Kandrra Logo Kandrra Botime
Librat Autorët Blog Rreth Nesh
Nadja si Fiksion

Nadja si Fiksion

29 janar 2026

Mario Vargas Llosa

Përktheu Maklena Nika ©

Mario Vargas Llosa

Surrealizmi, dhe André Breton-i në veçanti, nuk kishin ndonjë konsideratë të madhe për romanin: për ta ishte një lloj letrar pa imagjinatë, borgjez, tepër i nënshtruar ndaj jetës reale, shoqërisë, historisë, racionalitetit dhe mendimit të përbashkët që të mund të shprehte, ashtu si poezia – lloji i parapëlqyer i lëvizjes – të mrekullueshmen e përditshme, e që përqeshte rendin logjik apo rrëmonte në skutat më të fshehta të ëndrrës dhe në botën e të pandërgjegjshmes. Në Manifestin Surrealist, përshkrimi – i cili është i pandarë nga rrëfimi – konsiderohet qesharak, si një qëllim i pamundur dhe një kërkim i rëndomtë. Asnjë surrealist i vërtetë nuk do ta kishte shkruar një tekst duke e nisur atë, si fillojnë të gjithë romanet, me fjali aq banale, të urryera edhe nga vetë Valéry: “Markeza doli në orën pesë”.

Të vetmit romanë që toleroi Bréton-i dhe që madje i lëvdoi si libra hermafroditë, të cilët luhateshin mes prozës dhe poezisë, ndërmjet realitetit të vërtetë dhe atij vegimtar, me një rregull të mrekullueshëm, ishin “Aurelia” e Gérard de Nerval-it, “Fshatari nga Parisi” i Louis Aragon-it, apo romanet e Julien Gracq-ut. Simpatia që kishte për romanin gotik anglez apo “Tropikët” e Henry Miller-it, nënvizonte ngaherë natyrën ekscentrike, të pabindur në mënyrë të pandërgjegjshme apo të padisiplinuar të këtyre veprave, dhe  kufizimin e tij në respekt “të formës dhe përmbajtjes, të asaj që zakonisht konsiderohet që është terreni i romanit”. Megjithatë, me kalimin e kohës idetë e rrepta që i ndajnë llojet e ndryshme letrare, ndryshuan kur Surrealizmi u shfaq në skenë në vitet 1920, dhe në ditët e sotme, pas më shumë se një shekulli pas lindjes së Bréton-it, në përpjekje për të qartësuar kufijtë ndërmjet poezisë dhe prozës, do të ndesheshim me disa vështirësi. Pasi Roland Barthes-i shpalli vdekjen e autorit, Foucault-i zbuloi se ai njeri nuk ekziston; Derrida dhe dekonstruksionistët ngritën idenë se madje as jeta nuk ekziston, të paktën në letërsi; për letërsinë, ky përrua i trallisur i fjalëve, është një realitet autonom dhe i qartë, në të cilin tekstet u referohen teksteve të tjerë dhe mbivendosin, zëvendësojnë, ndryshojnë dhe qartësojnë apo errësojnë njëri-tjetrin pa asnjë lidhje me jetën e jetuar dhe dykëmbëshat me mish e me gjak – të cilët, në këto rrethana, a do të kishin kurajën të ruanin poezinë dhe “romanin” si dy entitete supreme, ashtu siç bënë dikur André Breton-i dhe miqtë e tij? 

Me të gjithë respektin që ruaj brenda vetes për një poet dhe për një lëvizje që i zbulova në moshën e adoleshencës – falë një poeti surrealist, César Moro-së – të cilin e lexova me entuziazëm dhe që pa dyshim ka pasur në formimin tim si shkrimtar një ndikim të madh (edhe pse në pamje të parë nuk do të dukej kështu), më duhet të them se jam i mendimit që me kalimin e kohës surrealizmi është shkatërrruar si nga aspekti historik ashtu edhe ai kulturor, fakt i cili do ta kishte mërzitur jashtëzakonisht André Breton-in. Që do të thotë se është shndërruar në një lëvizje letrare kuintensence, ashpërsia verbale e së cilës, spektaklet provokative, loja e fjalës, mbrojtja e së magjishmes dhe e së paarsyeshmes, kërkimi i automatizmit verbal dhe përbuzja për “letraren”, shfaqin në ditët e sotme aspekte jo dramatike, të zbutura dhe jo ndërluftuese, pa fuqinë më të vogël për të ndryshuar zakone, moralitet apo histori, në gjirin e një grupi artistësh dhe poetësh, merita udhërrëfyese e të cilëve shtrihet në aftësinë e tyre për të shkaktuar turbullirë në fushën intelektuale, duke e shkundur atë nga amullia akademike dhe duke paraqitur forma të reja, teknika të reja dhe tema të reja – një përdorim të ndryshëm të fjalës dhe imazhit – në artet vizuale dhe në letërsi.

