O heshtje e syve të mi
14 gusht 2024
Poezi nga Linda Agolli ©

O heshtje e syve të mi, dalë prej tyre
Si mirazh i trupit tënd në ikje,
Trup i bërë njësh me mjegullën që zbardh
Atje tej, në lindje të qytetit.
Të përpin ajo e tatëpjetë dhe të bën
Të panjohurin tim të dikurshëm kur ngarendja
S’kishte emër e ti, diku buzë trotuareve
Mbështillje vrikthi këmbë femërore
Dhe u këndoje ëndrrave të tua të papërfunduara.
O pikëllim i syve të mi, derdhur prej tyre
Si një tunel i zi që kërkon të arrijë
Dëshirën tënde, humbur kaherë ndër dhoma t’huaja,
Ku ata që të vjedhin bllaçitin bar dhe përdhunojnë
Vlerat e tua hyjnore.
Të gëlltisin ato dhoma dhe të kthejnë
Në lodrën e tyre të argëtimit e ti,
Tash klloun i instikteve, i gëzohesh
Famës tënde në publikun e pështirë të një putane.
O dhimbje e syve të mi, mbushur prej tyre
Si klithmë e zogut krahëthyer që kërkon
Të fluturojë pas shpërfilljes tënde,
Shfaqur ç’prej kohësh në nofullat
Dhe mjekrën tënde burrërore që zbret
Si hije të trembë dashurinë time.
Të mbërthen ajo shpërfillje dhe të heq prej meje
Sikur zemrën me ma zhgulë
Prej brinjëve.
Dhe të çon s’di se ku, në fluturime
Të pakuptim, pa dritë, pa ajër, pa zjarr…
E ja, qerpiku më shpon
Beben e syrit dhe shpërvesh
Pamjen e hidhur që le pas silueta jote.
O frymë e zhgënjyer e syve të mi, lindur mëkatare
Dhe e vdekshme, si e tillë
Që më thua se mjafton ajo
Çfarë bëjmë, të jetë e vërteta
Lindur bashkë me qënien tonë.
Ti, frymë buruar prej sysh të heshtur, që ngarkon
Në ndërgjegje peshën e krimit
Pjellë nga urrejtja, kur e di mjaft mirë se Dashuria
Nuk mund të pjellë krime; e nëse po,
Më mirë prej Saj se sa prej Urrejtjes.
O ujë i kripur i syve të mi, rrjedhur prej tyre
Si një burim i pafaj që merr me pasion
Udhën e lehtësimit dhe ndalet
Atje poshtë si vetësakrifikim i hedhjes
Në humnerë…