Shiu
25 maj 2024
Roberto Bolano
Përktheu: Sheila Rexho

Bie shi dhe ti thua, “ngjan sikur do të qajnë retë”.
Pastaj mbyll gojën dhe përshpejton hapat.
Po sikur këto re mjerane të vajtojnë njëmend?
E pamundur. Po atëherë, përse ky zemërim,
ky dëshpërim, që do të na çojë të gjithëve në djall?
Natyra i fsheh disa prej trilleve të veta në Mister, gjysmë-vëllain e saj.
Kësisoj, kjo mbrëmje
që do ta përngjasosh me mbrëmjen e fundit të botës,
do të të duket më shpejt nga sa pandeh,
veçse si një mbrëmje e trishtë,
një mbrëmje vetmie e humbur në kujtesën tënde porsi: pasqyra e Natyrës.
Ose ndoshta do e harrosh.
As shiu, as lotët, as hapat e tu
që jehojnë drejt humnerës,
s’kanë më kurrfarë rëndësie.
Tani mund të qash dhe ta lësh imazhin tënd të venitet,
ndër xhama makinash parkuar
buzë shëtitores.
Por ti, nuk mund të humbasësh.
Një Odë për Shtratin
Pablo Neruda
Përktheu: Sheila Rexho

Nga shtrati në shtrat në shtrat.
Është ky udhëtim,
rrugëtimi i jetës.
Ai që lind, i lënduari
dhe ai që vdes,
ai që dashuron dhe ai që ëndërron.
Ikën dhe erdhën ndër shtretër.
Ikim dhe vijmë
në këtë tren, në këtë anije, në këtë
lumë,
të përbashkët,
për secilën vdekje.
Toka është një shtrat
i lulëzuar nga dashuria, i ndotur nga gjaku,
shtrojat e qiellit
që djerren
duke shtjelluar
trupin e shtatorit dhe dëlirësinë e tij,
deti
kërcet
duke goditur
nga
kupola
e gjelbër
e
humnerës
dhe lëviz petka të bardha, petka të zeza.
O det, shtrat i tmerrshëm,
I luhatjes së përhershme
mes jetës dhe vdekjes,
i ajrit të hidhur dhe shkumës,
në gjirin tënd peshqit dremisin,
nata,
balenat,
hiri prehet në ty
i vorbullt dhe ujor
i meteorëve në agoni:
përpëlitu, det, me të gjithë
të fjeturit e tu,
ti ndërton dhe shkatërron
krevatin e pareshtur të ëndrrave.
Papritmas një rreze shfaqet
me dy sy prej luleje mos me harro mirëfilli
me një hundë fildishi a molle ndoshta,
të tregon shtegun
drejt shtrojave të mëndafshta
si banderola të çelëta zambakësh
ku rrëshqasim
drejt unitetit.
Pastaj
vjen në shtrat
vdekja me duart e saj të ndryshkura
dhe gjuhë me shije jodi
dhe ngre gishtin
e gjatë sa një rrugëtim
duke na treguar rërën,
derën e dhembjeve të fundit.