Një letrar i ri, i kthyer nga Franca, bie në gjurmët e një shkrimtari të zhdukur dhe së vërtetës pas heshtjes që ka përcjellë mos-qenien e tij. Ky rrugëtim e çon në vitin 1946, në zyrat e errëta ku regjimi i ri po shkruante tekstet e para shkollore të vendit, duke rishkruar njëkohësisht edhe historinë e tij. Aty, narratori zbulon emra me peshë të madhe në letrat shqipe: Qemal Draçini, Mitrush Kuteli, Skënder Luarasi. Shkrimtarë të shquar, të burgosur, të vrarë, të fshirë. Veprat e tyre të keq-interpretuara, të deformuara, të vjedhura. Një trashëgimi letrare e përdhosur në emër të ideologjisë. Duke u kthyer në vitet vendimtare të formësimit të letërsisë shqipe moderne, romani zbulon tensionet mes krijimtarisë dhe pushtetit, kujtesës dhe manipulimit të saj, individit dhe sistemit. Në qendër qëndron një pyetje e heshtur, por këmbëngulëse: A mund të ekzistojë një “epokë e bukur” në një botë që ndërton identitetin mbi harresën? Belle Époque është një roman historik që mund të lexohet edhe si një akt kujtese ndaj atyre që u zhdukën pa gjyq e pa gjurmë, ku një pyetje nuk resht asnjëherë së rënduari: Kush e vrau Qemal Draçinin dhe çfarë u zhduk bashkë me të?