Në kërkim të validimit: Fasada e Titujve të Vetë-imponuar
16 korrik 2024
Nga Sheila Rexho ©

Kisha kohë që bluaja për të shkruar në lidhje me këtë tematikë, ndërkohë që prisja mbushjen e kupës, asaj të frymëzimit.
Tashmë jemi mësuar të jetojmë në një botë ku likes-et në Facebook & Instagram, “endorsements” në LinkedIn dhe “retweet-et” në Twitter na janë kthyer si njësi matëse të validimit. Ne duam të ndihemi “seen”, “të famshëm” dhe të admiruar nga të njohur e te panjohur. Është një dëshirë thelbësisht njerëzore, por pyetja ime është, a po e shprehim këtë në mënyrën e duhur? Si perceptohemi tek ata që nuk na njohin?
Sot, ne po zhytemi me kokë në ujëra krejt të turbullta të validimit dhe titujve shpesh falsë, të cilat njerëzit ia atribuojnë vetes me krenari. Me vjen ndërmend analiza, që një nga mendjet e bukura, siç është Mark Manson, bën për fenomenin në fjalë.
Që nga momenti kur vijmë në këtë botë, ne kemi pashmangshmërisht nevojën për vëmendje. Si fëmijë, është miratimi i prindërve dhe mësuesve tanë. Si të rritur, është një kërkim që shtrihet përtej miqësive, marrëdhënieve romantike dhe karrierës sonë. Të gjithë duam të vlerësohemi për atë që jemi dhe çfarë sjellim në tryezë.
Kjo nevojë e brendshme për validim nuk është domosdoshmërisht një aspekt negativ; në fakt, shpesh është forca shtytëse pas arritjeve tona.
Por ja ku e gjitha bëhet e ndërlikuar:
Iluzioni i titujve të vetë-imponuar
Në epokën tonë të selfie-ve dhe përditësimeve të statusit, tundimi për të zbukuruar arritjet dhe aftësitë tona është më i fortë se kurrë.
Sa herë e keni parë dikë të etiketojë veten si “influencer”, “ekspert”, “digital creator” ose tituj të tjerë pa ndonjë kredencial apo përvojë të vërtetë për ta mbështetur atë? Është sikur kufiri midis autenticitetit dhe artificializmit është bërë më i paqartë se kurrë.
Dhe nuk ka të bëjë vetëm me titujt që i japim vetes; është e gjithë fasada që ne krijojmë. Filtrat e Instagramit, profilet e LinkedIn të kuruara me kujdes dhe bio-t e Twitter të krijuara në mënyrë perfekte, të gjitha kontribuojnë në këtë imazh që ne i propozojmë botës. Por a është ai imazh një pasqyrim i vërtetë i asaj që jemi?
Tani, le të kthehemi te njohuritë e Mark Manson, një zë arsyeje në këtë botë të zhurmshme të “self-help” dhe zhvillimimit personal.
Manson analizon thellësisht kompleksitetin e sjelljes njerëzore duke na bërë të vëmë në dyshim trazirat me të cilat përballemi shpesh, të nxitur nga dëshira për të kërkuar validim së jashtmi.
Ai na sfidon të shohim veten së brendshmi, të përballemi me pasiguritë tona dhe të përqafojmë shqetësimin që vjen me rritjen tonë të vërtetë. Dhe duke e bërë këtë, ai na kujton se validimi i vërtetë duhet të na vijë nga arritjet dhe kontributet tona të vërteta, pasi euforia pas pseudo miratimit zgjat pak.
Autenticiteti: Monedha e Vërtetë e Vërtetimit
Në këtë epokë titujsh të vetë-imponuar dhe personaliteteve digjitale, është jetike të arrihet një ekuilibër.
Sa prej jush janë zhgënjyer nga takime ku individë të caktuar kanë shitur virtualisht një reputacion të ngritur, me një fasadë të admirueshme pseudo arritjesh, ndërkihë që aty përballë nesh kemi parë një individ më se të zakonshëm? Individi për pakëz vëmendje shndërrohet në qesharak, në krijesë të vogël, të gatshme për të shitur identitetin. Dhe më shumë se kurrë, ne sot bombardohemi nga njerëz artificialë për të na motivuar se si te jemi gjithmonë vetvetja.
Eh, jemi nje gjenerate me brendësi miserablé & fasadë të lumtur.