Kandrra Logo Kandrra Botime
Librat Autorët Blog Rreth Nesh
Një Udhëtim Letrar: Librat e jetës së Edmund White

Një Udhëtim Letrar: Librat e jetës së Edmund White

30 maj 2024

Përkthyer nga Sheila Rexho

Në këtë reflektim kaq personal, Edmund White, një nga figurat kryesore të letërsisë bashkëkohore, ndan me publikun librat që kanë ndikuar në jetën dhe mendimin e tij.

Duke filluar nga kujtimet e hershme të fëmijërisë në Miçigan deri te zbulimet letrare që e frymëzuan si shkrimtar, White na jep një vështrim tejet frymëzues mbi ndikimin psikologjik të leximit në formimin e identitetit dhe krijimtarisë së tij.

Përmes këtij rrëfimi, autori përcjell këndvështrimin e tij unik mbi mënyrat se si libri i duhur mund të formësojë jetën e një individi dhe të krijojë një lidhje të përjetshme me artin e fjalës.

Kujtimi më i hershëm nga leximi

Kur isha katër ose pesë vjeç, kishim një vilë në Miçigan dhe pronarët e mëparshëm kishin lënë aty disa libra. Isha tejet i fiksuar pas një libri për fëmijë, i cili fliste për një zonjë bretkosë me një kapele të madhe prej basme dhe një temperament të keq.

Libri im i preferuar gjate rritjes

Një libër të ilustruar që gjeta në bibliotekën publike të shkollës fillore, mbi historinë amerikane.

Isha nëntë vjeç dhe ndodhesha në Evanston, Illinois. Gjithçka që mund të kujtoj është një pjesë mbi Benjamin Franklin në Filadelfia që, “çuditërisht”, nuk ishte një Kuaker: “Miku më i mirë në Qytetin e Miqve nuk ishte fare një Mik.” Ishte një libër në format të madh me kopertinë të plastifikuar. Më pëlqente sepse ishte i shkruar në një mënyrë shumë inteligjente dhe më ofronte subjekte që nxisnin biseda. 

Libri që më ndryshoi gjatë adoleshencës

Isha 12 vjeç kur lexova “The Catcher in the Rye”. Ai dhe filmi “Rebel Without a Cause”, të cilin e pashë kur isha 15 vjeç, ishin veprat e para të artit që më flisnin në gjuhën time.

Që të dy ishin “rebelues” pa qenë aspak politikë dhe që i përshtateshin një adoleshenti të asaj kohe.

Shkrimtari që më ndryshoi mendjen

Kur isha 16 vjeç dhe një djalosh tejet epshor homoseksual, i mbarsur nga një ndjenjë faji, lexova “Vdekja në Venecia” nga Thomas Mann, e cila më ngazëlleu sepse trajtonte dëshirën e paplotësuar homoseksuale, e që më dukej e drejtë.

Asokohe isha duke u psiko-analizuar, me shpresën se mos bëhesha heteroseksual.

E lexova atë buzë liqenit Walloon në Miçigan i rrethuar nga pisha që më shihnin çuditshëm.

Libri që më bëri të dua të jem shkrimtar

Kur isha 17 vjeç në shkollën time të mesme në Midwest, shkrova një ese mbi Proust-in.

Kisha një teori timen: se gënjeshtra homoseksuale, në të cilën një person “heteroseksualizon” përvojat e tij duke i shndërruar dashnorët në vajza (strategjia e ashtuquajtur Albertine), është një hap vendimtar në zhvillimin e romancierit (që do të shpjegonte pse ka kaq shumë shkrimtarë të mëdhenj homoseksualë). Të rishpikësh përvojat e tua dhe te ushqesh versionin tënd të ri me detaje bindëse dhe t’i bësh të gjitha ato zëvendësime të qëndrueshme (dhe për më tepër t’i mbash mend ato) është tashmë hapi i parë i madh në krijim, siç bëri Proust, për një autofiksion të nivelit të lartë. Sigurisht, ajo teori ishte (dhe ende është) shumë vetë-shërbyese.

