Gjak Hëne
23 maj 2024
Maklena Nika ©
Nga libri “NITROGLICERINË”, Botimet Toena 2023

edhe hëna ka gjak
të përmujorshme hënore
sa bëhet e plotë
si femër kokete
dhe të imponohet me tërësinë femërore
hëna është femër
derdh mbi tokë lëngun magjik të orgazmës me vetveten
që neutralizon të gjithë (pseudo)lëngjet mashkullore
kur bëhet e plotë
i ngrin në kohë gjithë speciet mashkullore
që nuk e kuptojnë shndritjen e saj nga aq larg dhe afër
shndritjen e gjakut që rrjedh si një masë viskoze dhe mbush krateret e saj
dhe mbulon spermën e tyre të përhënur
kur bëhet e plotë
përmbyt peniset e tyre me butësi
me prekje hënore
sa i kthen në krimba të vegjël që zvarriten në gjakun e saj
pamje makabre hënore
(nuk e kuptojnë të gjithë, madje edhe qeshin me ironi me këtë vërshim viskoz vezësh)
që të mpiks edhe gjakun tënd të shëndetshëm (sipas analizave të fundit laboratorike)
të pyesin: çfarë po ndodh, me gjak hënë në buzë
si të përgjigjesh e përgjakur përballë gjakosjes së gishtave të tyre
që enden si të lodhur në vaginën tënde
(verën e pimë në gota të kristalta mbretërore)
verën e shohim të derdhet nga gotat e rrumbullakta si hënë e plotë janari
i mbushim plot
me hinka hapësinore
e ndiejmë të na rrëshkasë në gishtërinj dhe në gjuhë të mpirë nga loja
e pijmë në gojë të përgjakur nga të përmujorshmet hënore
gjak hëne
gjak femëror
megjithatë, shumë i bardhë më dukesh
në të kuqen time
(formula e gjakut tim ka shumë eritrocite)