Kandrra Logo Kandrra Botime
Librat Autorët Blog Rreth Nesh
Ëndërr Majmuni

Ëndërr Majmuni

11 janar 2025

Skënder Sherifi ©


I dashur KOLOMBI im!
Përbëj ndoshta për ty, të vetmin zbulim …
këtu në këtë botë të re, veç një vezë për festim!
I mërguar klandestin në epshet tua plot shfrim:
Parfum i lehtë malesh, erë blini në prarim,
nën shije manaferrash, me një fije djersim …
Penda ime kllapuritet në shish-bojën e ndjenjave të çoroditura,
mos mi prek flatrat e fllad-dëshirës, nën qiejt e pa arritura!

Valët e tua të ringjizjes, më ndezin keqas, gjer në përskuqje
diçka e pashpjegueshme na i mbyll frazat me puthje …
Hiri yt më jep gulfim, bën rrotullimin në planetin tim
Sytë e tu më ngopin me jetë, më ringjallin në çdo shikim
(Poshtë të gjithë poetët … t’i dërgojmë për në flakërim!)

Brigjeve dhe ç’brigjeve, ishe rrezja ime pranverore
Mos përjetojmë çka mendojmë, një Dashuri meteore?
Vallëzoj mbi stinët e tua, si Albatrosi detar:

Po të korrurat e rastit, a thue, kur do janë?
Në akuariumin e qenies, në të parën ofshamë
notojmë nën flluska ujë, në Dashurinë amë
një zë si në jehonë, na pyet: – Me kanë apo mos me kanë?
Përkëdheljet tua më drejtuan, në ditën e pa anë
na ngelet për ta thënë, çka deri sot s’është thanë!

Duke m’i pickuar fjalët, si turjela shpim – veshësh
i çmoj mandarinat e tua, përpara zgjimit të epsheve …
Koka jote mbretërore mbi tufën e murgeshave fluturon
në “Festivalin e Bakanaleve”, në anale do përfundojmë
Misteri i katedraleve, për do kohë na frymëzon!
Beli yt aq i hollë, si një valltare baleti
mu rishfaq këtë mbrëmje vonë, si spektri i HAMLETIT …

Buzë shkëmbinjve të Valbonës, ulur në meditim
Bufi mbretëror m’adreson një paralajmërim
Ti ishe ndriçimi im diellor, nën diell dhe mbi borë
gjatë ditëve tepër gri, veshur monotoni … pa kremra hënorë
Që nga koha e Augustit të artë, në Romën madhore
Oshtima jote me ndjek pas dhe më merr për dore!
Ngutu pak, moj divë hyjnore, se Romeo të pret e uruar
lyeje mirë shpirtin tënd me çokollatë Nutela, si dikur …
se ke për ti pasur të gjitha stolitë e gishtave praruar!

I dashur KOLOMBI im!
Përbëj ndoshta për ty, të vetmin zbulim …
këtu në këtë botë të re, veç një vezë për festim!
I mërguar klandestin në epshet e tua plot shfrim:
Parfum i lehtë malesh, erë blini në prarim
nën shije manaferrash, me një fije djersim …

Bruksel, e Enjte 16 Shkurt 1995, nga Valentini
për Valentinën në ora 4:00 të mëngjesit te Kantina