Për Nadja-n dhe me Nadjan…
3 nëntor 2025
Maklena Nika ©

E qelqtë, ajrore, shpirti endacak në kufijtë e marrëzisë, gruaja-fëmijë, lojcake, e marrë, e dashuruar, e paperceptueshme, një fantazëm e pakapshme, e paplotë, që frymëzon plotësi poetike, ngërthyer pezull midis realitetit dhe ëndrrës, mishërimi i rastësisë, muza e së pavetëdijshmes, një flakë e brishtë, e lirë, enigma e përjetshme e çdo burri, gjithçka mitologjike, diakronike, transhendente, teatrale, paranojake, Nadja si unë, Nadja si ti, një Mélusine, Nadja një oksimoron femëror…
Nadja mund të jetë gjithçka tjetër që mund të premtojë një grua me sy ngjyrë fieri, një krijesë që ngaherë frymëzohet dhe frymëzon, që nuk dëshironte të ishte askund tjetër veçse në rrugë, ku herë rrëzohej pamëshirshëm e herë ngrihej me atë intuitën e qashtër dhe duke u kapur pa mbarim pas mrekullisë së vetë-improvizuar. E aq më tepër një grua që premton shpresë edhe për një shkrimtar pré e një morie ngjarjesh të rastësishme në jetën e tij. Edhe pse dridhet si një gjethëz dhe është e pasigurt, sepse takon një burrë të martuar dhe psherëtin kur e mëson këtë, duke artikuluar thjesht sa keq…, ajo ndihet e lirë të dashurojë. Ndonëse e brishtë, ajo arriti të depërtonte në shtëpizën e tij të qelqtë, dhe e bëri të qante Bretonin kur kuptoi se mund të mos e shihte më Nadjan.
Botuar për herë të parë në 1928 dhe më pas në 1963 nga Botimet Gallimard, ky tekst sui generis është si një kriptogram ludic, i përbërë nga imazhe, histori të shkurtra, fotografi dhe tekst, të renditur në një lloj plejade që e fton lexuesin të interpretojë së bashku me rrëfyesin/autorin e tij shenjat e mrekullisë që ndërhyjnë në jetën e tij të përditshme.
Pyetjet e shumta që karakterizojnë rrëfimin e pasurojnë rrëfimin e Nadja-s rreth praktikës dhe përjetimit të lojës së saj si një mënyrë jetese me aureolën e kufirit ekstrem të aspiratës surrealiste. Nadja luan vazhdimisht dhe kjo është e qartë si pjesë e tërheqjes së saj ndaj Bretonit, pjesë e joshjes që ushtron mbi të: Provojeni, është kaq e lehtë, pse nuk doni të luani, thotë ajo dhe në këtë mënyrë ajo shndërrohet menjëherë në një interpretuese/dëgjuese duke e çuar Bretonin në një tjetër realitet, duke e joshur deri në atë pikë sa ai përfshihet në lojë, pavarësisht ngurimit të tij fillestar. Duket sikur vetë Bretoni luan lojën e shndërrimit të Nadjas në Nadja-n e tij. Në këtë skemë, rrathët e bashkuar me njëri-tjetrin përmbledhin modus vivendi-n themelor surrealist, përkatësisht atë të coincidentia oppositorum.
Loja e Nadja-s duket se ka elementët më karakteristikë të mendimit surrealist: një dialog jo-konvencional që sfidon arsyen dhe gjen shprehjen e tij më të mirë në gjuhën e fëmijëve (dhe të të çmendurve), si edhe një teknikë e veçantë e ndërtimit të imazhit, që, në shikim të parë, duket si një grup imazhesh të papajtueshëm me njëri-tjetrin. Loja irracionale, dialoguese e Nadjas merr një kuptim të ri kur shihet si një formë e gjuhës surrealiste, siç e konceptoi Bretoni. Nadja në të vërtetë nuk synon të angazhojë bashkëbiseduesin e saj në një debat për kënaqësi intelektuale apo t’i imponojë atij pikëpamjet e saj. Përkundrazi, ajo synon ta çojë atë në një moment të pazakontë zbulimi, pasi duket se ka një dhunti të natyrshme për të përdorur gjuhën surrealiste, së bashku me një kthjelltësi të jashtëzakonshme në stilin e saj të komunikimit. Ajo vetë e koncepton rolin e saj si një “vëzhguese”, një medium që parashikon në një moment të caktuar arritjet e ardhshme të bashkëbiseduesit: “André, André, do të shkruash një roman për mua? Jam e sigurt se po. Mos më thuaj jo” . Nadja, gruaja-fëmijë, e sheh veten si një burim frymëzimi, të cilës Bretoni i është mirënjohës që arriti të zbulonte tek ai, në një mënyrë aq tronditëse, njohjen e përbashkët të dashurisë.
