Kandrra Logo Kandrra Botime
Librat Autorët Blog Rreth Nesh
Intervistë me Thanas Medin

Intervistë me Thanas Medin

12 qershor 2025

Sheila Rexho ©

A ju kujtohet momenti kur kuptuat për herë të parë se fjala e shkruar kishte njëlloj fuqie mbi ju?

Për të mbërritur te thelbi i pyetjes suaj, po i referohem fillimisht Borgesit, i cili thotë: ‘’Fjalët janë më të mençura se ne’’. Pra, ato dijnë diçka më tepër nga ne, zbulojnë dhe atë që ne nuk e dijmë, s’pranojnë të jenë thjesht mjet shprehës e të imponohen. Apo bëhen nevojë jetike, aq sa shkrimtari nuk mund të jetojë pa shkruar. Fitojnë pavarësi nga autori dhe heqin udhën e tyre, të cilën do ta ndjekë edhe ai që i shkruan ato. Krijojnë pasoja emocionale, të cilat aq sa trondisin lexuesin, aq prekin dhe autorin. Me një fjalë, nuk vihet në dyshim fuqia e shkrimit, kurse momenti fillestar kur një shkrimtar e kupton këtë, është një përvojë tërësisht intime. Për vete mund të them se ky moment e ka zanafillën në vitet e fëmijërisë, si nxënës tetëvjeçareje, kur mësuesi i letërsisë na vuri të shkruanim hartim. Ndoshta ka qenë hartimi i parë kur, pasi shkrova temën në krye të fletës së bardhë, m’u desh të humbas në një botë tjetër. Sa e largët, aq dhe e afërt. Sa e njohur, aq dhe e panjohur. Sa e imja, aq dhe e huaj. Sa reale, aq dhe abstrakte. Sa e rëndomtë, aq dhe e mrekullueshme. Ku, përmes fjalës, ngacmoja fantazinë, i jepja jetë imazhit, aq sa mundja. Ëndërroja, shpresoja, gëzoja pa kuptuar pse. Dhe gjithë kjo, padyshim se vinte nga fuqia e fjalës. Ngarkesa emocionale që ajo linte tek unë. E që diçka la dhe tek mësuesi, i cili, që atëherë filloi të më shihte ndryshe. Si një fëmijë që premton të ketë një dhunti të caktuar.

A është fjala tek ju një mjet për tu kthyer tek vetja apo për t’iu larguar vetes?

Kur fillova të shkruaj, fjala, si mjet thelbësor i çdo shkrimtari, nuk më dukej as anije kozmike që do të më shpinte në troje të panjohura, ndërkohë as nuk doja të arratisesha nga një realitet i padëshiruar e që mund të fillonte nga vetja për te ‘’Toka e premtuar’’, por më ishte e domosdoshme për t’u kthyer te vetja. Hulumtuar brenda vetes. Romani im i dytë sidomos, ‘’Fjala e fundit e Sokrat Bubës’’, është një fjalë – udhëtim brenda vetes, për të mbritur tek të tjerët. Mua prej kohësh më brente shqetësimi i zbulimit dhe afirmimit të vetes në një panel më të gjerë. Është si të doja tu thoshja të tjerëve se: ’’Jam edhe unë!’’. T’u tregoja cili isha unë. Kështu do shpalosja një vete që s’ishte me domosdo vetja, ishte identiteti i një etnie të tërë. Pra fjala, duke ndriçuar veten time, arrinte të hidhte dritë mbi një popull të panjohur sa duhej, siç janë vllehët e Shqipërisë e të gjithë Ballkanit. Mundi të bëhej urë lidhëse mes vetjakes dhe të përgjithshmes. Duke operuar me fjalën, unë zbuloj botën përmes vetes. Vetja, ku më shumë, ku më pak, është e pranishme në të gjithë librat e mi. Në librat e fundit mund të dukem më i larguar nga vetja, por s’bëhet fjalë për aratisje. Është më tepër një mënyrë maskimi. Kam vënë re se vetja është shumë komode në ato që shkruaj, pa përjashtuar as konfliktet apo acarimet e mundshme. Duke u vërtitur në orbitën e vetes, fjala më ka bërë dhe një nder. I ka dhënë origjinalitet shkrimit tim. S’e fsheh që jam ndjerë mirë kur më janë referuar si: ‘’Një zë autentik në letrat shqiptare’’. 

