Kandrra Logo Kandrra Botime
Librat Autorët Blog Rreth Nesh
Këtu, për Ty

Këtu, për Ty

22 janar 2025

Shpëtim Kelmendi ©

Këtu, për ty, më thotë zani yt, i ardhun prej hemisferës së pandriçueme të ndjesive të mia, tue kalue mespërmes luginës së heshtun të zemrës që e kishte humbë shpresën se do mund të oshëtinte ndonji ditë nga ujnat e ngareshme të pranverës. Më kujtohet një vështrim që dikur flatronte dhe prehej si nji zog i trembun në atë pemën e brishtë, fërgëlluese dhe prej frymëmarrjes sate, e ku dihaste e shfrynte nji prej dimrave të mi të ftohtë, i cili çonte tallaze reshë mbi andrrën e parrëfyeme të diellit. Mandej pashë sesi ky zog ndalej në të gjitha pemët e vdekuna të stinës sime dhe mbartte në sqep nji fije bari e shpresën se diku rrotull kishte ende pranverë. 

Pranvera jote… 

Ndihej në ajër. Nuk shihej. Ndihej. Asokohe flisja i mërdhezun nga pasioni i ndjesive që orvateshin me e ça digën e dhimbjeve të zemrës. U drejtohesha të tjerëve, por të flisja ty, flisja për ty. Ti më përgjigjesh se më ke ndi. Mandej heshtje, e mandej prapë ti që më thue se nuk më ke ndigjue, por më ke ndi. Të shoh pemë që bleron e harliset në nji tokë të zhuritun, ku nuk ka as bimë as gjallesë, dhe hija e ngrohtë fërgëlluese asht forma e shpirtit tand të mirë nën të cilën prehet udhëtari i lodhun prej andrrave. 

Këtu, për ty, më thotë vështrimi yt; ma ledhaton trupin e shpirtin e më ban me besue se e pamunduna asht qiell që përkulet sa herë që ti e fton me zjarrminë e ndjesive të zemrës. E kam pa diellin të prehej si një zog mbi duart e tua, dhe hanën që mezi priste të bahej e plotë për me u varë si medalion në gjoksin tand, që asht e vetmja zonë sigurie mes betejash të pafundme jete. Sa herë t‘ kam pa të futeshe mbrenda meje e shndërrueme në vështrim, vështrim që mbasi ma mbushte plot pusin e errët të vetmisë, teptiste përjashta tue më ndriçue mua, muzgun, rrugët, e fytyrat e kalimtarëve. Mandej ishte e qeshuna jote, vajzë… Ajri e ruante ende kujtesën e qeshjes sate të dikurshme, dhe fërgëllonte nga kënaqësia sa herë që ajo përzihej me kumbimin e hapave nëpër rrugët e heshtuna. Mandej më bahej se me lugëzën e vogël që mbaje me majat e gishtave nuk përzieje langun e zi të kafes, por vetë natën, për të m’u davaritë prej syve e për të qenë njikohshëm gjithandej. Atëherë kuptoja se kudo që të ndodhesha, kisha për të qenë me ty, sepse kudo që të jem unë, je edhe ti. Në të vërtetë ti nuk je aty ku jam unë, por thjesht je gjithkund. 

Këtu për ty, më thotë frymëmarrja jote; thith bashkë me ajrin papërkryeshmërinë e jetës përreth, e mandej rikthehet frymënxjerrje e ngrohtë që derdh përmbi mua paqësisht imazhe sendesh e qëniesh të përkryeme e të gatshme me iu dorëzue amëshimit. Të vështroj dhe më kaplon droja se kjo frymënxjerrje jotja po të afron çast mbas çasti kah fundi, e jo pse kjo lidhet me praninë fizike por me drojën se edhe ti vetë do të shndërrohesh në diçka tjetër apo thjesht do ta shtysh ndonjenen prej atyne portave të padukshme që të rrethojnë vetëm ty. Të shoh përballë por nuk e di a je, a ekziston… sepse nuk jam mësue me jetue në ndonji prej atyne botnave reale ku gjanat kanë forma e kuptime të paqëndrueshme e aq dhimbsunisht të ndryshueshme përgjatë rendjes së tyne kah e panjohuna. Nuk mundem, nuk guxoj me e shtri dorën drejt supit tand, nga frika se gjithë çka mundet me drithërue ka me qenë veç ajri i zbrazët e jo kurmi yt i brishtë. Më ban me vuejtë dyshimi se ti nuk je kundruell meje, por di mirë se shumë ma tepër do të më bante me vuejtë ideja se ti je mirazh. E atëherë mbështillem me qyrkun e vjetër të iluzioneve dhe mundohem me gjetë kund rrotull ndonji botë të papërdorun, ku ti do mundeshe me u shfaqë në mos si krijesë e besueshme reale, së paku si imazh i qëndrueshëm që nuk perëndon as me jetën time. 

Këtu për ty, më thotë shajnia e duerve tua, duarve tua që edhe kur lëvizin ambëlsisht mbi tryezë, më bahet se ma ledhatojnë trupin, e nëpërmjet tij më bajnë me dije se edhe shpirti im ekziston. Kur më pe përsërpari, nuk e kisha! Dhe e pashë… prehej mbi duart e tua delikate dhe kishte marrë ngjyrën e tyre. Bota qënkej edhe duar, dhe këtë e kuptova kur pashë duart tua. Flisnin. Më thoshin me gjuhë të thjeshtë atë që s’kisha mundë me e zbulue me rravgimet e mia metafizike. Gishtat e duerve tua vizatojnë mbi tryezë itinerarin e ndërlikuem të jetës sime, gatiten me rrëfye diçka mbi të ardhmen, e rikthehen vrikthi në të sotmen për me mbledhë mbi tryezën e ndjesive të gjalla qoftë dhe thërrimet ma të imta të nji buzagazi dashunor.