NJË RELIKT
12 nëntor 2024
Ylli Demneri ©

Mes librave në shtëpinë time në Tiranë, e dallova menjëherë kopertinën prej kartoni të kuq, që e kisha sajuar vetë vite më parë : portreti i Remarkut vizatuar me laps si dhe sfondi me bojë kine të shtuar më vonë nga Gëzim Tafa, një mik i viteve të shkollës. Ashtu e mbaja mend atë libër : të lodhur nga përdorimi, shfletimi, leximi e rileximi. Duke kaluar dorë më dorë. Kishin kaluar mbi dyzet vjet nga kontakti i parë.
Lexohej fshehurazi. Roman i ndaluar që pas botimit të tij në vitet ’60, ai kishte lënë gjurmë në disa breza shqiptarësh. Nuk besoj që të ketë vend tjetër në botë ku ai libër të ketë pasur aq admirues sa në Shqipëri (më vonë do të konstatoja se në Perëndim “Tre shokët” ishte pothuajse i harruar).
Përse ky roman kishte lënë aq gjurmë? Kësaj pyetje po mundohesha që t’i përgjigjesha gjatë kohës që avioni më transportonte nga Tirana në Paris me librin e Remarkut në çantë. (Isha i sigurt që nuk do ta rilexoja, por e kisha marrë me vete nga frika se mos humbiste gjatë mungesës time, atje. Një libër që kishte shoqëruar gjithë rininë time, ai tashmë, ishte kthyer në një relikt.)
Nxora bllokun e hodha disa shënime:
- Pa dyshim, historia sentimentale mes Robit e Patit ka prekur zemrat e të rinjve shqiptarë. «Sistemet totalitare favorizojnë mbylljen melankolike të vetvetes. Momenti estetik kthehet në një mjet distancimi në raport me botën.» — një frazë e shkruar në një nga muret e ekspozitës « Melancolie. Génie et folie en Occident »— hapur në Paris para disa vitesh. Por nuk duhet të ishte vetëm kjo arsyeja, në Shqipëri qarkullonin dhe libra të tjerë sentimentale.
- Dihet që në një tekst kemi po aq lexime sa dhe lexues, por të lexuarit që lexuesi shqiptar i viteve të diktaturës i bëri këtij romani duhet të jetë një nga paradokset më të mëdhenj. Ndryshe nga autori që kishte dashur të tregonte historinë e tre miqëve të vrarë shpirtërisht nga Lufta e parë botërore e që provojnë të mbijetojnë vitet e krizës në Gjermaninë e Weimar-it, lexuesi shqiptar i atyre viteve, romanin “Tre shokët” e pa dhe e perceptoi më shumë si romanin e një jetë të lirë. Personazhet e librit kishin veturën e tyre (simbol i lirisë individuale), mund të pinin konjak e pije të tjera pa u thënë gjë njeri dhe pa u parë shtrëmbër nga shokët e partisë (gota e konjakut mbi tavolinën e kafe Florës apo kafenesë së Pallatit të kulturës, ishte imazhi i një jete moderne), mund të jetonin të shkëputur nga familja pa u dënuar nga opinioni publik, mund të dashuroheshin krejt të lirë ashtu si Pati me Robin pa ndjerë peshën e Partisë dhe të familjes. «Morali» i rreptë komunist kishte përforcuar moralin tradicional ballkanas. Vetë divorcet e shumta që ndodhen në vitet ’90, fill pas rënies së komunizmit, treguan peshën e kësaj shtypjeje, ato qenë shprehje e këtyre lidhjeve të sforcuara.
- Një pjesë e të rinjve situatën e tyre nën diktaturë e identifikuan me atë të brezit të humbur. Madje dhe ata që nuk patën ndierë direkt luftën e klasave. Ndryshe nga dekoret ekzotike të romaneve të Heminguejt (një tjetër përfaqësues i brezit të humbur), ngjarjet te “Tre shokët” zhvilloheshin në një dekor urban popullor (stacioni i benzinës, baret, kafenetë, banesat modeste, etj). Kjo atmosferë e bënte dhe më të lehtë identifikimin me personazhet.
- Edhe pse ngjarjet në libër zhvillohen në Gjermaninë e viteve ’30, për lexuesin shqiptar të asaj kohe që kishte mundësi të lexonte vetëm një pjesë të letërsisë botërore (shekujt XVIII-të e XIX-të si dhe fillimet e shekullit të XX-të), romani “Tre shokët” shikohej si një roman modern. Duke patur parasysh që koncepti “bashkëkohor” ngatërrohej me konceptin “modern”.
- Libri “Tre shokët” qe romani i një atmosfere të trishtuar, i asaj atmosfere që egzistonte realisht në Shqipërinë e Enver Hoxhës, por që lexuesit shqiptarë nuk e gjenin në asnjë roman të realizmit socialist. Jo vetëm në romane, por në asnjë vepër artistike të asaj kohe; qofshin ato teatrale, kinematografike, pikturale, muzikore, etj. Romani “Tre shokët” ngjante me ato tekste këngësh realiste të shkrura me fjalë të thjeshta, por që të emocionojnë deri në lot, kur qëllon t’i dëgjosh i vetëm brënda një kafeneje të zbrazur, në një ditë me shi, diku në periferi. Romani “Tre shokët” ishte dhe romani i këtyre fjalëve të munguara.
- Ndoshta për këtë arsye ai ngjiti tek lexuesi shqiptar. Fakti që ai e humbi atë tërheqje pas rënies së diktaturës e përforcon këtë hipotezë. Madje për një pjesë të lexuesve të djeshëm, Remarku nuk është më një nga shkrimtarët më të mëdhenj. Vitet në mërgim dhe kontakti me autorë të tjerë, të ndaluar rreptësisht dikur nga komunistët, i kanë bërë të kuptojnë se ai nuk është autori modern me të cilin krenoheshin në bisedat mes tyre, në burgun e madh që quhej RPSSH.
- Nuk është rastësi që librat e Remarkut u dogjën nga nazistët dhe u ndaluan (po një lloj djegieje) nga komunistët, sepse ato i flisnin njerzëve dhe jo koncepteve ideologjike si Njeriu i ri komunist apo Njeriu i ri nazist. Prandaj nuk është çudi që në regjimet diktatoriale, të majta apo të djathta, do të gjejmë të njejtat shprehje si : “art i degjeneruar”, “autorë të ndaluar”, etj.
Megjithatë, ai mbetet një objekt që më ngjall emocione sot e kësaj dite. Ai ishte shoku i muzgjeve të trishtuara kur ecja rrugëve të Tiranës mbërthyer nga errësira e frika, me të vetmet këpucë me qafa që edhe pse të riparuara disa herë, nuk arrinin të më mbronin këmbët nga shiu.