Kandrra Logo Kandrra Botime
Librat Autorët Blog Rreth Nesh
Atman

Atman

13 janar 2026

Fragment romani nga FISNIKU ©

E para që zbriti nga qilimi që shtroi Hëna ishte nëna e tij, e cila e përqafoi. Silueta e tij u zvogëlua, u bë edhe një herë e vogël, silueta e princit të braktisur. Ajo e mori në krahë, e puthi dhe, ndërsa qante nga dhimbja, donte t’i shpjegonte atë që tashmë ai e dinte. Të dy u përqafuan dhe u bënë një trup i vetëm. Pastaj takoi me radhë të gjitha vajzat që kishte dashur me shpirt në vendet ku kishte ndalur e rinisur jetën zemra e tij, ndërkohë që silueta e tij ndryshonte sa herë ndryshonte vajza që takonte. Tani ishte mirënjohës për dhimbjet që ato i kishin dhuruar, sepse të gjitha ishin aty për t’i mësuar diçka. Tashmë kalorësi Atman ishte më se i qartë e i rinuar nga uji i përjetshëm që nuk e hidhëronte dot më. Ishte pranë Ujëvarës së Përjetshme, rrjedhës së parë të ujit, që ishte i pastër si kristal. Në qenien e tij buronte vetëm dashuri. I donte të gjithë, i donte të gjitha. Ishte vetë Dashuria. Asnjë grimë mërzie nuk kishte në hapat e tij të lehtë, që nuk shkelnin më në Abis, por përmbi re. Ecja ia shpërfaqi si një film i shkurtër të gjitha emocionet që kishte marrë gjatë jetës. Në emocionet që e kishin vrarë më shumë kishte më shumë dashuri se në të tjerat, sepse tani e kuptonte se emocionet përnjëmend të rëndësishme në jetën e tij kishin qenë pikërisht ato më “vrastaret”. Nuk ekzistonin më emocione negative, por thjesht emocione të gjalla. Buzëqeshte i çliruar dhe i dëlirë. Tashmë kuptonte se mallkimet që kishte pësuar, në të vërtetë ishin bekimet e tij më të mëdha. Iluzioni i kishte premtuar dhimbje e vuajtje për kohë të gjatë, por jo më.

Ujëvara e Përjetshme vazhdonte të derdhej në Abis e pastaj të mbushte vrullshëm të gjitha puset që i dilnin përpara gjatë udhës.Në Majën e Tetë, në atë të Kuptimit, njëqind mijë gra, që kishin qenë pjesë e jetës së tij në një rol apo një tjetër, e pritën si një trup i vetëm. Nimfa ishte gruaja në jetën e tij. Ajo mund të shfaqej si e dashura, si mamaja, si vajza, si kushërira apo si vrasësja e tij. E për të gruaja ishte prani hyjnore. Ai kishte mësuar që herët dashurinë për femrën nga nëna e tij, e kjo i kishte shërbyer kundër instinktit seksual, të parit prej tundimeve në jetët e shumë kalorësve që ishin gjendur para Nimfës. Abisi i thellë tashmë u kthye në një rrugë të shtruar me lule të çdo ngjyre, që ushqeheshin nga Ujëvara e Përjetshme. Së bashku do të shkonin në Majën e Nëntë, ku 43.999 burra të prirë nga figura e tij mashkullore, babai i tij, po prisnin nën ushtimën e tambureve që e bënin ajrin të shndërrohej në ujë të shenjtë për hapat e tyre. Me t’u bërë bashkë, të gjithë do të udhëtonin për në Majën e Dhjetë, në Atma, në shtëpinë e tyre, aty ku Atmani kishte lindur….