Kandrra Logo Kandrra Botime
Librat Autorët Blog Rreth Nesh
Jacques Derrida. Filozofi emblematik, që teorizoi idenë e Dekonstruktivizmit

Jacques Derrida. Filozofi emblematik, që teorizoi idenë e Dekonstruktivizmit

5 shkurt 2025

Skënder Sherifi ©

Më rikujtohet disa herë, si në një skeç humoristik, Jacques DERRIDA, filozofi i famshëm francez, por pak i studiuar dhe i njohur në Francë (si Godardi, miku im kineast!), çka e irritonte shumë, (çka vlen për të më njohur, kur nuk më kanë lexuar apo analizuar seriozisht?!).

E kam pas takuar Jacques dy herë në Paris, por në një mënyrë pak kalimtare dhe sipërfaqësore në një konferencë dhe në një librari. Por në një mbrëmje atë e ftoi, Monique DORSEL, një e njohur e imja, për një takim miqësor me publikun belg në Teatrin e Poezisë, në një lagje punëtorësh, banuar nga gjithfarë kombësish e që kishin shumë pak lidhje me artin ose kulturën, por më tepër me pijen, futbollin, seksin, duhanin, bixhozin apo me kanabisin, një farë “Mërgate e Qyqeve ndërkombëtare”!

Drejtoresha e Teatrit belg bënte shumë aktivitete mujore, por nuk i promovonte siç duhej, prandaj ato nuk kishin shumë jehonë. Asaj i mjaftonte ideja që janë dhënë informacione në broshurën apo gazetën e saj private, që jua dërgonte vetëm të të abonuarve ose maksimumi 1000 veta në Belgjikë, duke menduar se e gjithë bota e ka marrë vesh atë punë! Përveç kësaj, hapësira e teatrit ishte e kufizuar, në maksimumi 80-100 veta.

Disa herë i kisha thënë: – O Monikë, kur fton një figurë aq prestigjioze që të vjen nga Parisi, siç është Jacques DERRIDA, duhet të sigurosh një publik dhe nuk mjafton vetëm me fletushkën tënde të brendshme, si Fletë Rrufe-të e kohës së Enver Hoxhës. Sepse e njëjta disfatë të ndodhi edhe para disa kohe me mikun tim francez, Philippe SOUPPAULT, babai i surrealizmit me Andre BRETON-in, që së bashku kishin shkruar “Fushat Magnetike”, një ndër veprat themelore të teorisë surrealiste me manifestin global dhe erdhi me mua, për të humbur kohë dhe shfryrë mllefin e tij në kafet e marokenëve dhe kongolezëve të Brukselit.

Pra po i them përgjegjëses së hamamit,

– duhet të shkosh ta promovosh aktivitetin në disa media, radio dhe televizione për të sjellë publik!

Por Monika justifikohej: “Shiko Sherifi, aktiviteti, është njoftuar në broshurën tonë mujore dhe le të vijë kush të dojë, kush po mërzitet për atë punë! Buxheti më vjen nga ministria e drejtuar nga miqtë tanë socialistë në bazë të numrit të aktiviteteve. Unë i kam punët mirë për veten time. Ti, çfarë halli ke? Nuk jam unë këtu për t’i mbushur sallat!

Më kujtohet se dikur i programova një mbrëmje për poezinë shqiptare me Sabri HAMITIN dhe Eqrem BASHËN si të ftuar në këtë teatër poezie të Brukselit. Dhe përmes shoqatave shqiptare, kafeve, restoranteve, trafikantëve, taksistëve, programeve radiofonike dhe partive të ndryshme, zogistë, ballistë, bllokmenë, komunistë dhe dreqistë, me “tam – tame” afrikane dhe gojë pas goje, na mësynë një tufë njerëzisht, rreth 200 veta, në rrugën e Skocisë (Rue d’Ecosse), që u nervozuan, sepse nuk i zinte salla e teatrit.

Monika, nuk kishte parë kurrë kaq shumë njerëz për një aktivitet tash e ca dekada dhe ma mori gati për keq dhe më thotë: “O poet i droguar, po përse m’i ke thirrur gjithë këta njerëz për këta dy shqiptarë që nuk i njeh askush në Belgjikë?

Tani kanë për të më bërë skandal këtu në teatër, ndoshta dikush na ka ardhur i armatosur me revole, për të hyrë me zor në sallë, se ju jeni edhe popull i dhunshëm dhe tani do na vijë dhe policia. Nuk kam nevojë për këtë publicitet!

