Kandrra Logo Kandrra Botime
Librat Autorët Blog Rreth Nesh
Kohë Astrale (pjesë e shkëputur nga libri)

Kohë Astrale (pjesë e shkëputur nga libri)

9 nëntor 2024

Dritan Sulçebe ©

Kohë Astrale – Toena 2022

Një ditë, kur m’u desh të marr një dokument në zyrën e saj, që për fat e gjeta të boshatisur, në ekranin e lënë hapur pikasa fotografinë e tij. I qeshur bri një rrokaqielli madhështor, ai kishte hedhur vështrimin për nga qielli, duke kumtuar në titullin e postimit frazën e pashmangshme në këto raste: “Sky is the limit”. Malli që më pushtoi ishte ngadhënjyes ndaj gjithë përpjekjeve të mëparshme për frenimin e ndjenjave të mia për të. Kështu, mbeta e hipnotizuar përpara kompjuterit duke shfletuar me radhë të gjitha fotografitë dhe postimet e Alketit apo edhe të bashkëshortes së tij. Pamjet me restorantet plot shkëlqim, buzë Hudson-it apo East River-it, nga ku shkëlqenin gatime japoneze, tajlandeze, koreane dhe italiane, baret me kokteje luksoze, të cilat zakonisht gjendeshin në tarracat e hoteleve me pesë yje që shihnin për nga peizazhi madhështor i rrokaqiejve të Manhattan-it, Brooklyn-it ose Nju-Xhersit, teatrot në Broadway me shfaqje nga më famozet dhe kinematë alternative në Village-in bohem, sfilonin të gjitha njëra pas tjetrës mes haresë së çiftit më të dashuruar se kurrë. Puthjet, shikimet intime sy më sy, përqafimet dhe shtrëngimet e duarve nuk i ndaheshin asnjë fotografie dhe unë më xheloze se asnjëherë, i përjetoja të gjitha këto porsi goditje të hidhura që m’i mpaknin përherë e më shumë shpresat e mekura për ndonjë kthesë të çmendur të fatit në dobi të një bashkimi të mrekullishëm me dashurinë time.

