Kandrra Logo Kandrra Botime
Librat Autorët Blog Rreth Nesh
SEFARAD (ספרד – סלוניקי)

SEFARAD (ספרד – סלוניקי)

26 mars 2026

Nga Darío de Dios ©

Përktheu Elvi Sidheri ©

Hebrenj sefarditë në Selanik

 

Arrita pasdite, në qytetin e Selanikut, në veri të Greqisë, nga Stambolli.

U gjenda në një vend fort të pakëndshëm, ndonëse linja e udhëtimeve kishte shërbim furgonësh që të shpinin deri në qendër të qytetit falas. 

Kisha ardhur të qëmtoja Sefaradin tim vetjak… që nuk është gjë tjetër veç emrit të dikurshëm të Spanjës në hebraishten mesjetare. Erdha se isha akoma peng i kujtesës.

Mbretëresha Izabel Katolikja, i pati përzënë hebrenjtë spanjollë dhe arabët nga Spanja, në vitin 1492. 

Gjyshi im quhej Samuel, dhe si reminishenca jetësh të shkuara, gjithmonë kisha parandier mëdyshjen se ndoshta familja ime nga dega atërore, prirej nga Ylli i Davidit.

Mbiemrat spanjollë si: “De Dios”, “De Jesús”, “De la Iglesia”, dikur mbivendoseshin nga klerikët, kur pagëzoheshin bonjakët. 

Si do kish tingëlluar vallë më parë, mbiemri im, pra?

E qartë që nuk mund të gërmoj mes degëve 500 vjeçare të familjes time, ndonëse rrëqethja e trupit tim, mund të sintonizojë origjina të moçme.

Mos vallë ndonjëherë pata qenë hebre dhe unë, në ndonjë kuptim të ndryshëm nga ai i përcaktuari prej Sartrit? Mos qeshë vallë pasardhës i hebrenjve sefarditë të përzënë nga Spanja dhe të hapërdarë anembanë Mesdheut me epiqendër Turqinë, Selanikun dhe krejt Ballkanin?

Po gjurmoja mërgatën më të madhe të hebrenjve, sepse në Selanik kish pasur më shumë hebrenj se popuj të tjerë. Thuhej të kenë qenë rreth 50 mijë e unë pata ardhur gjer këtu duke gjurmuar një komunitet të vockël që siç tregohet, këndonin këngë në gjuhën ladine. Plot vargje hebraishte, arabe e kastiljane, që i kushtoheshin veç lavdisë së Spanjës mesjetare.

Bridhja në brigjet e Detit Egje, në drejtim të Kullës së Bardhë dhe nuk arrija të shquaja asnjë sinagogë, por veç ndonjë muze të epokës bizantine, agoratë, amfiteatrot dhe kishat ortodokse kudoqofshin.

Xhamitë kishin mbetur prapa në kufirin me Turqinë, e gjithaq nuk gjendeshin gjurmë të mërgatës hebraike. Të përndjekur gjatë shekujve të inkuizicionit, kish qenë Hitleri që u pati dhënë dërrmën gjurmëve të fundme të këtij populli, e tashmë nuk mbetej në këmbë as kinemaja e këtij qyteti dikur të pasur e kozmopolit, e ndodhur në lagjen e Ladadikas. Gjithçka të lë një përshtypje melankolike e cazë të ëmbël me tepri. Sepse këta njerëz nuk kishin braktisur veç Spanjën, por edhe Greqinë, Rumaninë, Bullgarinë, Turqinë apo Marokun. Kujtesa më bëhet e koklavitur, copëza, shkëndija pamjesh. Kisha një fije kujtimi të hotelit, që ndodhej në rrugën Tsimiski, që dilte drejtpërdrejt në sheshin Aristoteli, por emri i hotelit fare ndërmend s’më bie tashmë.

Ndoshta më është tretur perceptimi prej dervishi, kabalaja e një populli të mërguar. Më është përtharë filozofia, matematika, mjekësia, astronomia e gjithaq poezia sefardite. Tanimë ndodhem në tarracën e një bari të lagjes Ladadika, tek dëgjoj këngën e hebreut Robert Zimmerman (Bob Dylan) që thotë: “Përgjigja përçohet me shkulmin e erës”… Ndërsa përgjigja ime vjen e përçuar përmes puhizës nga porti buzë Egjeut dhe më thotë: “Trashëgimia jote atërore, Sefaradi yt vetjak, pati humbur qysh në Spanjë… në ndonjë muaj të vitit 1492”.

Përktheu në nder të rrënjëve të veta të largëta selanikase nga spanjishtja në shqip:

Elvi Sidheri

 

Shkruar në nder të rrënjëve të tij të largëta sefardite nga Selaniku, nga Darío de Dios, Argjentinë.