Cili ka qenë ai libër që ju ka ndryshuar përfundimisht mënyrën sesi e kuptoni botën?

Nuk besoj se ka qenë një libër i vetëm, por kanë qenë disa. Janë librat më të arrirë ata që mund të shënojnë jetën e njeriut. Dhe kjo në stade të ndryshme moshe. Kështu, di se fëmijërinë ma zbukuruan libra të tillë si: ‘’Shpella e piratëve’’ e Petro Markos, ‘’Histori të moçme shqiptare’’ të Mitrush Kutelit, ‘’Djemtë e rrugës Pal’’ të Ferenc Molnar. Në rini do bie në kontakt me shkrimtarë të përbotshëm, që padyshim se do linin hisen e tyre të ndikimit. Njohja, të kuptuarit e botës nuk është statike, e dhënë njëherë e mirë, të ra ty në dorë një libër sado i jashtëzakonshëm dhe kaq ishte. Njeriu vazhdimisht njeh ndaj dhe duhet vazhdimisht të lexojë. Është leximi në përgjithësi ai që të ndihmon për të kuptuar botën në ndryshimin e saj të vazhdueshëm. 

Cili është libri dhe autori juaj i preferuar?

Prapë janë disa, nuk është një i vetëm. Kështu që, po përgjigjem në përgjithësi. Libri im më i preferuar është ai që s’mund ta lëshoj nga dora deri sa të mbaroj. Që më rrëmben, më mahnit e më mrekullon. Që më shtegton, më mbush e më frymëzon. Dhe, po thamë librin, kemi thënë dhe autorin, megjithatë dua të përmend disa prej tyre: Markez, Tolstoi, Shekspiri, Rulfo, Cvajk, Kafka, Filip Roth, Herman Hese, Kadare, Kuteli.. Apo libra të papërsëritshëm: ‘’Njëqind vjet vetmi’’, ‘’Don Kishoti’’, ‘’Ushtari i mirë Shvejk’’. Por edhe ‘’Gjuetari i balonave’’. Siç e shihni, janë shumë autorë e libra të preferuar.

Cila është vepra që ju ka ftuar në rilexim dhe si jeni ndjerë gjatë kësaj përvoje?

Dhe këto janë disa, gjithmonë ka vepra që dëshiron tu rikthehesh, por koha nuk premton. Sidoqoftë, meqë e rilexova së fundi pas shumë vitesh, po përmend ‘’Zonja Bovari’’ të Floberit. Prisja të shijoja mrekullimin e hershëm, por ngela i zhgënjyer. Zonja Bovari m’u duk e lehtë si karakter dhe kjo lehtësi dëmton gjithë romanin. Me siguri që s’do t’i jap një shans të tretë leximi. 

Si do ta përkufuzonit rrugëtimin tuaj drejt të shkruarit? Ishte një ‘’thirrje’’, një nevojë, apo një formë ndihme për të mbijetuar shpirtërisht?

Qenë të gjitha bashkë. Thirrje, nevojë, duke veçuar këtë të fundit, ‘’mbijetuar shpirtërisht’’. Mund të them se, më shumë se e kam ndjekur ka qenë e shkruara ajo që më ka ndjekur. Mund ta kem ndjekur unë fillimisht, kur edhe përmes një hartimi ndjeva se po trokisja në dyert e letërsisë, apo ca më vonë, kur pata krijimet e para, veçse në vazhdim më shumë sikur më është imponuar. Më është mbledhur brenda vetes, sa do ‘’pëlcisja’’ po të mos shkruaja. Pra, pasi lindi si thirrje a si nevojë, u bë frymë e domosdoshme për të mbetur gjallë. Por pas librave të parë, shkrimi bëhet dhe mision. Je ushtar që s’mund të lëvizësh më nga llogorja e shkrimit. Dhe, po në këtë kohë, të ndihmon edhe për të mbijetuar shpirtërisht.

