Kronika nga Vrimat e Zeza
21 maj 2024
Artur Baku ©
Nju Jork, ora 07:30, e mërkurë 10 maj 1978.
Çdo mëngjes merrte metronë në stacionin “Rockawy Beach” për në “Colombus Circle”. Rrugës për punë shfletonte titujt e gazetës “New York Times”.
1. Kryelajmi i ditës:
“Europianët kryejnë homazhe për Kryeministrin Aldo Moro. Thirrje për mbrojtjen e demokracisë. Ngjarja vazhdon të jetë e mbuluar me mister. Një skuadër speciale…”
Pasi lexoi faqet e para, kaloi te rubrika me tematikë sociale.
2. Reportazh social:
“Në zyrat e punës së qytetit të Nju Jorkut figurojnë rreth 4 mijë të papunë. Ky është numri më i ulët i papunësisë për dhjetë vjetët e fundit….”
E la përgjysmë lajmin me tematikë sociale. Kaloi në faqet e mesit, te kultura dhe shkenca.
3.Të reja nga shkenca:
“Sipas një studimi të fundit të Universitetit të Harvardit, vrimat e zeza janë korridore nga ku mund të dilet në një dimension tjetër kohe dhe hapësire. Brenda vrimave të zeza koha dhe hapësira janë një…”.
Tiranë, ora 05:30, e premte 12 maj 1978.
Pasi lexoi kryelajmin e ditës dhe rubrikën “Punët e ditës në bujqësi”, kaloi te rubrika:
1. Lajme nga bota:
“Katër mijë të papunë në Nju Jork… Kjo nuk është thjesht krizë e një shteti. Në thelb është krizë e vetë sistemit kapitalist. Numri i lartë i papunësisë është treguesi më i mirë i pasigurisë në botën perëndimore….”.
Athinë, ora 07:30, e premte 12 maj 1978.
Pasi lexoi lajmet e ditës nga politika dhe kronika, kaloi te rubrika me tematikë sociale.
1. Sociale nga bota:
“Pritet bum turistësh amerikanë në Greqi! Sipas gazetës “New York Times”, qyteti i Nju Jorkut ka pasur rritje ekonomike dyshifrore. Papunësia është në nivelin më të ulët që pas depresionit të madh. Vetëm 4 mijë të papunë në qytetin e mbi 16 milionë banorëve. I njëjti trend është në të gjitha shtetet. Këtë verë pritet të ketë bum turistësh amerikanë në vendin tonë…”
Romë, ora 07:30, e premte 12 maj 1978.
1. Kryelajmi i ditës:
“Një skuadër e FBI-së për zbulimin e celulës terroriste që ekzekutoi Kryeministrin Moro! Sipas gazetës “New York Times”, një skuadër e specializuar e FBI-së ka ditë që po asiston agjencitë tona ligjzbatuesepër zbardhjen e ekzekutimit të Kryeministrit…”.
Nju Jork, ora 08:30, e mërkurë 10 maj 1978.
Zbriti në “Colombus Circle” dhe vazhdoi të ecte përgjatë korridorit të platformës derisa mbërriti te shkallët elektrike. Në mendje i sillej artikulli i Universitetit të Harvardit për vrimat e zeza: “Janë korridore nga ku mund të dilet në një dimension tjetër…”.
Mori shkallët elektrike dhe pas pak sekondash iu shfaq drita që derdhej nga çeltina e daljes lindore të stacionit të metrosë. Doli jashtë me gjithë atë luzmë njerëzore që lëvizte për kah drita. Rruga ishte e zbukuruar me flamuj të kuq. Çdo flamur kishte të dizajnuar në sfond kokat e bardha të katër klasikëve të marksizmit.
– O Perëndi, ku jam kështu?! – tha me vete.
Altoparlantët gumëzhinin nga muzika festive: “Është lufta finale vendimtare mbi dhe…”. Nuk i besohej!
– Jo, jam nën efektin e kontrasteve të dritës… Sapo kam lënë botën e nëndheshme. Dalja në dritë krijon halucinacione, – mendoi.
Vazhdoi të ecte. Dikush e thirri:
– Astinomia parakalo!
Ktheu kokën djathtas, andej nga i erdhi zëri. Pas tij qëndronte një burrë me rroba civile, i cili tregoi menjëherë dokumentin policor.
– I huaj je? – e pyeti agjenti i policisë.
– Po, – u përgjigj.
– Dokumentin e identifikimit.
Nga i xhepi i pasmë i pantallonave nxori pasaportën dhe ia dorëzoi menjëherë. Në faqen e dytë pas gjeneraliteteve ishte vulosur një vizë njëvjeçare lëshuar nga ambasada e Republikës së Greqisë në Tiranë.
– Më falni, zotëri, ku më njohët që jam i huaj? Nuk e kam të shkruar në ballë!
Agjenti i ktheu pasaportën duke i thënë:
– Gjithçka në rregull.
– O Perëndi, qenka e vërtetë! Korridori i Harvardit! Jam zhvendosur në kohë… Jo, efekti ilaçeve… Harvardi… Vrima e zezë…
U kujtua se nuk kishte pirë ilaçin antipsikotik. Vazhdoi rrugën, iu bë se dëgjoi një muzikë të njohur. Duke iu afruar semaforit të kryqëzimit, muzika dëgjohej më me zhurmë. U ndez e kuqja. Zhurma muzikore vinte nga brenda një hummer-i të zi, i cili ishte ndalur në semafor. Dy djem rreth të 20-tave kishin ulur xhamat e parë. Volumi i muzikës iu përplas në fytyrë si korrent ajri:
“Ku po shkon, more Çun Mula
Prej Kelmendit o tash u ula.
Nuk jam burrë o me u koritë
Jam Çun Mula o pushkë me qitë…”.
Kaloi në anën tjetër të rrugës. Para tij u shfaq një grup njerëzish, të cilët ishin tubuar në formë rrethore rrëzë një institucioni. Duke u afruar, turma zgjerohej, bëhej më elektrizuese. Kur iu afrua asaj që quhet “ngjarje në horizont”, ndjeu energjinë e një force misterioze sikur dikush po e kapte për krahu dhe po e tërhiqte për kah qendra e atij rrethi njerëzor. Vala e shpërthimeve zanore ndryshonte në varësi të thirrjeve që hidheshin në turmë:
“Të gjitha votat për Frontin Demokratik! Rroftë Kina Popullore! Amerika është me ne! Liri-Demokraci! Poshtë komunizmi! Duam paret tona! Policia është me ne! Make America Great Again! Të hapen dosjet! Të hapen negociatat! Referendum! Primare! NATO! Livin’ La Vida Loca! ….!!!…..!!!….!!!”
Pa e kuptuar, si ata trupat qiellorë që bien në gravitetin e vrimave të zeza, e pa veten brenda asaj turme amorfe, asaj lënde të paformë që nuk e dinte se ku do ta nxirrte, që e tërhiqte drejt thellomës kryengulthi…