Për filozofin Jacques Derrida, realisht na erdhën 10 veta, hiqi punonjësit e teatrit dhe mua si mik, 6 veta …A ishte diçka normale? E ndjeva veten të turpëruar në vendin e tyre, se e dija mirë se kush është ai filozof në çfarë rangu intelektual është, çfarë statusi gëzon në fushën e tij. Kur ai jepte mësime në universitet apo ndonjë konferencë, salla nuk i zinte njerëzit dhe ata uleshin në tokë, në shkallë, sepse disa nga intelektualët e atyre viteve 1970-1980, ishin Yje të inteligjencës franceze, por edhe botërore, personalitete me famë për çdo kampus të Europës dhe të Amerikës. Vinin në masë njerëzit vetëm për t’i dëgjuar e jo vetëm profesionistë, por edhe ata që nuk ishin fare studentët e tyre në filozofi, sociologji, psikologji, ose antropologji … pra, populli francez, me shitës, taksistë, proletarë autodidaktë, farmacistë, funksionarë, inxhinierë, artistë të ndryshëm … E pabesueshme!

Dhe tani këtu e ke në Bruksel, me gjashtë vetë të shkretë! Jacques-u i shqetësuar më thotë: “Po ç’është kjo punë, miku im … a mos është ndonjë kurth apo provokim? A e dinë kush jam dhe çka përfaqësoj? Kam bërë 3 orë rrugë me tren për të ardhur në Bruksel. Në shekullin e kaluar, do e kisha pasur për obligim moral, për t’iu propozuar një duel me shpata apo pistoletë, ngaqë më keni ofenduar.”

Ja shpjegova me qetësi, mënyrën e funksionimit të Monikës në këtë teatër dhe i thashë se unë kam ardhur vetëm si mik për të të takuar ty, por nuk kam lidhje me organizimin, se përndryshe do i kishe këtu në minimum 200 veta..

– Tani, ç’të bëjmë, miku im? A ikim dhe ta pimë një birrë dikund? Nëse do, ta hamë një darkë, ndonjë kuskus maroken apo algjerian, pasi keni lindur atje?

Buzëqeshi, më përqafoi e mu përgjigj: “… do e meritonte, por po më vjen keq, se nuk e kam atë lloj edukate. Ta kryejmë sa më parë këtë seancë fiktive dhe pastaj të vazhdojmë së bashku për qejfin tonë.”

Dhe u zhagita nja dy orë të mira me zotin Jacques DERRIDA tek mbretëria e proletarëve, të asistuarve, të ilegalëve, të dëlirantëve dhe të margjinalëve. Më vonë më pyeti: “Po si është gjendja në Shqipëri ku jeni ju?”

Por unë nuk isha asaj kohe prezent andej dhe i thashë:

– Është gjendje kome, si në një azil të çmendurish, jemi si me thënë të shpërbërë dhe të destrukturuar, ndoshta që nga lindja apo origjina, nuk e di? Ka shanse se do e kemi shpikur ne në jetën tonë praktike “dekonstruktivizmin” por intuitivisht, mekanikisht, pa e kuptuar fare se çka jemi duke bërë dhe ti ke ardhur me 100 diploma dhe 10.000 libra referenciale për ta teorizuar për mrekulli.

Në vitin 1992, Derrida emërohet Doktor Honoris Causa i Universitetit prestigjioz anglez Cambridge, zhvillon disa polemika filozofike të ashpra me kolegët e tij si Michel Foucault, Jurgen Habermas dhe filozofin amerikan John R. Searle. Duhet theksuar se në globalitet, filozofia anglo-saksone ka për parim bazë, anën puro analitike dhe qartësinë e argumenteve racionale dhe logjike pra, mbështetet në një interpretim të kujdesshëm të teksteve, sipas rregullave apo traditave të filozofisë klasike. Nuk ka aty ndonjë revolucion madhor! Por tani vjen Derrida dhe fokusohet në zonat e errëta, në hijet e teksteve, në çka nuk është thënë, apo është lënë si pikëpyetje. Ai lexon dhe analizon në imtësi veprat e Platonit, Rousseau, Husserl, Frojd, Heidegger, Levi-Strauss, etj. … deri në detaje, i rilexon me mikroskopin e tij mendor dhe i shpërbën fije për fije, i zhvesh për ta parë vetë, se çka na fshehin si informacion me rëndësi gjithë ato tekste.

Pra, çka nuk e thonë zyrtarisht në tekstin e shkruar racionalisht, porse na e shprehin indirekt, ose aksidentalisht në nëntekstin e tyre, i cili ju ka shpëtuar nga koshienca puro.

