Kandrra Logo Kandrra Botime
Librat Autorët Blog Rreth Nesh
Intervistë me Skerdi Zahaj

Intervistë me Skerdi Zahaj

19 janar 2025

Intervistoi Sheila Rexho

Skerdi Zahaj krahas titullit Phd në psikologji klinike, profesorit në universitet, psikoterapistit, ndër të tjera i shtohet edhe ai i më te referuarit kur bëhet fjalë për psikoterapine.

Në studion e tij mbizotëron preferenca për artin. Një faqe muri, i ngjason një mini galerie me tablotë e famshme të serisë “ vetmia ekzistenciale” nga Edward Hopper. Një prej rafteve të bibliotekës “perfaqesohet” denjësisht me një foto portret të një tjetër ekzistencialisti te madh, Irwin Yalom.
Për mua si adhuruese e Hopper & Yalom në veçanti, kaq mjaftoi per t’i kërkuar Skerdit të ulet në poltronën përballë.

Ladies & gents the roles are being reversed 🙂
Per here te pare nje interviste ndryshe kushtuar letrave :

1. Libri që po lexoni aktualisht?

Në lidhje me librat letrarë, sapo kam përfunduar veprën “Vegjetariania” nga Han Kang, një narrativë të cilën e kam përjetuar si të fortë dhe tronditëse, e cila eksploron traumat psikologjike dhe brishtësinë e qenies njerëzore. Aktualisht, po lexoj “Gjithë dashnorët e natës” nga Mieko Kawakami, një tjetër libër që premton të thellojë përshkrimin e emocioneve komplekse.

Sa i përket librave profesionalë, kam përfunduar “Shame and Anger in Psychotherapy” nga Les Greenberg dhe kam filluar të lexoj “Hour of the Heart: Connecting in the Here and Now” nga Benjamin dhe Irvin D. Yalom. Siç duket, preferoj të lexoj letërsinë në gjuhën shqipe, ndërsa librat profesionalë i studioj në gjuhën angleze. 

 

2. Nëse ktheheni pas në fëmijëri, cili është libri që ka lënë gjurmë, persa i përket nxitjes së imagjinatës, apo përjetimeve që ende i ruani në kujtesë?

Një nga librat që ka lënë një ndikim të paçmueshëm është ‘Princi i Vogël’ nga Antoine de Saint-Exupéry. Ky libër është një thesar imagjinate, që shpërfaq thelbin e miqësisë, dashurisë dhe natyrës njerëzore. Vite më vonë, kur e lexova për herë të dytë për djalin tim, u habita nga mënyra unike se si i përshkruante këto emocione. Është një udhëtim emocional që i flet çdo brezi me të njëjtën fuqi.

 

3. A ka ndikuar ndonjë vepër apo autor në zbulimin/ zhvillimin e prirjes për psikoterapinë?

Zhvillimi i prirjes time për psikoterapi ka pasur ndikime nga shumë psikoterapistë, por më se shumti nga Irvin Yalom! Në fillim, isha i impresionuar nga perspektiva e tij ekzistencialiste, e cila thekson konfliktet e brendshme të individit, të cilat lindin nga përballja me pyetje ekzistenciale si vdekja, izolimi, kuptimi i jetës dhe liria. Më vonë, vura re ndikimin e perspektivës së tij ndërpersonale, e cila nënvizon se njeriu vuan nga pamundësia për të krijuar, zhvilluar dhe ruajtur marrëdhënie të afërta dhe autentike me të tjerët.

4. Cili është autori që sipas jush zbërthen përsosmërisht aspektin psikoemocional të njeriut?

Asnjëri në veçanti! Modelet e ndryshme teorike që përshkruajnë personalitetin njerëzor plotësojnë njëra-tjetrën në mënyrë të shkëlqyer. Modelet psikanalitike vendosin theksin në ndikimin e pavetëdijes, përvojat e fëmijërisë dhe konfliktet e brendshme si faktorë kyç në formimin e personalitetit. Nga ana tjetër, modelet humaniste përqendrohen në besimin se thelbi i njeriut është i mirë, duke nxitur rritjen personale dhe vetëaktualizimin. Po ashtu, modelet kognitiv-biheviorale shqyrtojnë rolin e proceseve kognitive të brendshme në formimin e personalitetit dhe në mënyrën sesi ne zgjedhim sjelljet tona. Këto qasje të ndryshme bashkëveprojnë dhe ofrojnë një pamje më të plotë të natyrës njerëzore, duke na ndihmuar të kuptojmë më mirë kompleksitetin e personalitetit dhe sjelljeve tona.

5. “Krijimi i një vepre letrare është një lloj vetëshprehjeje,e cila mbështetet natyrshëm dhe dukshëm mbi botën e brendshme të një shkrimtari” -Carl Jung

Nëse do të duhej të veçonit një autor, i cili përmes veprës së tij ju ka bërë të reflektoni, të gjeni copëza të vetes apo të botës tuaj të brendshme, cili do te ishte?