Në ditët e sotme idetë e Bréton-it duken më afër poezisë sesa filozofisë, te të cilat admirojmë, përveç lojërave të fjalëve dhe fjalorit të stërholluar, qëndrimin moral që i karakterizon, atë koherencë ndërmjet të folurit, të shkruarit dhe veprimit që Bréton-i kërkonte te ndjekësit e tij me të njëjtën ashpërsi dhe fanatizëm që e zbatoi te vetja. Kjo koherencë është pa dyshim për t’u admiruar; nuk mund të thuhet e njëjta gjë për papajtueshmërinë e treguar ndaj atyre që nuk e pranuan zbatimin e parimeve ndryshuese të lëvizjes dhe të cilët u trajtuan si tradhtarë apo si të pabesë apo u goditën si Farisej. 

E gjithë kjo trazirë përdhune, urdhërash dhe vërejtjesh therëse i përket tashmë së kaluarës. Çfarë ka mbetur prej tyre? Për mua, përveç një koleksioni të pasur anekdotash, një shtrëngate në një gotë me ujë, një utopie të bukur, që realizohet dhe nuk realizohet kurrë – gjëra këto që ndryshojnë jetën dhe ngrenë në piedestal lirinë e plotë të njeriut nëpërmjet armëve të mprehta të poezisë – janë disa poezi të bukura – më e bukura prej tyre është “Odë për Charles Fourier” – një antologji e humorit të zi, një ese “shumë përkrahëse” por tërheqëse kushtuar surrealizmit dhe pikturës, dhe, mbi të gjitha, një roman delikat, shumë origjinal për dashurinë: Nadja. 

Ndonëse përkufizimet më shpesh pështjellojnë sesa ndriçojnë, romanin do ta përkufizoja si atë lëmë fiksioni që ndërton, me imagjinatë dhe fjalë, një realitet të trilluar, një botë të veçuar që, ndonëse e merr frymëzimin nga realiteti dhe bota e vërtetë, nuk i reflekton ato, por më tepër i zëvendëson dhe i mohon. Origjinaliteti i çdo fiksioni shtrihet  – ndonëse kjo mund të duket një tautologji – në të qenët imagjinar, që do të thotë se nuk i përngjan botës në të cilën jetojmë dhe, pikërisht sepse nuk ekziston, është diçka për të cilën thurim ëndrra dhe dëshira. 

Nëse ky është një fiksion, atëherë “Nadja” është ilustrimi më i mirë që mund të ekzistojë. Historia që rrëfehet nuk i përket kësaj bote, edhe pse pretendon se i përket, siç ndodh në të gjithë romanet e mirë, fuqitë bindëse të të cilëve na kanë konsideruar ngaherë si të vërtetë objektive, dhe atë që është e dukshme një vegulli, megjithëse bota që përshkruan – po, që përshkruan, ndonëse në çdo roman përshkrimi është sinonimik me fiksionin – duket, nëpërmjet një morie referencash shumë të sakta, se është Parisi i shekullit të njëzetë, me një mori rrugësh, sheshesh, statujash, parqesh, pyjesh dhe “cafés” të rikrijuara si një sfond për veprimin, dhe madje i ilustruar me fotografi të bukura.