Në rrugën e kthimit për në shtëpi, pasi isha endur më parë me orë të tëra në kompjuterin e Stelës duke përgjuar postimet e jetës së çiftit të ëndrrave, më kaploi një trishtim gri i pacak që më mbështolli të tërën sikur një cohë e errët nga e cila nuk arrija të çlirohesha dot. Më dukej vetja e mjerë, e dënuar për të jetuar ndanë baltës së provincës duke u dhënë pas iluzioneve të marra, që më fundosnin edhe më tepër drejt një dëshpërimi që nuk kish fund. Ndodhte që të kishte ditë, ku disa shkëndija të papritura optimizmi më bënin që të ndryshoja sjellje; të psonisja nëpër shitore të shtrenjta për ndonjë fustan të modës jo shumë larg elegancës Nju-Jorkeze, apo ndonjë bizhuteri alternative, që do t’i shtonte pamjes sime ndonjë nuancë karakteristike përtej monotonisë së stilit të shumicës së vajzave rrotull, që tashmë i konsideroja si tmerrësisht provinciale për shijet e elaboruara të metropoleve përtej oqeanit. Por sërish, sado të guximshme, këto përpjekje nuk arrinin dot të më largonin për shumë kohë nga mërzia e së përditshmes apo nga ai obsesion shkatërrimtar, që unë e merrja fatalisht për dashuri. Dhe kështu e mundur, i dorëzohesha sërish orëve të panumërta përpara kompjuterit, duke konsumuar pamjet e atij realiteti aq të lakmuar. Fotografi pushimesh në Florida apo Karaibe, me plazhet e me rërë të bardhë, ku ajo shpërfaqte linjat e saj magjepsëse, ndoshta edhe të stolisura pak edhe me fotoshop, por kjo pak rëndësi kish, dhe ai si përherë i lumtur nën një aureolë krejtësisht të huaj, pa asnjë lidhje me ditët e shkuara; pamje nga festa nëpër mjedise mondane, me miq të etnive nga më të ndryshmet dhe postime mbi temat e ditës në politikën amerikane dhe ndërkombëtare, përherë duke përmbajtur citime nga opinionistët më në zë të “The Economist”, “New Jork Times”, “CNN”, “The New Yorker” dhe mediave të tjera me famë globale, që ndërthureshin herë pas here me ndonjë citat që i atribuohej Çërçillit, Barak Obamës apo Yuval Harari-t. Alketi dhe Sara ishin të paarritshëm, prototipa të përkryer të të qenët “cool” dhe avangardë kozmopolitë të mirëfilltë, të paktën kështu më dukeshin mua asokohe në mes të dëshpërimit të asaj jetës sime aq mediokre. Për muaj me radhë qëndroja përditë pas orarit zyrtar, duke përgjuar profilet sociale, ndonjëherë deri në orët e vona të natës. Tanimë, kisha skicuar një hartë të mirëfilltë të jetës së tyre të përditshme: Zgjimi në gjashtë e gjysmë të mëngjesit, vrapi nëpër “Central Park” deri në orën shtatë e gjysmë, që shoqërohej më pas me një mëngjes të bollshëm me drithëra, vezë të rrahura, një bollëk frutash të freskëta, të shoqëruar me tasa të mëdhenj kafeje dhe lëng portokalli. Këtu rrugët e çiftit ndaheshin, pasi Alketin e priste puna që fillonte rreth orës 09:30, ndërsa për Sarën kjo kohë i dedikohej kursit të jogës, që mbaronte afër mesditës, ku çifti bashkohej sërish për një sushi të lehtë diku nëpër kthinat e Wall Street-it. Pas dreke, ajo shëtiste nëpër qendrat tregtare të zonës dhe kur kthehej në shtëpi, pasi lexonte për ndonjë orë librat e parapëlqyer biografikë për gratë më të famshme të rruzullit, të tilla si Margaret Thatcher, Eleanore Roosvelt, apo Amelia Earhart, i përkushtohej mandej përgatitjes së darkës, që çdo ditë përmbante pjata nga skaje të ndryshme të botës. Më kujtohet një postim që më pat bërë shumë përshtypje. Ajo, e veshur me një fustan të bukur blu, të zbukuruar me disa dragonj të kuq të tipit “Çeongsam” mëndafshi kinez, i  kishte bërë vetes  një “selfie”, duke shfaqur krenare një rosë pekineze të porsanxjerrë nga furra. Në fytyrë kishte të konturuar një të qeshur triumfuese për hir të sfidës kulinare të porsakapërcyer, ndërsa fotografinë e kishte përshkruar me disa fjalë që plotësonin klishenë, të llojit: “Chinese dinner for my love”. Darka ishte shoqëruar me një “Bodeaux” të vjetër, konsumimi i së cilës shoqërohej me fotografi dhe komente të shumta. Sigurisht të gjitha postimet ishin në anglisht, pasi gjuha jonë tanimë paraqitej e dalëboje, jashtë përmasave të jetës shumëngjyrëshe nju-jorkeze. Ishte e habitshme se gjithçka nga jeta e tyre dokumentohej me imtësinë më të madhe, që arrinte deri te raportimi i marrëdhënieve intime, të cilat ashtu si dhe gjithçka tjetër ndodhte në mënyrë sistematike, rutinore, mbrëmjeve të të mërkurave dhe të të shtunave, duke u pasqyruar me ndonjë foto nënkuptuese mbathjesh të hedhura shkujdesshëm kuturu në dhomën e gjumit apo krevatit të shpupuritur nga përleshjet romantike të çiftit pasionant. Sa lot kam derdhur duke përfytyruar dashurinë e tyre! Sa herë jam gjendur buzë vetëvrasjes, e mposhtur nga dëshpërimi që ndillte ajo lumturi aq e përkorë, që duhet të më përkiste mua dhe askujt tjetër, pasi Alketi ishte fati im i mohuar nga një padrejtësi e përbindshme që nuk e duroja dot më. Universi vërtet nuk kishte as më të voglën mëshirë, që në vendin tim kishte fronëzuar pranë tij një krijesë aq të rëndomtë si Sara. Jo, ai nuk mund të ishte i lumtur.

