sulm të vazhdueshëm, seksizmi dhe standardi i dyfishtë vijojnë ende të bëjë kërdinë dhe gratë janë ende viktima të shtypjes në mbarë botën.

Nëse ngushëllohemi se zhurma e së nesermes kontribuon deri diku : Gezuar 8 Marsin, pra!