Kandrra Logo Kandrra Botime
Librat Autorët Blog Rreth Nesh
Sprova që të forcon

Sprova që të forcon

14 gusht 2026

Eda Çetri ©

Ka një fjali që duhet të jetë prodhuar diku, në të njëjtën fabrikë ku kërkojnë të punësojnë njerëz deri në 30 vjeç, me 20 vjet eksperiencë.

Ose, më keq akoma, marrë hua nga ndonjë sistem përtac, pothuajse dashamirës, që ka gjithmonë një përgjigje të gatshme për situatën e tjetrit.

“Kjo që po kalon po të bën më të fortë.”

“Është një sprovë.”

“Pas kësaj do të vijë diçka më e madhe.”

“Diçka më e bukur…”

E ke gjithandej.

Në fe. Në rrjete sociale. Në filxhanë kafeje. Në postime me perëndime dhe pa perëndime. Në promocionin e fundit të dyshekëve. Ti mund të jesh duke u marrë me ankthin, trupin, pagjumësinë, frikën, lodhjen, faturat, analizat, mjekët dhe një sistem nervor që ka dhënë dorëheqjen me kohë..

Dhe opaaa vjen dikush:

— Mos u shqetëso. Kjo sprovë po të forcon.

Ah, mirë.

Më në fund një lajm i mirë.

Domethënë nuk jam duke u konsumuar. Jam duke u forcuar.

Qenka si palestër, pra.Vetëm se në palestër paguan për të ngritur pesha me dëshirë, ndërsa këtu paguan analiza, mjekë, ilaçe dhe suplemente për të ngritur një trup që mezi po ngrihet nga krevati.

Dhe pastaj vjen pjesa ime e preferuar:

“Sepse diçka më e madhe dhe më e bukur po vjen.”

Kjo është fantastike. Gati-gati hyjnore. Sa pak duhet për të kaluar nga ngushëllimi te manifestimi.

Kush e pa?

Kush e ka faturën e porosisë?

A ka tracking number?

Sepse, nëse po kaloj gjithë këtë ferr, do të doja të dija të paktën nëse “gjëja më e madhe dhe më e bukur” është nisur apo është ende në stand by të sistemit.

Apo është giveaway premium max nga ndonjë faqe Instagrami? Dhe, nëse është nisur, një datë e përafërt dorëzimi do të ishte shumë e dobishme.

Durimi im nuk është pa limit. As karta e kreditit, meqë ra fjala. Ne kemi një talent të çuditshëm për ta romantizuar vuajtjen.

Ndoshta sepse të thuash: Realisht me vjen shume keq…

është shumë më pak poetike.Nuk merr aq shumë pëlqime. Nuk tingëllon shpirtërore. Nuk të jep atë ndjesinë e këndshme se sapo ke zbuluar një shkallë të re mbi nivelin e zakonshëm të perceptimit.

Ndërsa:

“Çdo sprovë vjen për të të bërë më të fortë.”

Tingëllon bukur. Madje aq bukur, sa për një çast harron të pyesësh:

Po nëse nuk po më forcon?

Sepse askush nuk ka ardhur ndonjëherë me një matës force dhe të ka thënë:

“Para kësaj sprove ishe 63 njësi e fortë. Tani je 87. Urime.”

Ku u forcova, pra?

Në qafë?

Në sistemin nervor?

Në shpirt?

Apo thjesht u bëra më e aftë të them “jam mirë”. Sepse kjo e fundit nuk quhet forcë.

Quhet mbijetesë. Dhe ka një ndryshim të madh. Nuk u forcova nga sprovat.

U lodha.U boshatisa

Mësova të përballoj disa gjëra sepse nuk kisha luksin të mos i përballoja. Kjo nuk është ndonjë dhuratë mistike. Është mekanizmi primitiv i njeriut për të mbërritur te dita tjetër. Dhe ndoshta ky është problemi me gjithë këto përgjigje të gatshme:

ato kërkojnë me çdo kusht që dhimbja të ketë një funksion. Duhet të të ketë bërë më të fortë.

Duhet të të ketë mësuar diçka. Duhet të ketë ardhur për një arsye. Duhet të ketë diçka më të bukur pas saj.

Sepse është e padurueshme për ne të pranojmë se ndonjëherë njeriu thjesht vuan. Dhe kaq.

Pa mësim. Pa shpërblim. Pa fund të bukur.

Dhe se ndonjëherë gjëja më njerëzore që mund të bësh nuk është t’ia shpjegosh dhimbjen tjetrit, por të rrish aty ndërsa ajo kalon.

Prandaj, herën tjetër që të shihni dikë duke u mbytur, mos i thoni: “Kjo po të mëson të notosh.”

Nxirreni nga uji.

Nuk ka nevojë për metaforë.Dhe nëse nuk dini si ta ndihmoni, nuk ka asgjë të turpshme të thoni: “Nuk di çfarë të them. Por nuk do të iki.”

Kjo, çuditërisht, është shumë më njerëzore se çdo “sprovë”.

Dhe për ju që keni ende ndonjë fjali motivuese në xhep: Ju lutem, mos.

Mezi i kam blerë suplementet. Nuk dua t’i vjell mbi optimizmin tuaj.