Si lind një roman brenda jush? Frymëzoheni nga një imazh, një ndjesi, një kujtim?

Këto janë pjesë të së tërës. Romanet brenda meje, ‘’kanë qenë’’ pa e ditur unë se ishin. Unë vetëm sa ‘’shkunda’’ kujtimet, që më përhënën imazhe, ndjesi, dhe këto i ula në fletën e bardhë me majën e lapsit. Dua të them se asgjë s’lind nga hiçi, kur je bosh. Dhe nëse zbrazesh, përpiqu të mbushesh prapë, duke mos u shkëputur kurrë plotësisht nga vetja. Nëse kupton se ena e brendshme s’ka përfund as edhe një gisht lëng, atëherë është më mirë të ndahesh përfundimisht me shkrimin. Edhe frymëzimi në këtë moment e ka humbur rrugën. Mund të shkruash, por shkrimi s’do jetë më ai që ka qenë. Dhe ti do përfundosh të jesh thesht një…grafoman.

A mund ta konsideroni gjithçka të përjetuar, si potencialisht material letrar? 

Sigurisht që jo. Jo gjithçka e jetuar ka tharmin e të qenit edhe material letrar. Nëse hedh në letër një ‘’ngjarje të jetuar’’, pa lëvizur milimetër prej saj, ti në këtë rast ke vrarë fantazinë, si dhe mundësinë për të krijuar. Letërsia është një shartim i çuditshëm mes reales, faktit dhe krijimit. Fantazia lidh me njëra-tjetrën ngjarje të jetuara e të pajetuara, për të arritur të kemi një të vërtetë lertrare edhe më të vërtetë se e vërteta.

A ka ndodhur ndonjëherë që personazhet tuaj t’ju befasojnë, të marrin drejtim krejt të vetin, përtej vullnetit tuaj si autor?

Personazhet janë si fëmijët që, pasi i lind, i rrit, i edukon, i shkollon, vjen një çast e s’të binden më. Pasi kanë marrë rrugën e tyre, do shohin jetën e tyre. Si përvojë personale, mund të them se më ka ‘’befasuar’’ Katerina, heroina kryesore te ‘’Fjala e fundit..’’. Duke e tejkaluar veten, po aq dhe autorin. Më doli nga duart sa, në një moment, s’mund t’i bindej më vullnetit të krijuesit, se e pat marrë që herët drejtimin e vet. Për një veprim të ‘’pa matur’’ që bëri Katerina, kam shkaktuar shumë trishtim tek mjaft lexues, sidmos të sojit të saj. Sa më kanë thënë si mënjanë, ‘’Pse iku Katerina te labi?!’’. (Kur ishte nusja e taksur e Sokrat Bubës). Përgjigja e autorit ka qenë një ngritje supesh. Dhe fraza: ‘’As unë nuk doja’’… 

Si e përkufizon një shkrimtar si ju të vërtetën? Një përputhje me faktin, apo si një rezonancë intime me shpirtin? 

E vërteta për mua është baza e shkrimit. Është themeli ku mbështetet e fillon e merr jetë shkrimi. Aty është forca e vetë shkrimtarit, e veçanta e tij, për të qenë një zë origjinal mes pafundësi zërash të tjerë. Sipas Morison: ‘’Letërsia nuk ka për detyrë të tregojë faktin, por të tregojë të vërtetën”. Për një shkrimtar serioz, e vërteta nuk është thjesht përputhje me faktin, është më tepër një rezonancë me shpirtin. Është ndershmëri emocionale, përjetim i thellë, sinqeritet i brendshëm, veshur me rrobat e trillimit.

