Kandrra Logo Kandrra Botime
Librat Autorët Blog Rreth Nesh
Meditim mbi Fight Club: 26 vite më pas

Meditim mbi Fight Club: 26 vite më pas

20 qershor 2025

Dritan Sulçebe ©

Më 30 nëntor 1999 kishte ndodhur beteja e Seattle-it. Dy vjet më vonë do ndodhnin edhe revoltat antiglobaliste të samitit të Gjenovës. Forumi Social, lëvizjet anti-globaliste, fryma kundër konsumerizmit apo kapitalizmit ishin në kulmin e tyre. Në këtë klimë, sot kaq të harruar revolte, më 15 tetor 1999, do të shfaqej dhe filmi “Fight Club”, me regji nga David Fincher dhe i bazuar në romanin me të njëjtin titull nga Chuck Palahniuk.

Asokohe isha 16 vjeç, i ulur në një kinema në Vjenë dhe personazhi pa emër i interpretuar nga Edward Norton, më ngjante me kallëpin e predestinuar nga koha ku po hynim. Një punë e mërzitshne me orare fikse, kostume të përhimta uniforme zyrash, para një ekrani  kompjuteri ku lëviznin statistika dhe e-maile rutinë, e cila sfidohej nga disa fluturime nëpër qytete të largëta anembanë Amerikës. Pagjumësi, depresion dhe një jetë e shënjuar nga mëtimi i rehatisë përmes konsumit të panginjshëm. Epokale thënia: “Sendet që ti ke, shdërrohen herët a vonë në pronarin tënd”. Dhe këtu, në një avion, ndodh takimi kinse rastësor me dytësin rebel, anti-shëmbullin e një brezi të tërë, Tyler Durden-i ( luajtur nga Brad Pitt) i çartur, një shitës ambulant sapunësh luksozë me dhjamë të ricikluar nga kazanët e mbetjeve të spitaleve, që jeton në një shtëpi të rrënuar, plotësisht jashtë radarit të “sistemit”. Personazhit kryesor, ndërkaq, apartamenti i hidhet në erë nga një rrjedhje e “papritur” gazi, duke e detyruar të banojë në shtëpinë e dytësit të saponjohur. Dhe këtu dy skajet e ndryshme të një personaliteti pikëtakohen në themelimin e Fight Club, ku rregulli i parë është ikoniku, i trupëzuar prej kohësh në pop-kulturë: “Rregulli i parë i Fight Club është që askush nuk flet për Fight Club”. Inicimi për anëtarësimin në klub është gjithnjë një rrahje mizore dhe e përgjakshme, nga ku ata që marrin pjesë duhet të dalin me disa brinjë të thyer apo fytyra plot plagë. Mes orvatjeve për anëtarësimet e reja, ku spikasin meshkujt e shndërruar në jo-burra si pasojë e kancerit në testikuj, përcillet dhe një prej monologjeve më të arrira, që në mendjen time  ka arritur t’i mbijetojë viteve:

“Plako, në Fight Club unë shoh burrat më të fortë dhe më të zgjuar që kanë jetuar ndonjëherë. Shoh gjithë këtë potencial, dhe e shoh që po shpërdorohet. Dreqi ta hajë, një brez i tërë që mbush makina me benzinë, që shërben nëpër restorante; skllevër me kollare të bardha. Reklamat na kanë bërë t’i jepemi makinave dhe rrobave, të punojmë në punë që i urrejmë, vetëm e vetëm që të blejmë gjëra që nuk na duhen. Plako, ne jemi fëmijët e mesit të historisë. Pa qëllim dhe pa atdhe. Nuk jemi në një Luftë të Madhe. Nuk kemi një Depresion të Madh. Lufta jonë e madhe është shpirtërore… depresioni ynë i madh është vetë jeta jonë. Të gjithë jemi rritur me televizor, duke besuar se një ditë do të bëhemi milionerë, yje filmash, ose yje rroku. Por nuk do të bëhemi. Dhe po e kuptojmë ngadalë këtë gjë. Dhe jemi shumë, shumë të zemëruar.”

Fight Club sa vjen e zgjerohet dhe kështu merr jetë Projekti Mayhem, i cili duke reflektuar Zeitgeist-in anarkist të atyre viteve, mbështetet tek ideja që përpara se të krijohet një rend i ri, ai i vjetri duhet shkatërruar me themel. Anëtarët e klubit përhapen ngado, duke i vënë mina me sahat rrokaqiejve që strehonin selitë e bankave të mëdha, që zotëronin edhe të dhënat për kreditë e njerëzve të mbytur në borxhe. Personazhi kryesor rreket të shpëtojë qytetin, vret dytësin e tij duke qëlluar veten në gojë, por tashmë është shumë vonë. I kapur dorë për dore me Marlën (interpretuar nga e mrekullueshmja Helena Bonham Carter), të dashurën dekadente që deri në ato momente i duhej ta ndante dhimbshëm me një mashkull alfa si Tyler, ai sheh kullat e qytetit të bien njëra pas tjetrës. Mesazhi është i qartë: Bota e vjetër vdiq, rendi i ri do të vijë duam apo nuk duam ne.

Kjo skenë është marrë shpeshherë edhe si profetike për 11 Shtatorin, dy vite më pas. Ndodh rëndom, që arti të peshkojë edhe grimcat e së ardhmes. Filmi ka qenë avantgardë pasi ka trajtuar më herët nga të gjithë çështje, që sot po marrin përmasa gjithnjë e më të rëndësishme. Roli i në mpakje mashkullit në shoqëri, vdekja e patriarkatit, lufta mes gjinive, një ekonomi e destinuar të varet nga konsumi në një botë që burimet i ka të fundme. Filmi sot ngjan me një manifest rebelimi që nuk ndodhi kurrë dhe me gjasë nuk ka për të ndodhur ndonjëherë. Por ajo që të bën më shumë përshtypje, është nënshtrimi i plotë që bota e filmit dhe ajo e artit në përgjithësi, po tregon ndaj konformizmit shoqëror dhe politik. Nëse dikur filmat na bënin të ëndërronim për botë të tjera apo na provokonin mendimet rreth aktualitetit, sot gjithçka merret e mirëqënë dhe filmi luan thjesht rolin e argëtuesit. Jo më kot Hollivudi gjendet në kirzë, ndërsa shërbimet streaming nuk po dijnë si ta zëvendësojnë. E sigurt është, që pas Fight Club, bota ndryshoi. U bë më e zymtë, më totalitare, më e mërzitshme.