Nadja, Kandrra Botime 2025

Historia nuk mund të jetë kaq e thjeshtë. Rrëfyesi, i cili rrëfen historinë si protagonist i saj, takon rastësisht në një café një karakter femëror, Nadjan, një grua e çuditshme, ëndërrimtare e cila duket se është pjesë e një bote vetjake imagjinate dhe tmerri, në kufi të arsyes dhe marrëzisë, e cila që në momentin e parë e magjeps tërësisht. Ndërmjet tyre krijohet një marrëdhënie intime, të cilën do ta përshkruanim më tepër si sentimentale sesa erotike apo seksuale, në bazë të takimeve të rastësishme ose të planifikuara (rrëfyesi do të donte që ne t’i quanim magjike) të cilat, gjatë atyre pak muajve që zgjatën – nga tetori deri në dhjetor 1926 – hapin për rrëfyesin dyert drejt një bote misterioze dhe të paparashikueshme, shumë të pasur shpirtërore, që nuk udhëhiqet nga ligjet fizike apo skemat racionale, por më tepër nga ato forca të mugëta, magjepsëse dhe të papërcaktueshme që ne përmendëm – që rrëfyesi i përmend shumë shpesh – “kur flasim për të mrekullueshmen, për të magjishmen apo për poezinë”. Lidhja e tyre mbaron aq çuditshëm sa nisi, dhe gjëja e fundit që dëgjojmë për Nadjan është se ajo ndodhet në një azil psikiatrik, sepse e kanë konsideruar të marrë, diçka që dëshpëron dhe irriton rrëfyesin, i cili i urren psikiatritë dhe azilet. Atë që shoqëria e quan marrëzi – të paktën në rastin e Nadjas – si një formë të skajshme të revoltës, një mënyrë heroike të ushtrimit të lirisë. 

Pa dyshim, kjo është një histori thellësisht romantike falë natyrës së saj poetike, individualizmit të skajshëm antishoqëror dhe fundit të saj tragjik, dhe dikush mund ta konsideronte përmendjen e Victor Hugo-it dhe të Juliette Drouet në faqet e para të romanit si një shenjë të mbarë, paralajmëruese të asaj që do të ndodhë në vijim. Nga ato historitë e tjera ekstreme të dashurisë së pamundur dhe çifteve të rrënuar nga një Orë e paepur kur shfaqet ndjeshmëria romantike, “Nadja-n” nuk e dallon fabula, por më tepër proza elegante, vezulluese e Bréton-it, me ritmin e ndërlikuar dhe metaforat e tij të pazakonta, dhe akoma më tepër origjinaliteti i strukturës së tij, mënyra guximtare brenda së cilës ai organizon kronologjinë e tij dhe planet e ndryshme të realitetit brenda të cilëve rrëfehet historia. “Sigurisht, është e rëndësishme të theksohet që karakteri kryesor në këtë histori – heroi, në terminologjinë romantike – nuk është heroi me emrin Nadja, por personi i cili e shkakton dhe rrëfen historinë, atë prani trallisëse që nuk i shqitet syve apo mendjes së lexuesit as për një sekondë të vetme: rrëfyesi. I dukshëm apo i padukshëm, një dëshmitar apo një protagonist që rrëfen së brendshmi rrëfimin, apo një Perëndi e plotfuqishme që komandon dhe zhvillon veprimin, rrëfyesi është ngaherë karakteri më i rëndësishëm në çdo fiksion dhe është ngaherë një shpikje, një fiksion, madje edhe në ato raste si Nadja, ku autori i romanit deklaron se është fshehur nën lëkurën e rrëfyesit. Kjo nuk ndodh kurrë. Ndërmjet autorit dhe rrëfyesit të një romani ekziston ngaherë zbrazëtia e pakapërcyeshme që ndan realitetin objektiv nga imagjinata, fjalët nga veprimet dhe vdekatarin me mish e me gjak nga ngjashmëria verbale”.

Të vetëdijshëm ose jo, e bëjnë me paramendim apo me intuitë të thjeshtë, autorët e romaneve ngaherë e shpikin rrëfyesin, edhe nëse mund t’u shtojnë emrin e tyre apo të përfshijnë ngjarje nga “biografia e tyre”. Rrëfyesi i shpikur nga Bréton-i për të rrëfyer historinë e Nadjas, të cilën e përngjasoi me veten e tij, ka nuanca të pastra romantike në vetadhurimin e tij, atë narcizëm që e çon, gjatë gjithë kohës së rrëfimit, ta vërë veten e tij në qendër të veprimit, të përthyejë vetveten nëpërmjet veprimit, dhe veprimin nëpërmjet vetvetes, në mënyrë që historia e Nadjas të jetë në të vërtetë historia e Nadjas e filtruar nëpërmjet rrëfyesit, e reflektuar në pasqyrën e shtrëmbëruar të personalitetit të tij therës. Rrëfyesi i Nadjas, si rrëfyesi i “Të Mjerëve” apo “Tre muskëtierëve”, zbulon vetveten ndërsa zbulon historinë. Prandaj, nuk është për t’u habitur se që në faqet e para, ai pranon interesin e tij të vogël për Flaubert-in, i cili, le ta kujtojmë, ishte kundër subjektivitetit rrëfimtar dhe kërkoi që romani të kishte pamjen e papërcaktimit. Kjo do të thotë se ai pretendonte të ishte një histori e vetëmjaftueshme (në realitet e rrëfyer nga rrëfyes të padukshëm).

