Kandrra Logo Kandrra Botime
Librat Autorët Blog Rreth Nesh
Këngë e re

Këngë e re

26 korrik 2025

Nurie Emrullahu ©

 

Kur të shërohem prej lemerisë së kohës,

do këndoj një këngë të re,

se unë s’do jem më kjo,

as dora ime

që shkund krahët halore të engjëjve.

Një këngë e re

do t’u këndohet dritareve të marrta,

teksa ti me thonjtë e bardhë të viteve çjerrë natën,

e nga vrima e çelsit do t’u këndohet dyerve të përgjimeve,

teksa jetën tënde e mat me prekje

në shtratin ku u mbarse me të nesërme

dhe prekja jote nuk gjen fundin…

Se ajo nuk qe kurrë e nesërmja jote,

gjithnjë qe e atyre që i dhanë zë kësaj kënge,

që të bindën se ata t’i falën

edhe kohën edhe qumshtin edhe bukën…

Madje goja jote qe goja e tyre,

sytë e tu qenë shikimet e tyre,

dhëmbët e tu hëngrën mish nga mishi i tyre…

Andaj tani fillo ta vjellësh gjithë këtë trup që s’është ti,

se ti je veç një kockë në të cilën mbahet varur coha e hollë

ku gjithkush mund të shikojë se ç‘përbindësh është njeriu.

Kjo këngë do t’u këndohet trupave

që shpresa ua ndërkall varret,

se gjithçka e mësuar gabim, nuk çmësohet më

e kjo folje as që ekziston –

fundja kush e di se ç‘qe e gabuar dhe e saktë?

Kjo këngë do t’u këndohet

të sëmurëve që nuk duan të shërohen,

që në ëndrra u faniten rrugë,

që i përpin tmerri i trupit.

Do ta këndojë bashkë me mua këtë këngë,

ai që do të bëhet nënë për nënën e tij

dhe babë për babanë e tij,

dhe do të shpikë përralla për ata,

dhe do të shpikë një fat që nuk është,

dhe do të veshë po ato ngjyra

dhe do të qajë për ëndrrat e tyre…

Se traumat trashëgohen

dhe si në luftë ashtu edhe në natyrë,

e pëson gjithnjë më i vogli,

gjithnjë një këmbë e madhe

nuk sheh se kah shkel.

Do të përshkohet kjo këngë njerëzore

nëpër duar që s’vyejnë si duar, se ata që i kishin

krehën të nesërmen me thonjtë e tyre,

shkulën flokë dhe kujtesë.

Kjo këngë njerëzore do të vajtohet

nëpër sy që mbrujnë errësirën.

S’ka më erë të re lëkure,

ka veç erë mishi që kalbet ‒

teksa lexon këtë poezi,

teksa kundron hënën tej dritares sa sytë,

dhe kupton që vuan nga të gjitha sëmundjet.

Vuan edhe nga shpejtësia e ditëve

që vjellin marramendje me ngjyra,

me një diell që lind dhe perëndon në çast.

Shakullinë kjo jeta ime.

Ndal!

Ndalu këtu!

Një këngë do të vazhdojë të nxjerrë tymin e shpirtit,

do të përvidhet nëpër oxhaqet e varfërisë.

Varfëria ime që s’mungon në tryezë

që mbrëmjeve fryn nga dritarja,

që mëngjeseve del nga dera.

Një këngë krenare

që unë po e vazhdoj e që fund nuk ka…

Kjo këngë

që unë e urrej se është gjithë e vërteta ime,

që më trishton se s’ka asgjë të bukur,

që më është e brishtë si krahët e fluturës,

që mund të merret si çmenduri…

Kjo këngë e përbotshme,

e lidhur me veten,

me hijen,

me pasqyrën,

e përmotshme…

Kjo këngë

që këndohet nëpër harpat e dhëmbëve të mi,

nëpër flokët e mia ku qan një violinë,

nëpër gishtërinjtë e mi që e luajnë fatin tim në dy ngjyra…

Është qesharake se si mendoj

se kam për ta kënduar gjithmonë këtë këngë,

se kam për të qenë gjallë,

se zëri im ka për të qenë…

E imagjinon se unë përherë do të jem majë kodre

dhe do të kundroj fluturat, zogjtë, xixëllonjat?

Fluturimeve të tyre unë arrij t’u buzëqesh,

veç ata e dinë sa herë provoj të fluturoj

dhe rrëzohem në mendjen time,

përplasem në gjakun tim

dhe lë shenja që as duken, as humben…

Kjo do të jetë kënga ime që gjëmon,

siç gjëmojnë zërat në Olimp nga frika e harrimit dhe zhbërjes.

Gjithsesi diçka do të përcillet nga jeta në jetë:

ca pluhur perëndish tek njerëzit

dhe hiri im në këtë këngë.

Këngë e cila s’kërkon të mbahet mend,

e as kërkon zë të bukur,

përveçse një zemre të fortë për të çarë ditët e jetës,

njësoj siç çahet himena nga ku unë linda e para.

Këtë këngë do ta dëgjojnë

ata që do të presin dashuria t’u falet me dashuri

dhe shikimi t’u kthehet me shikim.

Do ta dëgjojnë ata që do të provojnë rritjen,

zhgënjimet e idealeve,

pritjet,

zërin që pas nuk u kthehet.

Atyre që qiriu u shuhet brenda dorës në një mot të hirtë

teksa zgjohen xurxull nga ëndrrat.

Dhe,

kjo këngë do të dëgjohet,

pak para muzgu

kur era qetësohet, kur drita mbyll portat,

dhe mbi kokën e njerëzisë fillojnë e çelin hije…