Intervistë me Neritan Liçaj
7 janar 2025
Intervistoi Sheila Rexho ©

Ai është një ndër artistët e rrallë, i cili nuk ka nevojë për PR, aq me pak për timin, pasi karriera e tij i thotë të gjitha. Mund të rrëfej, se për mua çdo takim me të, është një kënaqësi e veçantë, pasi bisedat që bëjmë janë tejet të gjalla dhe në secilën prej tyre mbizotëron pasioni i përbashkët për Artin, e veçanërisht për letërsinë. Biseda jonë lindi krejt natyrshëm, mjaftoi të nxirrja nga çanta librin e fundit që kisha blerë, biografinë e Samuel Beckett dhe ashtu e ngazëllyer të dëgjoja përshtypjet e tij.
Ladies and Gents Për here të pare në një “intervistë ndryshe“ kushtuar letrave:
Cilat janë disa nga veprat letrare, që kanë ndikuar më shume në karrierën tuaj dhe a i keni përdorur ato për të formësuar dhe thelluar interpretimet tuaja në skenë?
Neritan Licaj : Letërsia, unë preferoj të them letrat, janë buka e përditshme e profesionit tim dhe mendoj e çdo njeriu që përpiqet të krijojë artistikisht. Pse i quaj letra?! Sepse në letër hidhet mendimi, ndjesitë, filozofia, historitë, mitet, studimet, si dikur kur skaliteshin në pllaka guri; pra hidheshin diku, në pllaka dylli, papiruse, parlament etj. Tani kemi letrën ku si në një mitër, metaforikisht ngjizet sperma që lind qenie jo njerëzore, por më shumë se njerëzore. Lind dhe krijon atë çka quhet dhe është dije, frymëzim, mendim filozofi, dokument, botë të kryera e të pa kryera, realitete, etj. Sigurisht, baza për mua fillon që me dijen ose më saktë fillimet e saj, mitet, para-sokratikët dhe filozofët e mëvonshëm, Sokrati, Platoni, Aristoteli deri tek Eskili, Sofokliu, Aristofani, Euripidi, etj, duke vazhduar mandej me të gjitha rrymat teatrore dhe letrare, filozofike dhe historike. Të gjitha këto janë buka e përditshme e imja si njeri i teatrit, ku në këtë tempull të njeriut unë mund të shpreh në të voglën Tomos, çfarë ndiej, mendoj, çfarë perceptoj dhe dua të them mbi atë çka jetoj përditë. Të mos harrojmë, teatri si dhe të gjitha artet, ka lindur nga nevoja e brendshme e njeriut për të shprehur të vërtetat e ekzistencës së tij, që në primitivitet. Theatrot (the-atë ose ato mendime ose monologje ose ngjarje ose histori) në shqip, janë tribuna, tempuj të mendimit njerëzor, prandaj do mbeten si të tilla. Në Athinë është tempulli i perëndeshës Athina! Madhështor, arkitekturë e mrekullueshme, që tregon ose flet për peshën hyjnore të një perëndeshe të fuqishme. Një mrekulli tempull. Në Epidaurus, është një nga teatrot më të famshëm të antikitetit, funksional edhe sot e gjithë ditën, që është tempulli i njeriut, një mrekulli arkitekturore dhe shumë e bukur. Tempulli i njeriut në Epidaur është më i madh se tempulli i Athinës në Athinë. Pra njeriu mbi zotat, nëse do spekuloja unë sot.
Dhe kështu letërsia, qoftë ajo poetike, teatrale ose jo, historike apo filozofike, është buka ime e përditshme. Letrat kanë udhëtuar me njeriun në kohë dhe shpesh letrat i kanë paraprirë njeriut. Arti antik, pastaj ai klasik Heleno- Romak, pastaj filozofitë danteske që i ndryshuan faqen mendimit evropian dhe botëror, romantizmi, iluminizmi deri te ekzistencializmi dhe absurdi, realizmi i thellë, ai magjik, deri te post-modernizmi në letra, që kanë bashkë shoqëruar artet dhe drejtuar njeriun, duke e ndriçuar dhe duke i dhënë atij krijesa të mendimit të ngurtësuar në letra.
Emra s’po përmend, pasi janë jashtëzakonisht shumë, por po bëj vetëm një udhëtim të shkurtër në disa shekuj. Homeri te Odisea, fut Odisenë në Had. Më pas Virgjili fut Enean në Had…, më pas Dante i madh, bashkë me mësuesin e tij Virgjilin, futet në ferr, derisa mbërrijmë te iluministi i madh Gëte, që sjell ferrin në tokë te Fausti.
Çfarë mrekullie, ky rrugëtim mes pyetjeve më të thella të njeriut; “Pse je dhe ku shkojmë?”.
A e shihni secilin rol si një mundësi për të përkthyer një personazh? I referohem emocioneve të tij, botës shpirtërore te jetësuar e të portretizuar nga ju?
Çdo rol është një mundësi për ta bërë këtë.
Nëse do ta thjeshtësoja retorikën e profesionit tim, do ta krahasoja aktorin me një mitër, ku aktori merr metaforikisht spermën e ngulitur tek e zeza në të bardhë, pra nga letrat dhe i jep atij kocka, mish, muskuj, nerva, një mënyrë të jetuari, të ecuri, të foluri.