Gjithnjë e pakapshme, Nadja nuk ka reshtur kurrë së ngrituri polemika mes kritikëve të saj. Michel Beaujour, në artikullin e tij “Çfarë është Nadja?” ofron një këndvështrim tërheqës: Nadja është një anti-roman që i nënshtrohet konceptit të “lojës” dhe sugjeron ta shohim Nadja-n “si një lojë letrash që mund t’i përziejmë dhe t’i hapim në mënyra të ndryshme”. Një tekst autobiografik, ku Bretoni fokusohet në jetën e tij individuale pasi ka përjetuar një sekuencë sfiduese incidentesh të çuditshme, rastësisht të pashpjegueshme dhe dukurish të papritura, ndër të cilat është takimi i tij vendimtar me një figurë të re enigmatike, një grua të quajtur Nadja. Ai tërhiqet çuditërisht nga kjo krijesë frymëzuese, e ngjashme me Sfinksin, një mishërim i figurës mitike kelte të Melusinës, e cila përfaqëson bashkimin e të kundërtave, dhe si rrjedhim pajtimin e botës së dëshirës me atë të realitetit.
I gjithë romani është një ndërthurje të kundërtash, gjithçka reale dhe surreale, gjithçka logjike dhe absurde, e mishëruar mjeshtërisht në personazhin e Nadjas, në veprimet dhe në mendimet e saj të çuditshme. Për Breton-in, raporti i tij me Nadjan ishte një eksplorim, një eksperiencë e vërtetë e surrealizmit. Ai e shkroi Nadja-n për Nadjan, gruan që njohu në të vërtetë, por edhe për veten e tij, si një përpjekje për të kuptuar ç’është surrealizmi. Për të, Nadja ishte një shpirt i lirë, pak a shumë si një nga ato shpirtrat e ajrit që disa praktika të magjisë na lejojnë që t’u bashkohemi për pak çaste, por që kurrë nuk mund t’i nënshtrojmë. Edhe pse e tillë, Nadja besonte se Breton-i ishte një perëndi, vetë dielli.
Gjatë përkthimit të librit, sa më shumë e kuptoja dhe njihja Nadjan aq më i çuditshëm më dukej procesi për ta sjellë në gjuhën shqipe Nadja-n. Njohuritë e mia akademike në lidhje me fenomenin e shumëdiskutuar të surrealizmit do të ishin një ndihmesë e madhe për mua, sepse vepra nuk mundet thjesht të përkthehet, por së pari duhet konceptuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Në thelb, për mua nuk ishte thjesht të përktheja një tekst, kisha hyrë dhe isha përfshirë plotësisht në aurën e Nadjas, ku fjalët dhe heshtjet mbartnin peshën drithëruese të pranisë së saj.
Gjuha e Bretonit nuk është thjesht përshkruese; është një labirinth ku realiteti ndërthuret me ëndrrën, ku imazhet e papritura ndërpresin rrjedhën e logjikës dhe ku kufijtë midis rrëfimit dhe dialogut vazhdimisht më tingëllonin absurdë. Në këtë këndvështrim, kjo do të thotë të kapësh një ritëm mendimi, të depërtosh në një atmosferë surrealiste, jo shumë të zakonshme për përditshmërinë. Çdo zgjedhje e gabuar e një fjale apo e një fraze, rrezikonte të ndryshonte identitetin e saj të brishtë; nëse do të zbatoja parimin tradicional përkthimor, domethënë mot à mot, misteri i saj zhdukej; nëse do t’i jepja vetes luksin e krijimit të lirë, koherenca e saj shpërbëhej. E gjithë kjo përvojë u shndërrua një negocim delikat midis besnikërisë dhe krijimit, midis ruajtjes së strukturës së frëngjishtes së Bretonit dhe lejimit të Nadjas të merrte frymë natyrshëm në gjuhën shqipe.
