Shtëpi, shtëpiza ime
24 nëntor 2024
Jazra Khaleed Grozni © (Kandrra Botime 2024)

Jetojmë në kohë të huajtur nga vejushat e Srebrenicës;
peshon tonelata hekuri kujtesa,
është e galvanizuar, nuk oksidohet,
polarizohet, bën dallime mes njerëzve;
këtej rebeli, andej mercenari,
këtej nëna, andej vrasësi,
këtej punëtori, andej pronari,
këtej ai që harron,
andej ai që bombardon.
Kështu ra Srebrenica, e rrethuar dhe këmbëzbathur;
ra sepse e harruam duke u zmbrapsur,
ra se nuk mundëm t’ia ruajmë kujtesën,
qemë të paarmatosur nga duart gjer te koka;
i ka gjunjët e përgjakura harresa nga disfata jonë klasore,
mbasi para se të binte Srebrenica, kishim rënë ne,
pa rrethim, pa topa, pa luftë.
Kështu ra Srebrenica;
pashë Greqinë tek hiqte vetullat,
pak para se të organizonte togat e ndërhyrjes,
pak para se të ngjitej në skenë;
turmat në sallë,
duartrokisnin vrasjet e emigrantëve,
përdhunimet e grave myslimane,
fitoren e qytetërimit,
triumfin e demokracisë,
striptizin e klasit të parë
Pashë fëmijë të hidhnin gurë në tanke,
eshtakë, të pamëshirshëm,
fëmijë që loznin kukafshehthi në rrënoja.
Ushtarë, që shënjonin me simbolin e
flamurit bardhë e blu mbështjellë në krah;
“jo, jo fëmijët”, këlthita,
“fëmijët nuk janë e ardhmja, janë e shkuara jonë”.
“Fëmijët janë molepsur nga koha,– m’u përgjigjën, –tashmë është vonë për ta”.
Hellas, piva qumështin tënd, por ti kurrë nuk më deshe
(sa fëmijët e tu nazistë).
Ndaj më quaj të huaj;
më ka bekuar dora vetë, Krishti
më urrejnë porsi atë, të huajin e përbotshëm.
Po, flas seriozisht, jam ky i huaj,
rreziku publik numër një për kapitalizmin,
jam ngjyra e zezë e punës,
banoj në çdo çast të historisë.
Më shesin në farmaci në trajtë barnash,
me duart e mia kam lindur çdo qytetërim;
por ku ndodhem unë në këtë metaforë?
Tall punën me mëditje, e pështyj sapo kthen shpinën,
i vjedh adidaset, pasi s’jam dokushdo,
nuk jam si ajo; vij para saj.
Po ku janë shokët e mi?
Shokët e mi vdesin nga pesha e kujtesës,
shokët e mi vriten në miniera,
shokët e mi varrosen në varre masive,
shokët e mi torturohen në kampe përqendrimi,
shokët e mi vdesin për shkak të kohës.
Hellas, Hellas, bastardë, i lava duart me ju, bastardë!
Zjarr,
zjarr,
zjarr.