Pra aktori sjell në jetë personazhe ashtu si nëna sjell në ketë jetë fëmijën. Sigurisht i gjithë ky proces është i gjatë, i vështirë, por shumë i bukur dhe gati-gati hyjnor.
Nëse do të mund të interpretonit një personazh të letërsisë klasike, kë do të zgjidhnit dhe pse?
Pyetja më e vështirë që mund të më bëhej! (qesh)
Sepse janë pafund. Nuk po ndalem te dramaturgjia, ku janë pafund personazhe nga antikiteti si Shekspiri, Gëte, Molieri, Carlos Goldoni, Çehovi, Jinesko, Kamy e sa e sa të tjerë…por po them vetëm një nga letërsia… Raskolnikovin te Krim dhe Ndëshkim nga Dostojevski, nëse do të përshtatej në skenë. E pa mundur kjo, pra për mua një ëndërr e pamundur, për fat të keq.
A ka ndonjë vepër letrare që për ju mund të konsiderohet ndoshta si një “udhërrëfyes” për sa i përket jetës?
Sërish, pyetje shumë e vështirë, pasi janë të shumta veprat letrare që kanë ndikuar fuqishëm tek unë….por po përmend vetëm njërën…Komedinë Hynore të Dantes. E urrej faktin që duhet të lë sa e sa të tjera vepra, më saktë kryevepra që më kanë ndriçuar…që nga Epi i Gilgameshit e deri te Zarathustra e Niçes. Rusët, letrat e tyre, hispanikët me realizmin e tyre magjik…stuhia dhe vrulli i anglo-saksonëve, Lindja e Largët dhe letërsia e tyre të magjishme etj. Janë pa fund pa fund…do të duhej të shkruaja orë të tëra për t’i renditur. Për fat të keq, s’mundem ta bëj dot ngaqë s’do të përfundoja kurrë. (qesh)
Si e përjetoni procesin e kalimit nga leximi i një skenari në shndërrimin e tij në një performancë kinematografike?
Leximi i parë, pra impakti i parë është shumë i rëndësishëm, është si dashuria me shikim të parë.
Fillimisht ndërtoj filmin tim në kokë, në leximin e parë, pastaj përpiqem të kuptoj strukturën e skenarit ose dramës, marrëdhëniet, konfliktin, karakteret…pra bëj atë që në profesionin tonë quhet “zbërthimi i veprës”, që është shumë i rëndësishëm. Pasi kam bërë këtë, filloj të ndërtoj personazhin, filloj t’i jap jetë pa devijuar nga autori dhe këndvështrimi regjisorial.
Aktrimi ose aktori është krijues interpret dhe ka për detyrë etike profesionale të respektojë dy mure krijuese, që janë autori dhe regjisori. Këtë përpiqem ta bëj me seriozitetin dhe profesionalizmin më të madh.
Libri i fundit qe keni lexuar?
Sapo kam mbaruar Lukrecin “Mbi natyrën”, i mrekullueshëm, dhe tani po lexoj romanin e fundit të sime motre, Elvira Dones, “Jeta e shkurtër e Lukas Santanës”. Pas romanit të Elvirës do të lexoj “Qiell” të Mieko Kawakami.
Jorge Luis Borges eshte shprehur se: rileximi, jo leximi, është ajo që ka rëndësi. Cilit autor i jeni rikthyer dhe si ishte kjo përvojë për ju?
Plotësisht dakord…çdo vepër që kam lexuar në jetë i jam rikthyer, duke e rilexuar pas disa kohësh. I lë të flenë pak brenda meje dhe pastaj i rilexoj për të rizbuluar veprat edhe një herë. Është një proces që më shijon dhe pasuron pafund.
Për shijen tuaj, cili konsiderohet realizimi më i arrirë kinematografik bazuar mbi një vepër letrare?
Në fakt është shumë vështirë, që njeriu të kënaqet me një ekranizim të një vepre të madhe, klasike ose jo, letrare. Përse lind natyrshëm pyetja?! Sepse gjuha letrare është shumë e pasur dhe sado e pasur të jetë gjuha filmike, ajo nuk mundet ta plotësojë atë letrare.
Çdokush kur lexon një vepër letrare krijon atë filmin e tij në imagjinatë që zor se korrespondon me atë që sheh në ekran. Ka qenë vetëm një realizim i një regjisori brazilian që është mbështetur mbi Prillin e Thyer të Kadaresë, që po, ishte film i jashtëzakonshëm, madje ka marre dhe Oskar, si filmi më i mirë i huaj.
Nëse do të duhej të cilësonit një libër si “Must”, cili do të ishte?
Ka shumë por unë po them vetëm një : “Iliada” e Homer-it.
A jeni prekur ndonjëherë emocionalisht prej ndonjë vepre?
Në të gjitha, pa përjashtim…është vetë profesioni, që po nuk u përfshive emocionalisht, nuk mund të funksionojë personazhi.
Cila është për mendimin tuaj drama më e mire shqipe e vënë në skenën e Teatrit Kombëtar?
Ka shumë vënie shumë të mira, por do të veçoja “Shtëpia pa dritare”…e Saimir Gongos, një dramaturg me një dhe penë dramaturgjike shumë të fortë.