Kandrra Logo Kandrra Botime
Librat Autorët Blog Rreth Nesh
Mbi Narratorin e Walter Benjaminit

Mbi Narratorin e Walter Benjaminit

12 gusht 2026

Sheila Rexho ©


Disa libra i gjejmë vetë, kurse disa të tjerë na gjejnë përmes të tjerëve…
Një nga leximet e mira të kësaj vere mbërriti tek unë pikërisht kështu: një përmbledhje esesh e Walter Benjaminit, dhuratë nga një mik. Mes tyre, ajo që më bëri të ndalem e të reflektoj ishte Narratori.
Kushdo që e ka lexuar Narratorin e di që Benjamin nuk ndalet vetëm tek arti i të treguarit. Pas figurës së narratorit në humbje e sipër, Benjamin dallon diçka më të thellë: dobësimin e aftësisë sonë për ta kthyer atë çka jetojmë në përvojë me vete. Ama jeta dhe përvoja nuk janë krejt e njëjta gjë. Shumëçka mund të na ndodhë pa u bërë vërtet pjesë e jona. Që një ndodhi të fitojë kuptimin, shpesh duhet të kalojë përmes filtrave të kohës, të rrugëtojë drejt kujtesës, të ndryshojë e të transformohet bashkë me ne. Vetëm atëherë mund të ndodhë që të kemi diçka për të rrëfyer, përtej asaj që thjesht kemi jetuar apo përjetuar.

Walter Benjamin, “Narratori”, përkthyer nga Ervin Lani, Zenit Editions 2021

Narratori i Benjaminit është njeriu që e njeh mirë këtë fenomen të largësisë dhe kohës.
Ai nuk e përcjell ngjarjen si të paprekur, e përcjell vetëm atëherë kur koha ka lënë gjurmën e saj mbi të. Prandaj rrëfimi nuk ngutet të shpjegojë. Ai mund të lërë boshllëqe, të ruajë nuanca heshtjeje, të mos i servirë dëgjuesit një kuptim krejt të gatshëm.
Sipas Benjaminit: “Një histori e mirë nuk mbaron domosdoshmërisht aty ku mbarojnë fjalët e atij që e tregon.”
Benjamin e ilustron këtë përmes historisë së Psammenitusit te Herodoti. Mbreti egjiptian nuk qan kur sheh fëmijët e tij të poshtëruar, por shpërthen në vaj kur dallon mes robërve një shërbëtor të vjetër. Herodoti nuk na thotë përse…


Shekuj më pas, historia vazhdon të na bëjë të reflektojmë pikërisht sepse shpjegimi mungon. Çdo lexues mund të kthehet tek ajo me një pyetje tjetër. Ka diçka tepër njerëzore këtu: jo çdo e vërtetë bëhet më e qartë kur shpjegohet. Disa prej tyre kanë nevojë të mbeten pak të hapura që të mund të vazhdojnë të na flasin.
Pikërisht në këtë kontekst Benjamini vendos përballë rrëfimit informacionin. Informacioni e ka vlerën te risia, pra duhet të na thotë çfarë ka ndodhur dhe duhet ta bëjë sa më shpejt.
Rrëfimi nuk jeton sipas së njëjtës kohë. Rrëfimi mund të presë. Mund të rikthehet pas shumë vitesh dhe të na thotë diçka që nuk kemi qenë në gjendje ta kuptonim qysh herën e parë, dhe jo sepse historia ka ndryshuar, por sepse kemi ndryshuar ne…
Ndoshta pikërisht për këtë Narratori më tingëllon sot kaq i afërt, kaq aktual. Jetojmë në një kohë ku dimë aq shumë për atë që po ndodh, por rrallë ndodh të kemi kohë për t’u ndalur e për të qëndruar me atë që dimë. Në të njëjtin ekran mund të scroll-im për të parë episode live nga një luftë, një krizë politike globale, fotografinë e pushimeve të dikujt, një reklamë korseje për ngushtimin e belit, apo diçka që na bën të qeshim. Secila kërkon për një çast vëmendjen tonë dhe ia pason menjëherë tjetrës…