I pari që më vjen në mendje është Haruki Murakami. Romanet e tij përshkruajnë me një thellësi të jashtëzakonshme kompleksitetin e emocioneve njerëzore, izolimin dhe kërkimin e kuptimit në një botë të mbushur me kaos. Stili i tij unik, një përzierje e surrealizmit me realizmin, të fton të eksplorosh shtresat më të thella të ekzistencës, duke inkurajuar introspeksionin dhe një rivlerësim të përvojave personale. Personazhet e romaneve të tij shpesh përballen me temat e vetmisë, izolimit dhe identitetit, duke më shtyrë të reflektoj mbi çështjet e mia të brendshme dhe kompleksitetin e natyrës njerëzore. Murakami na lejon të përballemi me anët e errëta të psikikës, duke theksuar gjithashtu bukurinë e marrëdhënieve njerëzore.

6. Cili është mendimi juaj në lidhje me tendencën në rritje të librave “Self Help”. I konsideroni komercialë?

Tendenca në rritje e librave ‘Self Help’ përbën një fenomen kompleks. Këta libra ofrojnë njohuri dhe udhëzime të vlefshme për ata që përballen me vështirësi psikologjike, por asnjëherë nuk mund të zëvendësojnë psikoterapinë. Nga njëra anë, ata ofrojnë akses, komoditet, frymëzim dhe motivim për njerëzit qëvuajnë; nga ana tjetër, shpesh janë komercialë, iu mungon rigoroziteti shkencor dhe krijojnë mundësi për shfrytëzim. Pra, ndonëse librat ‘Self Help’ mund të shërbejnë si një burim mbështetjeje dhe frymëzimi, është e domosdoshme të theksohet rëndësia e terapive profesionale për trajtimin efektiv të problemeve emocionale dhe psikologjike.

 

7. Mendoni se letërsia e mirëfilltë mund të shërbejë si formë terapeutike? Nëse po, mund të listoni disa tituj që mendoni se mund të shërbejnë  si “kurativë” për të brendshmen njerëzore. (Example a book for every diagnosis, a book for anxiety, depression, melancholy etc)

Besoj se letërsia e mirëfilltë mund të ofrojë ngushëllim, mirëkuptim dhe reflektim mbi përvojat tona më të thella. Disa tituj që mendoj se mund të shërbejnë si ‘kurativë’ për vuajtjennjerëzore përfshijnë:

 ‘Love’s Executioner: & Other Tales of Psychotherapy’ nga Irvin Yalom – Ky libër ofron një pasqyrë të thellë të procesit terapeutik, duke ndarë histori reale nga praktika e tij si psikoterapist. 

‘Man’s Search for Meaning’ nga Viktor Frankl – Një libër klasik dhe shumë i frymëzues që shqyrton rëndësinë e gjetjes së kuptimit në jetë, edhe në kushtet më të vështira. Kjo vepër e frymëzon individin të gjejë një qëllim, duke sugjeruar se edhe në mes të vuajtjes të madhe, ka mundësi për rritje dhe transformim të thellë personal.

‘The Choice: Embrace the Possible’ nga Edith Eger – Eger, një e mbijetuar e Holokaustit dhe psikoterapiste, ndan përvojat e saj të dhimbshme dhe mësimet që ajo ka zbuluar. Ky libër ofron një perspektivë të fuqishme për fuqinë e zgjedhjes dhe të shërimit.

 

8. Cili është libri të cilin e konsideroni një “must read” dhe pse?

Do të rekomandoja librin Man’s Search for Meaning nga Viktor Frankl. Kjo është një vepër e jashtëzakonshme, ku psikologjia, filozofia dhe biografia personale ndërthuren në mënyrë unike, duke ofruar njohuri të thella mbi reziliencën njerëzore dhe fuqinë e gjetjes së kuptimit, edhe përballë vuajtjeve më të mëdha. Frankl, një i mbijetuar i Holokaustit dhe një psikiatër me një mendje brilante, ndan reflektime të fuqishme mbi përvojat e tij në kampet naziste të përqendrimit, ndërsa prezanton qasjen e tij ekzistencialiste të psikoterapisë – logoterapinë. Ai argumenton me pasion se gjetja e një kuptimi të thellë në jetë është çelësi për të kapërcyer sfidat më të errëta dhe për të arritur mirëqenie psikologjike. Sipas tij, ata që bazohen vetëm në një kuptim konvencional të ekzistencës shpesh dështojnë të përballojnë traumat psikologjike, ndërsa ata që kanë një kuptim personal për ekzistencën e tyre arrijnë të tejkalojnë edhe sprovat më të rënda.

9. Cili është libri që I jeni rikthyer per ta lexuar. Si ishte përvoja e rileximit?

I jam rikthyer romanit madhështor Njëqind Vjet Vetmi nga Gabriel García Márquez, një kryevepër letrare e pasur me shtresa të thella kuptimi dhe reflektimi personal. Aktualisht, po ndjek serialin e bazuar në këtë libër në Netflix, dhe tashmë kam vendosur ta rilexoj sërish pasi të kem përfunduar shikimin e tij.