Dhe Derridas i intereson pikërisht, atë çka e vendosin në subkoshiencën e tyre, çka nuk e pranojnë për ta shprehur. Pra, praktikon një skanim psikanalitik të teksteve (për të evidentuar mesazhin e fshehur të nëntekstit dhe pikëpyetjet e pa formuluara …diçka gati frojdiane!) dhe më në fund na vërteton se këto tekste (të filozofëve të mëdhenj) na thonë, na afirmojnë diçka krejt tjetër, ndoshta të kundërt, me qëllimin e tyre fillestar.

Pra, i monton dhe i demonton komplet materialin këmbë e krye, pastaj i ri monton, por në mënyrën e tij dhe me një analizë të thelluar mbi të gjitha pjesët e tij (të materialit apo të veprës) dhe më në fund i nxjerr në dritë, pjesët e pa thëna e pa shprehura e pa formuluara, ose mund të thuash pjesën e fshehtë të ajsbergut të veprave!

E këtu qëndron pa dyshim origjinaliteti dhe gjenialiteti i këtij filozofi, sepse hap me të vërtetë një faqe të re në fushën e analizës filozofike. Ja pra, ku e keni shkollën e tij, ose dekonstruktivizmin! Një metodologji e re studimore …

Imagjinoni, se deri ku shkon provokimi i tij dhe kuptohet mirë se përse një pjesë e inteligjencës franceze revoltohet dhe sulmon teorinë e Jacques Derridas, sepse ai i demonton në një mënyrë klinike dhe të pamëshirshme gjithë ndërtimin e tyre intelektual dhe filozofik. Dhe ju thotë që vepra juaj, i përmban këto mesazhe esenciale të kamufluara në nëntekst, të cilat ndonjëherëvijnë komplet në kundërshtim me parimet tuaja bazë.

Sipas filozofit francez, dekonstrukturimi nuk do të thotë të shkatërrosh çdo ide, hipotezë ose ideologji për qejf, por për ta demontuar çfarëdo teksti filozofik, që je duke e analizuar, në pjesë-pjesë, (si veglat e një motori), për ta parë sesi janë të artikuluara së bashku dhe çfarë kuptimi të saktë kanë të gjitha ato.

Për shembull, Sokrati na thotë: “Njihe vetveten”, po çka nuk na thotë – pyet veten Derrida- e cila mund të jetë e fshehur në nëntekstin e tij? Dhe aty shprehet mjeshtëria origjinale e filozofit francez. Përmes asaj mënyre komplet të re, për ti analizuar veprat e mëdha filozofike apo psikanalitike.

Pra, ky është mekanizmi intelektual, teknika e veprimit analitik, mjaft e guximshme, deri diku provokuese në një farë mënyre (për disa edhe perverse!) e Jacques Derrida.

Po përse? Ngaqë nuk heziton fare për të hyrë pa mëshirë në zonat e fshehta ose të errëta intime, pra në ajsbergun e ndaluar të ikonave të mëdha të filozofisë, për të na thënë ne, atë çka ata vetë nuk e kanë thënë, por që figuron në nëntekstin e tyre … me një fjalë tjetër, për t’i zhveshur apo demaskuar.

Përse nuk i përmbahet Derrida analizës ose metodologjisë klasike në studimin e filozofisë?

Sipas tij, këtu qëndronte mosmarrëveshja apo kontradikta. Mirëpo, te Derrida, ideja ishte për të parë, çka ka pas tekstit, ajo çka nuk shprehet, për ta theksuar errësirën që ka teksti edhe pse në teori e pretendon apo e synon transparencën, kurse në praktikë rezulton e kundërta. Pra, tenton të shpërbëjë pseudo-evidencën e disa skemave opozitare ose koncepteve bipolare sikurse, drita-hija, shkrimi-fjala, letërsia-filozofia, njeriu-kafsha, prezenca- mungesa, të gjallët-të vdekurit …, pra, ideja e gabuar se kjo është e bardhë dhe kjo është e zezë, çka eliminon artificialisht të gjitha nuancat reale, që i ka jeta dhe mendja njerëzore.

Jacques Derrida mendonte se çdo gjë lidhet dhe komunikon direkt apo indirekt me tjetrën, zihet dhe përzihet, përplaset, plotësohet apo kundërshtohet, pavarësisht se çfarë është apo nga cila fushë intelektuale vjen.

Edhe unë tani, po e kuptoj pa e ditur qartësisht, se e kam pas praktikuar këtë shkollë mendimi dikund intuitivisht në poezinë time, dhe pa qenë plotësisht i vetëdijshëm mbi këtë fenomen. Madje kjo korrespondon mrekullisht mirë edhe me gramatikën filmike të Jean-Luc Godardit pra, diçka evidente më afron me të dy!…