Rrjetet sociale e kanë kthyer këtë lloj ritmi në zakon. Ajo që na shfaqet nuk renditet domosdoshmërisht sipas rëndësisë së saj në vëmendjen tonë, por sipas gjasës “që të na mbërthejë” edhe pak më shumë aty, pas ekranit.
Algoritmi nuk e njeh kujtesën në kuptimin njerëzor të fjalës, atij i duhet vazhdimësia e një preference.
Një gjë duhet t’i hapë rrugën tjetrës. Kështu lind një paradoks: kemi mundësi të ruajmë pothuajse gjithçka dhe, megjithatë, gjithnjë e më pak gjëra duket se qëndrojnë gjatë me ne / brenda nesh…
Sepse të ruash nuk do të thotë të kujtosh.
Kujtesa njerëzore është diçka tjetër: ajo zgjedh, harron, lidh, tjetërson; një hollësi të parëndësishme mund ta ruajë për një jetë dhe një ngjarje të madhe mund ta zbehë pa u sforcuar fare.
Pa qenë kopje e së shkuarës, është vetë mënyra se si e shkuara vazhdon të jetojë brenda së tashmes sonë.
Edhe mënyra si zgjedhim të tregojmë për veten, sot, bëhet më komplekse, pasi mund të ndajmë një fragment / moment ndërsa ende jemi duke e jetuar. E fotografojmë, i gjejmë caption-in dhe, voilà, e publikojmë.
Por ndonjëherë ajo që kemi jetuar na kristalizohet vetëm kur ka kaluar.
Një udhëtim mund të marrë kuptim pasi jemi kthyer, një dashuri pasi ka mbaruar, një humbje pasi kemi mësuar të jetojmë me mungesën.
Midis ngjarjes dhe kuptimit ekziston një kohë që as teknologjia dhe as dëshira jonë nuk mund ta shkurtojnë. Ndoshta aty, në atë kohë të padukshme, lind ajo që Benjamin quan përvojë.
Dhe çdo rrëfim kërkon një dëgjues. Kjo është ndoshta ana më pak e dukshme, por më njerëzore e mendimit të Benjaminit.
Sot secili nga ne mund të aksesojë një publik, me ndjekës, komente, reagime, persona që na shohin… Po po, që na shohin… Por të shihesh dhe të dëgjohesh shpesh mpleksen e nuk përkthehen si e njëjta gjë…
Dëgjimi kërkon që dikush të qëndrojë, jo thjesht të reagojë. Kërkon heshtjen, por jo atë që lind prej mungesës së fjalëve. Kërkon pikërisht atë që i lë hapësirë fjalës së tjetrit…
Mbase prandaj një studio psikoterapie mund të konsiderohet si një nga vendet e pakta sot ku rrëfimi ende gjen kohë…
Njeriu hyn aty me historinë / narrativën e vet, por jo gjithmonë duke e ditur se çfarë po tregon.
Duke folur, duke u kthyer pas te të njëjtat ngjarje, duke heshtur diku e duke kujtuar diku tjetër, ai nis t’i dëgjojë ndryshe edhe rrëfimet e tij.
Psikoterapisti nuk ia shkruan historinë dhe as nuk ia mbyll kuptimin. Ai dëgjon mjaftueshëm, gjatë, duke mundësuar kështu që njeriu të mund të dëgjojë veten…
Ka diçka domethënëse në faktin që kjo nevojë bëhet kaq e fortë pikërisht sot: mund t’u flasim njëherësh qindra apo mijëra njerëzve dhe përsëri të kemi nevojë e të kërkojmë qoftë një njeri të vetëm që të na dëgjojë, të na dëgjojë vërtet. Ndoshta sepse, pasi kemi shumëfishuar mënyrat e komunikimit, kemi kuptuar se fjala nuk merr peshë vetëm sepse është thënë.
Ajo ka nevojë të gjejë një vend ku të mbërrijë.
Kështu, Narratori nuk më duket një vajtim për një botë që nuk ekziston më. Benjamin shtron një pyetje që epoka jonë vetëm sa e ka bërë më të mprehtë: çfarë bëhet me njeriun kur gjithçka rreth tij lëviz më shpejt se aftësia e tij për t’i dhënë kuptim?
Mund të tregojmë gjithçka, të fotografojmë gjithçka, të ruajmë pothuajse gjithçka. Por asnjëra prej tyre nuk mjafton që një jetë të shndërrohet në histori. Për këtë duhet ende ajo që nuk mund të përshpejtohet: koha për të kuptuar, kujtesa për ta mbajtur dhe prezenca e dikujt tjetër, që di të dëgjojë…