Kandrra Logo Kandrra Botime
Librat Autorët Blog Rreth Nesh
Lojë Shahu

Lojë Shahu

30 dhjetor 2024

Maklena Nika ©

të paditur
(ndoshta ti di më shumë si luhet shah (edhe në jetë))
marrim kutinë e shahut të kalojmë disa kohëdreka të mërzitshme

nisim të mbushim 64 katrorët me ushtarë, torra, kuaj, oficerë
mbretëresha të bardha e të zeza kryeneçe
e mbretër fuqiplotë të fronëzuar mendjelehtësisht

gurët nuk mund të kapërcejnë njëri-tjetrin, ashtu sikurse gjërat e rëndomta në jetë
me të njëjtat ngjyrime
por mund të zënë rob gurët e njëri-tjetrit sikurse robërohesh në dashuri
dhe zëvendëson çdo gur të mëparshëm që rëndon në shpirt

ti, mbreti fuqiplotë dhe i dobët në të njëjtën kohë
që duket se mund të lëvizësh si të duash
goditesh diagonalisht
“shah” në sy

unë, mbretëresha hirëplotë bardh e zi
e lirë të lëviz si të dua, por jo mbi gurët e mi
mbi gurët e tu, aty ndaloj
asgjësoj mbretëreshën tënde të zezë (errësirën e jetës tënde)
dhe mbreti yt i zi detyrohet të lëvizë (drejt dritës sime)

torrat tanë mbrojnë njëri-tjetrin nga monotonia vrastare e ditëve të kota
oficerët tanë bashkëpunojnë dhe mbulojnë dobësitë e njëri-tjetrit
me kuajt e bardhë hedhim hapa të dyfishtë drejt mrekullive të dashurisë

nuk e dimë kush zuri mat i pari mbretin e kundërshtarit
por, ti u kape mat në sy
u ngurtësove nga frika e mos rrokadës (frika e dashurisë)
në heshtje, mbete në kuadratin tënd, në cep të tabelës së jetës, më i mbrojtur

unë, mbretëresha, nuk pranoj dorëzimin tënd,
propozoj të luajmë sërish
në kohëdrekat tona të mërzitshme…

Plazëm e Minuar

Kuadrate bardh e zi
mbretëreshë e bardhë mes gjakrrjedhjeve të ushtrive trojane
përballë mbretit të pangjyrë

mbretëreshë e ardhur nga mbretëria e qiejve
për të pushtuar plazmën e gjakut mbretëror

do triumfojë apo jo dashuria
mbi këtë plazëm të minuar
ndaj ngjarjeve aksidentale të jetës së rëndomtë

mbi plazmë të minuar lëviz gurët e copëzave të mbetura
duhet të fitojë
mbretëresha e qiejve
dhe mbretin ta gjunjëzojë mbi platelet e ngurtësuar në kuadrate

jetë a vdekje
kjo lojë shahu
me gurë të fashuar me të kuqen e dashurisë

shah mat në ADN-në tonë…