Kandrra Logo Kandrra Botime
Librat Autorët Blog Rreth Nesh
Mbi librin “Marshi Funebër i Gjelave të Detit”

Mbi librin “Marshi Funebër i Gjelave të Detit”

16 tetor 2024

Nga Dritan Sulçebe

“Marshi Funebër i Gjelave të Detit” i Koloreto Cukalit është një elegji për Tiranën. Për qytetin që ka qenë dhe që tashmë nuk është më. Plagët e së shkuarës, nostalgjitë, jeta e natës, parakalojnë në një Marsh Funebër Gjelash Deti tragjikomikë që sot na shëmbëllejnë aq shumë të gjithëve ne që kemi vendosur të jetojmë në këtë vend, ku absurdi është ulur prej kohësh këmbëkryq dhe tashmë shfaqet i pranuar si pjesë e pandashme e së përditshmes. Poezia e Cukalit bart në vetvete një shpirt të lirë, që endet mes muzikës së brezit të tij në një drejtim ëndrrash apo vegimesh të largëta, që dinë të na rrëmbejnë përgjatë gjithë poezive, duke zbuluar kështu mahnitjen për qafat e grave, kanarinat e dikurshme diku në rrugën e Durrësit, Alda Merinin, katedralet, detin bashkë me sirenat dhe marinarët apo fizarmonikat e vjedhura në Shtëpinë e Pionerit.

 Libri fillon me kapitullin Poezi Shtëpie, ku autori ndërmend rininë e  tij të hershme:

Do të bjerë shi dhe sonte,

Ca njerëz do të lagen,

Si unë në 92-shin

Dhe viti 92 është pikërisht ai guri kilometrik që peshon në çdo faqe të librit, ku botët ndahen dhe jeta e poetit, si dhe mbarë qytetit pëson një krisje të pandalshme. Kapitulli “Viti Zero 1992” trajton këtë kapërcim epokash që në një mënyrë ose tjetrën vijon të shënjojë jetën tonë, duke na sjellë në kujtesë atmosferën e asaj kohe pritshmërish të mëdha, por dhe një lloj ankthi të madh ekzistencial për vitet e trazuara që do të vinin më pas.

Ndërsa kapitulli “Poezi Baresh”, është në vetvete një hartë boheme e jetës së natës së kryeqytetit, që zbulon mikrokozmosin e brishtë të një përpjekjeje të gjithëkohshme për të mundur kotësinë, sunduar mbi vdekjen e për t’u harruar mes hedonizmit. Nga ana tjetër, poezitë që kanë në qendër detin, shprehin një dëshirë të nën-vetëdijshme për t’u shkrirë mes përjetësisë, ndërsa marinarët janë pikërisht ato qeniet e lakmuara që nuk i druhen asnjë lloj rreziku tjetër përpos Rekuiemit të Brahmsit. Siç thotë dhe vetë autori:

Është fat 

që marinarët nuk shkojnë kurrë në Opera,

aty ku Requiemi i Brahmsit thërret për poshtë.

Gjokset e tyre

Dhe kjo është e provuar

Nuk i përballojnë koret,

Sirenat,

Katedralet.

 Poeti nuk harron të grishë lexuesin, duke shtruar në fund të poezisë së fundit pyetjen që në të vërtetë shërben vetë si përgjigje: “ A jeni të lumtur?”,  shfaqet si një thirrje për reflektim apo arratisje nga realiteti shtypës që na rrethon në të tashmen.

Më takon të them që duke e njohur poetin prej kohësh, në përmasën e tij idealiste si në shoqërinë civile ashtu dhe në gazetari, “Marshi Funebër i Gjelave të Detit” ështe veçse stacioni i radhës i një rrugëtimi të gjatë për të gjetur kuptimin e asaj çfarë ka ndodhur dhe që aktualisht po ndodh në shoqërinë tonë. Në këtë rast, poezia ka shërbyer si një medium për të shfaqur anën më idealiste të autorit, që përmes këtij libri ka vendosur të na kredhë në një nostalgji të pacak, pa harruar të sublimojë besimin te dashuria, si mundësia e fundit për ta shpëtuar njeriun nga rrënimi.