Fotografitë, videot dhe postimet galduese ishin gënjeshtare, se, në të vërtetë, ai ishte i humbur në një jetë të programuar prej tjetërkujt, që absolutisht nuk bënte për të. Herët a vonë ai do të ndërgjegjësohej për mediokritetin e gruas që kishte në krah dhe atëherë unë do të dija të bëja lëvizjet e radhës për ta bërë atë timin njëherë e mirë. Këto gjëra atëherë i mendoja vërtet. Sa e marrë që kam qenë, sot as vetë nuk e besoj dot! Pika e rrënimit tim përfundimtar erdhi një ditë, kur gjatë kafesë së mëngjesit, Stela hodhi fjalën se gjatë një telefonate që kishte pasur më parë me Sarën, kjo e fundit kishte aluduar për një shtatzëni të mundshme. Kur e dëgjova, u shtanga plotësisht, fytyra më mori një ngjyrë të verdhë dylli, aq sa koleget nisën të më pyesnin nëse isha e sëmurë. Me t’u gjendur vetëm në zyrë, nisa të ngushëllohem me idenë se gjithçka duhet të kishte qenë një keqkuptim banal nga ana e Stelës, e cila nuk është se dallohej për ndonjë zgjuarsi të spikatur. U qetësova dhe prita deri në mbarimin e orarit zyrtar për të kryer verifikimet e nevojshme. Zemra nisi të më rrahë fort, teksa në pasditen e vonë, atëherë kur të gjithë ishin larguar nga puna, nisa të çapitem nëpër korridor duke iu drejtuar zyrës së Stelës. Në profilin e Alketit, ashtu si dhe në atë të Sarës, nuk pikasa asgjë të re. Mora frymë thellë e lehtësuar, duke menduar se jo vetëm që shtatzënia nuk ishte reale, por, në të vërtetë, thashethemet mbi këtë gjë mund të ishin përhapur nga vetë Sara, për të mbuluar ndonjë krizë bashkëshortore të nëndheshme. Më kaploi një ndjenjë gëzimi. Nisa të përfytyroj sherret e tyre gjithnjë e më të shpeshta, që domosdo herët a vonë do të kulmonin në krisjen përfundimtare të asaj martese të destinuar për të shkuar drejt shpërbërjes. E kur të vinte ajo ditë, ishte e natyrshme që Alketi do të rikthehej sërish në atdhe për t’u ngushëlluar pranë vatrës së vjetër dhe këtu, unë, tashmë një njeri krejt i ndryshuar në krahasim me atë vajzën e ndrojtur dhe provinciale të së kaluarës, do t’i gjendesha pranë, duke e bërë timin njëherë e përgjithmonë. Mirëpo ëndrrat me sy hapur pësuan një goditje të beftë sapo nga zëpërçuesit e kompjuterit ia behu një tingëllimë e butë lajmërimi. Me ankth në zemër pashë që te njoftimet u shfaq një fotografi e errët dhe e padeshifrueshme, që buronte pikërisht nga profili i Sarës. Pasi e klikova, në ekran u hap pamja e një ekografie, në të cilën dallohej trajta e një fetusi. Postimi i titulluar “So i guess it’s gonna be three of us now” ndiqej nga lajmërimet e përbotshme: #BabyGirlonTheWay dhe #Grateful. Nuk i besoja dot syve! Si nuk kisha kuptuar asgjë gjatë gjithë asaj kohe, duke i përgjuar ata përditë? Me një fëmijë në horizont shpresat e mia iluzore pësonin një goditje shkatërrimtare. M’u errën sytë, dënesat më erdhën me të dridhura dhe shumë shpejt e gjeta veten përtokë, duke u dergjur e pandërgjegjshme për