Kandrra Logo Kandrra Botime
Librat Autorët Blog Rreth Nesh
E çë pastaj?

E çë pastaj?

4 gusht 2026

Eda Çetri ©

Dola sot. Dy orë ecje nëpër Tiranë, sipas recetës së fundit të shkencës së shpirtit: lëviz trupin, orientohet mendja. E thjeshtë. Elegante. Pa efekte anësore të dokumentuara, përveç faktit që sistemi operativ bën update në sfond — dhe kur update-i mbaron, hap sytë dhe sheh të njëjtin desktop, me të njëjtat ikona, me të njëjtin skedar të hapur nga e premtja e kaluar.

E çë pastaj?

Tirana sot kishte fytyrën e saj të zakonshme të së martës — e lodhur, pak e irrituar, me cipën e dikujt që ka premtuar shumë dhe ka harruar çfarë. Njerëzit kalonin me qëllime serioze të vogla: kush blinte bukë, kush ikte nga dikush, kush shkonte drejt diçkaje që nuk e kishte vendosur ende.

Unë isha e vetmja pa mision. Ose më saktë — misioni im ishte vetë ecja, gjë që në hierarkinë e qëllimeve njerëzore renditet diku ndërmjet “kontrolloi emailin” dhe “bleu sapun.” Një qytet plot me njerëz që nuk kanë asnjë arsye të ndalen për ty. Kjo nuk është ankesë — është arkitekturë.

E çë pastaj?

Miqtë e mi janë të zënë me ekuilibrin e tyre të brishtë — ato konstruksione të vogla që njerëzit ndërtojnë me kujdes për të mos u rrëzuar: marrëdhënia, puna, bindja se gjërat kanë kuptim nëse i rendit mirë. Unë me të mijat. Papunësia ime nuk kërkon prezantim — ajo ka zënë kolltukun më të rehatshëm në shtëpi dhe refuzon të largohet, duke lexuar gazetën time çdo mëngjes me ajër pronari.

Dola me ngërçe emocionale pa emër të certifikuar. Jo ankth — ankthi ka emër latin, ilaç gjerman dhe grup mbështetës në Facebook. Jo depresion — depresioni ka protokoll, dietë dhe podcast të dedikuar. Diçka tjetër. Ajo gjendje e çuditshme ku je funksional por i zbrazët, i pranishëm por i paprekur — si një aparat që ndizet, bën dritën e gjelbër, dhe nuk prodhon asgjë. 44 vjeç. Rrugëve të Tiranës. Duke provuar teorinë.

Teoria nuk kishte faj. Teoria ishte korrekte — ecja ndihmon, ajri ndihmon, lëvizja ndihmon. Por teoria kishte llogaritur gabim një variabël: se çfarë ndodh kur sistemi që duhet riparuar është vetë besimi se riparimi është i mundur. Atëherë update-i nuk instalohet. Qarkon. Qarkon. Error 404: shpresa nuk u gjet.

Humbjet e mia rrinë ulur buzë meje si mysafirë shumë të mirë rritur — nuk bërtasin, nuk kërkojnë, nuk zënë vend të madh. Thjesht janë atje. Humbja e njerëzve të dashur, humbja e punës, humbja e atij versioni të vetes që besonte se 44-ta do të dukej si një kapitull i ri e jo si faqja e fundit e një kapitulli tjetër. Mysafirë të sjellshëm. Të pamundur të dëbosh sepse kurrë nuk bëjnë asgjë të qartë të keq.Kultura ka ilaçin: rezilienca. E shesin me zbritje — në seminare, në citate mbi foto malesh, në libra me tituj urdhërorë si “Ngjitu!” “Fillo!” “Ti mundesh!” Rezilienca, e përkthyer nga marketingu në shqip të thjeshtë, do të thotë: u theve, u ngjite, tani mos u ankо shumë sepse është e lodhshme për ata që kanë nevojë të besojnë se edhe ata mund të ngjiten.

E çë pastaj?

Ndoshta “e çë pastaj” është vetë virusi — pyetja që ha veten, që kërkon vazhdim ku nuk ka, që supozon se pas çdo gjendjeje fshihet një tjetër më e kuptimshme, me muzikë, me dritë, me dikë që të pret në fund të rrugës me një shpjegim të arsyeshëm. Por fundi i rrugës ishte porta e shtëpisë. Pa shpjegim. Pa muzikë. Me të njëjtat ngërçe, pak më të ngrohta nga kilometrat. Iluzioni nuk ishte ecja. Iluzioni ishte se kuptimi do të ndihej si diçka — si klik, si dritë, si update i instaluar me sukses. Por kuptimi, kur vjen, nuk bën zhurmë. Rëndon në heshtje. Dhe kur prishet edhe ai iluzion i fundit, mbetet vetëm kjo: Jeta. Desktop i njëjtë. Pa update të ri.

E çë pastaj?

Asgjë. Dhe kjo, çuditërisht, është gjëja më e rëndë që mund të të ndodhë