Parajsat e Dashurisë
15 maj 2025
Skënder Sherifi ©

Në humnerën e tij të fshehtë, çdo shenjë e kotë
mbillte shpresa të pafund, një ëndërr pa Zot
Shiu i fshinte kujtimet, i çonte aq larg
në një rrjedhë melankolie, në heshtje, në varg
I dehur gjer në vdekje, me një etje të egër,
pa fjalë, i hutuar
rrinte në kufijtë e botës, me zemër të trazuar
Shpresonte të kalonte si një Lugat, përtej çdo mur
si fantazmë e padukshme, në një udhëtim të pur
Si të jetosh aq i mbyllur që në ditën kur lind
në kozmosin që s’ndalon, mes yjesh që flenë ?
Në zjarrin e syve, ngrohte shpirtin e tij
me një trung zemre, në netët pa qetësi
Ngjyrat e vjeshtës stolisnin muzgje të largëta
ku nostalgia vallëzonte nën hije të paqarta
Lotët e tij trazonin oqeanin e heshtur
pasiguria lundronte në bregun më të egër
Era e ftohtë i pëshpëriti natës në vesh
një fjalë të thellë, e cila ca herë të vret
Çdokush i zhytur në Blues, duke pritur orën e vet …
Si mund ta shpikësh një muzikë gjatë agimit nën diell
kur qenia ta rikujton një melodi të qetë ?
Në rrudhat e qafës, ca ujëra delikate
qetësonin plagët e vjetra, e vitëve të lashta
Çdo zog ja rikujtonte foletë e zbrazëta
ëndrrat e flakosura, idealet e largëta
Pasioni e bëri të vjellë mbi dëshirat e pafund
Askush s’ju afrua majave, askush s’ja doli më në fund
Dehja na pushtoj jetën, të lëkundur në qytet
POEZIA rridhte si ujëvarë mbi gjithë këtë planet
Si të ndalosh kohën në flokët e saj
strofulla e dimrit, ngrohtësia që s’ka faj?
Në vullkanin e buzëve, gjuha e tij dridhej
nga ethet e dashurisë, ku mishi ndizej
Skulpturonte gjinjtë e saj, të mbushur me llavë
një ëmbëlsi e çuditshme, e zjarrtë dhe e rrallë
Hëna e hante ekzotiken me përkëdheli
ylli mbi ballin e saj lëkundej në qetësi
Pranvera brenda tij shpërthente si det
ku shkumëzonte drita, me ngrohtësi e jetë
Entuziazmi iu shua si një balenë mbi rërë
lumturia nuk ka çmim … harroje çka ke lënë !
Gjithçka rrjedh si një lum i thellë
si të qetësosh dëshpërimin me fyell nën qiell ?
Në bashkimin e trupave, harmonia fliste
sekretet e njerëzimit me heshtje i pikturiste
Duart e tyre lidheshin, celebronin betimet e shenjta
premtimet e harruara, dëshirat e pa emra
Një Buburrec i zbrit në hundë, si shenjë i pa deshifruar
Zoti ia çojë një dritë të bukur dhe të filtruar …
Çdo e qeshur ndezi me mijëra yje në qiellin e kaltër
në të pathënën, dëshira digjet si prush i artë
Disa marrin ferrin, disa parajsën e premtuar
drita hyjnore vezullonte mbi trupin e ëngjëllizuar
pa dyshim që Përendia i kishte bekuar …
Kërkova të rilind, për ta përjetuar përjetësinë
për të kuptuar peshën e gjërave nën errësinë ?
Në zhurmën e shekullit, mes fjalëve të humbura
e ndjej tradhtinë që vjen nga fytyra të turbullta
E shtunë, më 30 nëntor 1985 në Bruksel
( me një ri-adaptim të ri nga vet autori Skender Sherifi, në prill dhe maj 2025)