orë të tëra me radhë. Nga mesnata arrita të largohem nga puna, por nuk doja që të shkoja në shtëpi. Vetmia më trembte tej mase, kështu u drejtova pikërisht për këtu, te “Kandrra”. Nuk më kujtohet sa kam pirë, por duhet të ketë qenë bukur shumë, përderisa nuk mbaj mend asgjë për mënyrën sesi përfundova në mëngjes në shtëpi në shoqërinë e një mashkulli, të cilit, sot arrij t’i ndërmend vetëm duhmën e aromës së parfumit të përzier me duhan dhe djersë. Nuk dola nga shtëpia për më shumë se dhjetë ditë. Pasi u denda me qetësues të fortë, që ende nuk e kuptoj se si u kam mbijetuar, gjithë këtë kohë e kam kaluar më shumë e fjetur sesa e zgjuar. Ëndrrat i kisha të trazuara; herë shihja vëllanë tim duke u mbytur në det dhe herë të tjera e takoja atë të gjallë në një vend të huaj, ku jetonte bashkë me familjen e tij të re. Më fanitej vetja ime e vogël dhe prindërit që më mbulonin me dashurinë e tyre, e cila atëherë po më mungonte më shumë se çdo gjë tjetër. Por të shumtën e kohës ëndrrat më çonin pikërisht te burimi i fatkeqësisë sime. Qenia e Sarës zvetënohej dhe rolin e saj e merrja unë, që tanimë e zëvendësoja plotësisht në një jetë tjetër, kësaj radhe të thadruar plotësisht në përputhje me dëshirat e mia. Aty ne ndërmerrnin udhëtime të gjata nëpër vende ekzotike aq shumë të lakmuara nga ana ime. Plazhet e Tajlandës, rrëmuja e Kajros dhe Delhit, piramidat madhështore të Egjiptit, tempujt e Maçu Piçut dhe Angor Vati, kruazierat luksoze nëpër Karaibe me festat e shfrenuara mondane, që kulmonin në takime spontane yjesh Hollivudi, të cilët nuk ngurronin asnjë çast të më mbulonin me komplimente mbi paraqitjen dhe bukurinë time të pashoqe, përjetoheshin të gjitha si plotësisht të vërteta deri në imtësitë më të vogla, duke filluar nga shija dhe aromat e ushqimeve në katër cepat e globit e deri te grindjet lojcake që kishim herë pas here si çift. Mos flasim pastaj për dashurinë, që as në imagjinatën time më të shfrenuar nuk e kisha përjetuar dot aq të mrekullueshme. Dhe kulmi i asaj lumturie imagjinare u kurorëzua me lindjen e djalit tonë. Momentet më të bukura teksa ai rritej nën sytë tanë, kalonin magjishëm. Isha një nënë e lumtur dhe e dhembshur, që tregonte kujdesin më të madh për rritjen sa më të mbrothët të fëmijës së saj. E ndihmoja të bënte detyrat, luaja me të sa herë që donte, duke e llastuar pamasë dhe natën i qëndroja pranë derisa e zinte gjumi. Gjatë fundjavave, Alketi na dërgonte në shtëpinë tonë të plazhit, ku qëndronim të tre së bashku, duke iu dorëzuar shëtitjeve të gjata buzë detit, mësimeve të notit dhe qetësisë që ngjallte ajri i detit dhe natyra e harlisur. Mjerisht këto çaste nuk arrita dot t’i shijoj deri në fund, pasi një trokitje brutale në portë, që u ndoq nga shpërthimi i saj po aq shtazarak, arriti të më zgjonte nga ai gjumë, që më kishte bekuar me jetën që e kisha kërkuar me aq ngulm përgjatë gjithë ekzistencës sime…