Nadja është tërësisht diçka e kundërt: një histori thuajse e padukshme, e rrëfyer nga një subjektivitet i shfrenuar, i cili është paturpësisht i dukshëm. Në histori ka shumë ngjarje, pa dyshim, por ajo që është më e rëndësishmja nuk është ajo që mund të përmblidhet kokretisht: “veprimet e heroinës, rastësitë e rralla që e sjellin çiftin së bashku apo që e ndajnë, bisedat e tyre të mistershme, nga të cilat kemi vetëm copëza, apo referencat për vendet, librat, pikturat, shkrimtarët apo piktorët, që rrëfyesi finok përdor për të modeluar veprimin. Ajo që ka rëndësi është një tjetër realitet, i ndryshëm nga realiteti që një suazë i ofron asaj çka ndodh në roman, që nis të shfaqet me delikatesë, thuajse tërthorazi, në disa fjalë të hedhura nëpër biseda, në vizatimet e Nadjas të mbushura përplot me simbole dhe alegori, të vështira për t’u interpretuar, dhe në parandjenjat e befta apo në intuitën e rrëfyesit, i cili në këtë mënyrë arrin të ndajë me ne sigurinë e tij se jeta e vërtetë, realiteti gjenial fshihen pas realitetit që ne jetojmë në mënyrë të ndërgjegjshme, fshihen nga ne pas rutinës, idiotësisë, përshtatjes dhe çdo gjëje që ai nënvlerëson apo përçmon – racionalitet, rend shoqëror, institucione publike – dhe vetëm njerëzit e lirë, që ndodhen jashtë asaj që Rubén Dario e quante “kopeja e dendur komunale e përbashkët” mund të penetrojnë në të. Magjepsja që Nadja shfaqet mbi të, dhe atë qëna transmeton, pikërisht falë faktit se ajo shfaqet si një e ftuar në botën tonë, si dikush që vjen nga një tjetër realitet (dhe që nuk është larguar krejt), i panjohur dhe i padukshëm, që mund të vështrohet sa hap e mbyll sytë në parandjenja nga njerëz me ndjeshmëri të veçantë si rrëfyesi, mund të përshkruhen vetëm nëpërmjet asosacioneve apo metaforave, duke iu përafruar koncepteve të tilla si “E Mrekullueshmja” dhe “Imagjinarja”.

Ku mund të gjendet ky realitet i padukshëm, kjo jetë përplot me poezi të pastër, pa asnjë element prozaik? Me çfarë ngjan? A ekziston ai jashtë mendjes apo është imagjinatë e pastër? Në realitetin tonë prozaik, të vdekatarëve të zakonshëm (fjalia është huazuar nga Montaigne), të cilin Surrealizmi donte ta shndërronte dëshpërimisht nëpërmjet shkopit magjik të poezisë, dhe ku Freud-i zbuloi botën e të pandërgjegjshmes dhe përshkroi mënyrat e mprehta me të cilat vegullitë e strehuara atje ndikuan në sjellje, shkaktuan apo zgjidhën konflikte dhe ndërhynë në jetën e njerëzve. Zbulimi i këtij dimensioni tjetër të jetës njerëzore ndikoi, siç e dimë, në një mënyrë vendimtare (por jo fanatike) në teoritë dhe praktikat e Surrealizmit, dhe nuk ka asnjë dyshim se nëse nuk do të kishte paraprirë kjo, Nadja (që përmban një fjali të dykuptimtë, e cila kritikon, por edhe tregon respekt për psikoanalizën) “nuk do të mund të ishte shkruar”, të paktën në mënyrën që është shkruar. Por, një lexim frojdian do të na jepte një variant të cunguar, karikaturor të romanit. Traumat nuk e çuan heroinën drejt marrëzisë së skajshme, ku do të përqendrohej një lexim psikiatrik i Nadjas. Historia e saj është interesante, për më tepër justifikimi i ngazëllyer se rrëfyesi për këtë fushë, që e konsideron formën më të lartë të jetës, krijon një hapësirë kufizuese, një mbretëri ekzistencialiste ku jeta njerëzore është më e plotë dhe më e lirë. Pa dyshim, është një fiksion. Një fiksion i bukur dhe joshës që ekziston vetëm – por kjo duhet të kuptohet vetëm si një univers pasurish për të mashtruar ndjeshmërinë dhe imagjinatën tonë – brenda jetës magjiplotë të ëndrrave dhe vegullive që janë realiteti i fiksionit, që gënjejnë, që ne u japim formë dhe në të cilat besojmë në mënyrë që t’i durojmë më mirë jetët tona të vërteta. 

