Kandrra Logo Kandrra Botime
Librat Autorët Blog Rreth Nesh
Guximi për të qenë i brishtë

Guximi për të qenë i brishtë

22 tetor 2024

Nga Sheila Rexho


Sot na janë shtuar autorët, terapistët që të japin një dorë se si të mos jesh vetvetja. Thënë ndryshe në leksikun komercial : Të qenët versioni më i mirë i vetes. 

Në epokën e sotme, literatura për të përvetësuar artin e dashurisë mbush rafte të panumërta librarish. Nga librat e dedikuar njohjes së femrave, meshkujve apo marrëdhënieve në çift, secili prej tyre duket se të servir një recetë për të arritur në atë që si shoqëri e kemi pagëzuar si “dashuria e përkryer”. Sot më frymëzoi reklama e një botimi të ri në shqip, “Fuck Him”, nga Brian Nox, i cili me herët ka tërhequr vëmendjen e lexuesve në botë, duke shkaktuar një debat mbi mënyrat e të menduarit për sa i përket marrëdhënieve romantike.

Libri ofron një perspektivë provokuese, paksa feministe, duke i inkurajuar femrat të ndihen më të forta se kurrë. Megjithatë, mes mesazheve për “t’u mbrojtur “ nga “palo burrat”, kumtohet një thirrje ndaj rishikimit të intimitetit në çift në bazë të dinamikave të rastit.

Por a duhet konsideruar dashuria si një luftë për pushtet? A ka kuptim të krijosh manuale dhe lista rregullash kur në fund të fundit ajo që ne kërkojmë është një lidhje autentike? Nox, me këshillat e tij për fuqizim, na fton ta konsiderojmë veten si “CEO” të ndjenjave tona. Por a ndihmon kjo qasje për të ndërtuar marrëdhënie të sinqerta apo thjesht na bën të ndihemi më të fuqishëm brenda boshllëkut tonë emocional?

Marrëdhëniet dashurore, që dikur shiheshin si rrugëtime ku trajektoret emocionale përballoheshin së bashku, sot shfaqen si kontrata të akullta, ku ndjeshmëria është mirëfilltazi e ndaluar, ndërsa individualizmi inkurajohet gjithnjë e më shumë. Mirëpo nëse jetës dashurore i mjafton “ndihma” nga një libër motivues, a është ajo vërtet dashuri, apo thjesht një shfaqje e re e individualizmit, e paketuar bukur me fjongo te kuqe?

Dhe kur flasim për “kuptimin” e dashurisë, është interesante të vëmë re se shumë prej nesh e shohin atë si një “bllokim”, një pengesë ndaj rutinës, ritmit, zhvillimit apo suksesit personal. Nëse duam te jemi të hapur, ndjenja dhe emocione të tilla shpesh konsiderohen kurthe të përbuzura nga një shoqëri e cila lartëson/ glorifikon egon & individin. Një literaturë e tillë na sugjeron të krijojmë një skenar të qartë, në te cilin njëra palë duhet të jetë protagoniste dhe tjetra thjesht figurë pasive e një drame romantike. Por, a mund të gjëndet një barazpeshë mes këtyre udhëzimeve dhe nevojës tonë njerëzore për të jetuar një marrëdhënie sa më të të vërtetë? Nëse nuk jemi të gatshëm të pranojmë se dashuria kërkon guximin për të qenë i brishtë, atëherë a jemi ne vërtet të interesuar për të dhenë nga vetja apo për të dashuruar?. 

Më kujtohet një psikanalist gjerman shumë i dashur për mua, Erich Fromm, i cili në veprën e tij “Arti i të dashuruarit” citon se dashuria kërkon durim, disiplinë, përqendrim dhe tejkalimin e narcizismit.

Kështu, ata që kërkojnë dhe besojnë ende në magjinë e dashurisë, mund ta rikrijojnë apo përjetojnë atë si një formë të mirëfilltë arti, dhe jo si një detyrë të thjeshtë administrimi —sepse, në fund të fundit, a nuk jemi të gjithë të projektuar për t’u dashuruar në mënyrat tona? A nuk duam të gjithë të jemi më shumë se thjesht statistika në studimet mbi marrëdhëniet në çift?