Vepra konsiston në një tekst polifonik, ku ndërthuren fragmente dialogu, imazhe surrealiste, metafora të fuqishme, përshkrime të vizatimeve të Nadjas, reflektime personale në trajtën e një ditari, shpërthime të papritura poetike dhe komente kritike mbi artin dhe letërsinë. Nadja flet në një regjistër pothuajse fëminor, plot improvizim dhe figuracion, ndërsa zëri i vetë Bretonit shpesh anon nga abstraksioni filozofik. Për ta përkthyer këtë kontrast me besnikëri, më duhej ta mbaja gjallë fjalimin e Nadjas në shqip – spontan, të brishtë, ndonjëherë të thyer – duke u siguruar që pasazhet analitike të Breton-it të ruanin peshën e tyre intelektuale. Në thelb, ky përkthim kërkonte një ndjeshmëri ndaj paqartësisë, ndonëse më duhej t’i rezistoja tundimit për të “sqaruar” atë që ishte qëllimisht e errët. Sfida nuk ishte të shpjegohej Nadja, por të ruhej errësira e saj – fuqia e saj për të mbetur enigmatike, madje shqetësuese, për lexuesin. Gjithashtu, ekzistonte edhe çështja e rezonancës kulturore dhe gjuhësore. Surrealizmi francez mbart me vete një atmosferë historike: rrugët e Parisit të viteve 1920, debatet filozofike të avangardës, vetë tekstura e një gjuhe që balancon elegancën dhe thyerjen gjuhësore.
Meqë kjo është vepra e parë surrealiste franceze që përkthehet në gjuhën shqipe, përgjegjësia ishte shumë e madhe për mua. Përkthimi i Nadja-s u kthye në një dialog brenda meje, dhe shpesh ndieja sikur Nadja po më udhëhiqte, duke më pëshpëritur se cilat fjalë të zgjidhja, duke më kujtuar se ajo vetë ishte gjithmonë në prag midis pranisë dhe zhdukjes. Ta përktheje atë do të thoshte të pranoje se asnjë version nuk do të ishte kurrë përfundimtar, se ajo do të mbetej gjithmonë paksa e paarritshme – endacake, e brishtë dhe e lirë. Nadja dhe Nadja mbeten ende një enigmë – dhe përmes përkthimit, ato vazhdojnë të na përndjekin, duke na kujtuar se figurat më të fuqishme të letërsisë janë ato që nuk mund t’i kuptojmë kurrë plotësisht…
E si përfundim, edhe pas përkthimit të Nadja-s, kam ende shumë pikëpyetje në mendje, të cilat lindin nga personazhi i vetë Nadjas. Vallë, a është e vërtetë që një dashuri e madhe, dhe për rrjedhojë, edhe një vepër e madhe, lind nga kapja në befasi e subjektit, ashtu siç i ndodhi edhe Bretonit dhe ashtu siç shprehej edhe de Chirico, që suksesi i pikturave të tij ishte kapja në befasi nga çdo gjë që i ndodhte përreth. Vallë, kur biem në dashuri, e shohim çdo gjë si të flaktë, ashtu siç shprehet edhe Nadja, zjarri më vjen ngaherë në mendje kur flas për ty… Vallë, a nuk karakterizohet një marrëdhënie dashurie nga angështimi, por nga ana tjetër të krijon përshtypjen se për dy të dashuruar duket sikur ka ekzistuar prej kohësh, madje përpara se të njiheshin. Një marrëdhënie e krijuar mes erës së kaltër, me puthje që në vetvete shprehin një kërcënim. Vallë, a nuk kaplohet nga dilemat një subjekt i përfshirë në një marrëdhënie të tillë, si Bretoni që shprehet se është e pafalshme të vazhdoj ta takoj nëse nuk e dashuroj. A nuk e dashuroj? Kur jam pranë saj, jam më pranë gjërave që janë pranë saj…
Sidoqoftë fundi i një dashurie të tillë, André të lë përshtypjen se është një lojtar i heshtur, sikurse ndodh rëndom, pa e kuptuar mirë nëse loja ka përfunduar dhe kush e ka fituar atë lojë. Ai apo Ajo. Ai, që si qenie mashkullore vazhdoi jetën e tij të zakonshme dhe të zymtë, edhe pse shkroi një roman, apo Ajo, që edhe pse përfundoi në çmendinë, ishte e lumtur brenda vetes, sepse kishte dashuruar marrëzisht…
Dashuria, në vetvete, premton AGIME, dhe Nadja ishte për Bretonin një AGIM në jetën e tij: Ajo më buzëqesh siç nganjëherë më buzëqeshje ti, pas gëmushave të mëdha të lotëve. “Është ende dashuria”, thoshe, dhe më padrejtësisht më the: “Gjithçka ose asgjë”.
Siç shprehet edhe Louis Aragon se do të donte të shihte një ndriçim surrealist në sytë e të gjitha femrave, ashtu ndihem edhe unë sot, që kjo vepër sheh dritën e botimin, pas një historie të ndërlikuar përkthimi, sepse është vepra që e kam përkthyer me dashurinë me të madhe, ndërkohë që isha e ngërthyer në kurthin e Amour Fou dhe e dashuruar me një André…
Fundja, nga të dashuruarit gjithmonë mbetet diçka, dhe nga Nadja mbeti Nadja…