Letërsia shqiptare shpesh është përballur me presione politike dhe ideologjike. A ka ndikuar kjo lloj trashëgimie në mënyrën tuaj të të shkruarit dhe të perceptuarit të botës?

Presioni politik dhe ideologjik ka qenë i ligjëruar në kohën e diktaturës komuniste, për të ashtuquajturën ‘’Letërsia e realizmit socialist’’. Ku shkrimtari duhej të lëviste brenda një ulluku a kallëpi të caktuar ideor e artistik, ndryshe, sipas shkallës së fajit, të priste ndëshkimi. Mund të them se ky kallëp, mua nuk më shkonte për shtat. Fakti është se nuk munda të kem një libër të botuar në atë kohë. Dhe një vëllim me tregime e novela që dërgova në shtëpinë botuese ‘’Naim Frashëri’’, m’u kthye mbrapa me shënimin: ‘’Nxin realitetin’’. Duke pasut vetëm pretendime ideologjike, jo letrare. Dhe nuk ishte çështje bindjeje politike, ishte çështje krijimi. Nuk mund t’i ikja vetes, as t’i shmangesha së vërtetës. Në krijim doja të isha i lirë, por liria pushon së qëni e tillë nëse ta piketojnë të tjerët rrugën ku do ecësh. 

Si është përjetimi pas një vepre të përkthyer, e cila rrugëton drejt lexuesve, duke kapërcyer kufijtë gjeografikë e kulturorë?

Fillimisht je kurioz të mësosh si do pritet shkrimi yt nga lexuesi i huaj. Dhe kur ke sinjale pozitive, gëzohesh që krijimtaria jote ka një rezonacë universale. Se atë mund ta lexojë çdo njeri, në çdo cep të globit. Pranimi është fitore, sidomos për një shkrimtar të një vendi të vogël. Dhe veç kësaj, ka ndjesinë se vendi i tij nuk është më aq sa e kufizojnë kilometrat katrore që disponon. Është shumë më i madh, sa e gjithë bota. Ndërsa, kur ke fituar edhe admirimin e kritikës letrare të vendit të huaj, sikur shpërblehesh e ‘’merr hak’’, ndaj heshtjes apo vëmendjes së pamjaftueshme që të ka ofruar atdheu.

Sipas jush, cili është roli i shkrimtarit në këtë epokë aktuale, ku teknologjia dhe digjitalizmi promovojnë si konsum masiv të “kontentit” të shkurtër?

Roli i shkrimtarit në këtë epokë besoj se është ta sfidojë atë. Në kuptimin, ta bëjë lexuesin për vete. Ky në fakt është bërë shumë i përciptë, e ka më të lehtë të orientohet për nga letërsia e fabulës e shkrimtarit grafoman, (manisë së shkrimit, i vete pas mania e leximit), sesa letërsisë së stilit. Shkrimtarit të vërtetë, atij që bën art. Dhe kjo ndoshta ndodh se shumë herë tepërohet, bëhet art për art. Kur do duhej ta shpinte më tej misionin e tij, duke qenë në nivelin e kërkesave të kohës. Duke eksperimentuar me forma të reja, mbetur kurator i së vërtetës dhe realitetit. Ruajtur thellësinë në një epokë sipërfaqësore, sjellë ndjeshmëri në një botë të pandjeshme. 

Çfarë do t’i sugjeronit një shkrimtari të ri?

1. Të shkruajë parreshtur dhe të lexojë parreshtur. 2. Nëse ka talent, mos e lëjojë atë të vyshket. Dhe kjo arrihet nëpërmjet punës së rregullt e të vazhdueshme. 3. Në momentin që do t’i pëlqejë vetja e do kujtojë se ka prekur qiellin me dorë, ta dijë se mu atë çast fillon edhe rënia..

Dhe në fund, për cilën pyetje që nuk ju është bërë ende, do dëshironit më shumë të përgjigjeshit?

Për pyetjen: ‘’Në ç’rrethana e keni shkrojtur romanin e parë’’.