Autori të cilit i jam rikthyer

Kam lexuar Proust disa herë në jetën time. Si adoleshent isha në thelb duke “bërë sikur”, vetëm lexoja një pjesë të tij, pretendoja se mund të lexoja frëngjisht, nxirrja përfundime të gabuara prej tij (është një kritikë dërrmuese ndaj snobizmit, por të lexoja atë më bëri edhe më snob). Në fund të 20-ave, e lexova Proust-in me një grup miqsh nga Nju Jorku dhe nxorëm mësime jetësore prej tij dhe gjithashtu gjetëm të njohurit tanë në personazhet e tij. Më në fund shkrova një biografi të shkurtër të Proust-it në Paris në vitin 1998, viti im i fundit (nga 16) i të jetuarit në Francë. Këtë herë e lexova Proust-in për herë të parë në frëngjisht.

Libri që e rilexoj

“Nothing” nga Henry Green. E lexova së pari si një 11-vjeçar në Evanston pasi zbulova librat e Green në raftet e hapura të bibliotekës publike.

Më pëlqente pamja e tyre dhe ajo që mendoja se ishte thjeshtësia e stilit të tyre. Tani e lexoj çdo dy vjet si një plak. Më bën të shkrihem nga e qeshura. Flet për dashurinë në moshën e mesme të vonë, egoizmin e qetë, rindezjen e pasioneve të vjetra, manovrimin e fshehtë midis të rriturve të privilegjuar – një thesar i dialogut të mprehtë dhe intriga të mbrapshta që çojnë në një kënaqësi të plotë.

Libri që nuk mund ta lexoj më kurrë

Kam një grup leximi prej dy vetash me romancierin Yiyun Li. Sugerova që të lexonim “Vile Bodies” të Evelyn Waugh, të cilin e kisha lexuar kur isha student dhe mendoja se ishte jashtëzakonisht i sofistikuar. Kur e tentuam një vit më parë, mendova se ishte antisemit (At Rothschild!), i rëndë dhe aspak për të qeshur.

Libri që zbulova më vonë në jetë

“Edukimi i ndjenjave” nga Flaubert. E kisha “lexuar” atë në të 20-at e mia në një mënyrë të pakujdesshme, pa e kuptuar, por tani i doja skenat shoqërore pariziane, përdorimin e pandërprerë të historisë, progresionin e “efektit”, cinizmin mbi dashurinë romantike.

Mund të kuptoja përse Ford Madox Ford e kishte memorizuar atë tërësisht dhe pse ai dhe Conrad e studionin atë me aq përkushtim.

Libri që po lexoj aktualisht

“Kujtimet e Konteshës de Boigne”, mbi regjimin e vjetër, revolucionin, Napoleonin, restaurimin, rënien e burbonëve në 1830, etj. Si një zonjë pariziane që di gjithçka për jetën e oborrit (burbone, napoleonike dhe orleaniste), që është një vëzhguese e shkëlqyer dhe ka një kujtesë prej historiani dhe një shije për detajet e thashethemeve, ajo është dëshmitarja perfekte e një momenti kaotik. Tani e lexoj midis mesnatës dhe orës dy të mëngjesit.

Leximi im ngushëllues

Në shtëpi, në vetminë time, leximi është ngushëllimi im kryesor.

Leximi im ngushëllues janë letrat e Lord Chesterfield drejtuar djalit të tij të jashtëligjshëm, një budalla të cilin ai po përpiqej ta kthente në një zotëri me një mori këshillash të dobishme.

Është i vetmi libër i huaj i manierave që francezët menduan se ia vlente të lexohej.

Ndër të tjera, është një relike e një epoke kur njerëzit e arsimuar flisnin gjermanisht, frëngjisht, italisht dhe anglisht si dhe njihnin latinishten dhe greqishten e lashtë.