Bullizmi “Intelektual”, ky fenomen kaq toksik
29 nëntor 2024
Sheila Rexho ©

Periudha post panair, vrasja tronditëse e minorenit në Tiranë, festat e Nëntorit, i kanë mbushur muret e Facebook-ut tonë me gjithfarë statusesh, analizash e opinionesh. Deri këtu ok.
Pastaj le të vërshojnë “sulmet”.
Në epokën e rrjeteve sociale, bullizmi “intelektual” ka marrë një përmasë të re, madje në pikëpamjen time edhe pak shqetësuese, duke krijuar një klimë toksike, e cila pengon diskutimet e shëndetshme dhe diversitetin e mendimeve.
Në mediat sociale, anonimati, virtualiteti dhe mungesa e rregullave të etikës së komunikimit kanë krijuar terrenin e përsosur ku bullizmit intelektual i mungojnë frerët.
Nuk ka ditë që mos të vë re vrerin e “miqve” nëpermjet statuseve e komenteve sarkastike.
Sa i frustruar duhet të jete nje individ së brëndshmi për të praktikuar bullizmin si hobby?
Cfarë kënaqësie mund të merret prej sulmimit të ideve dhe individëve që nuk mendojnë si ti?
Në këtë lloj habitati, po vë re dy dukuri të dëmshme: polarizimin dhe grupimin. Polarizimi ndodh kur individët i përkasin grupeve të caktuara të një mendësie ose ideologjie dhe përpiqen të “rrënojnë” këdo që nuk ndan të njëjtën filozofi.
Rrjedhimisht fenomeni çon në një fragmentim të mëtejshëm të shoqërisë dhe krijimin e toksicitetit online.
Nga ana tjetër, grupimi duke u bazuar në fuqizimin e një ideje ose mendimi, shpërfill çdo argument ndryshe, shpeshherë në mënyra tejet denigruese.
E di qe kemi plot halle për të qarë, por edhe ky që po servir, ndikimet i ka jo pak të dëmshme, si për individët që përballen me sulmet, ashtu edhe për shoqërinë në tërësi.
Ata që përjetojnë bullizëm intelektual, logjikisht do te ndihen të turpëruar ose të pavlerësuar dhe apriori do t’iu shmangen në vijim diskutimeve publike, çka çon në një heshtje kolektive, shtypje të diversitetit intelektual.
Dhe kështu, gradualisht në xhunglën tonë digjitale do të dominojnë gjithmonë më të fortët, këta bullizuesit e përhershëm, të cilët e kanë për detyrë të luftojnë çdo mendim ndryshe, pavarësisht natyrës së tyre specifike , duke marrë statusin e gjithologëve të gjithëpushtetshëm.