Borges-i shpesh thoshte, “Letërsia më ha”. Nuk ka ndonjë gjë përbuzëse në këtë vërejtje të bërë nga Borges-i. Pasi ajo që dashuronte më shumë në jetë – dhe ndoshta dikush mund të thoshte se e vetmja gjë që dashuronte dhe e njihte thellë – ishte letërsia. Por Bréton-i do ta kishte konsideruar si një fyerje nëse dikush “do të thoshte për Nadjan, që për ne është shumë e qartë tani, se është një libër i ushqyer nga letërsia”. Letërsia për Bréton-in nënkuptonte mjeshtëri, qëndrim, nojma të zbrazëta të përmbajtjes, kotësi të pavlerë, përshtatshmëri me rendin e urdhëruar. Por e sigurt është se, ndërsa letërsia mund të jetë gjithçka nga këto, mund të jetë gjithashtu, në raste të veçanta, trimëri, risi, revoltë, një eksplorim i skutave më të largëta të shpirtit dhe një pasurim i jetës së vërtetë nëpërmjet imagjinatës dhe të shkruarit. 

Këtë ndërmerr dhe synon të rrëfejë Nadja: e shndërron në një tjetër botë, duke e larë me poezi të bukur. Parisi që përshkruhet në faqet e saj nuk është qyteti europian i egërsuar dhe i shkujdesur, kryeqyteti i avangardave artistike, i grindjeve letrare, dhunës dhe luftës politike. Në libër, falë retorikës mahnitëse dhe zbukurimeve teatrale, strategjisë rrëfimtare të heshtjeve dhe kërcimeve të përkohshme, aluzioneve të maskuara, enigmave, vazhdave të rreme dhe vringëllimave të befta poetike, ngjarjeve të habitshme – spektakli i frikshëm i të Marrave, historisë së jashtëzakonshme të njeriut amnezik – dhe referencave të tij të vazhdueshme për libra dhe piktura që mbushin historinë me rrezatimin e tyre të veçantë, Parisi është shndërruar në një qytet imagjinar, ku e mrekullueshmja është thuajse një realitet i prekshëm dhe ku gjithçka duket se pajtohet  bindshëm me ato ligjet e fshehta magjike që vetëm parashikuesit zbulojnë dhe poetët parandiejnë, dhe të cilat rrëfyesi i mbivendos si një hartograf mbi qytetin e vërtetë. Në fund të historisë Hôtel des Grands Hommes, statuja e Etienne Dolet-it, bunkerët, Porti Saint-Denis, Teatrot e Bulevardeve, tregu i vjetërsirave, libraritë, cafés, dyqanet dhe parqet janë shndërruar në pika referimi dhe monumente të një bote të shtirë, të djegur, që është jashtëzakonisht subjektive, dhe ka korrelacione dhe asonanca misterioze me jetët njerëzore, një kuadër i përsosur brenda të cilit mund të shfaqet një karakter kaq i shkëputur nga jeta e përditshme, kaq i largët nga mendimi i përbashkët, si Nadja, femra që magjeps rrëfyesin dhe që e urdhëron në një pikë të rrëfimit: “Do të shkruash një roman për mua”. 

Magjia ishte kaq e fortë sa Bréton-i iu bind dhe nuk e kufizoi veten në përshkrimin e Nadjas që ekzistonte, të Nadjas së rrufeshme prej mishi dhe gjaku. Me qëllim që historia të rrëfehej bindshëm, ai përdori imagjinatën më shumë se sa kujtesën e tij, ai shpiku më tepër se sa kishte shënuar dhe, si të gjithë romancierët e mirë, i dha vetes lirinë e kohës, të vendit dhe të fjalëve, duke shkruar “pa ndonjë rend të paramenduar, duke ndjekur trillin e momentit që i lejon gjërat të lundrojnë në sipërfaqe sikurse do të ndodhte”. 

Londër, Nëntor 1996